Lehtësohen rregullat për skafet dhe motorët, nuk ka më licencim

25
Sigal

Në vijim të përgatitjeve për sezonin e këtij viti, të gjithë operatorët që ushtrojnë veprimtari ujore për qëllime turistike duhet të certifikohen, me qëllim shmangien e incidenteve dhe garantimin e një turizmi të sigurt e me standarde.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin për ndryshime në aktivitetet e turizmit detar, me qëllim lehtësimin e procedurave për ushtrimin e veprimtarive në këtë fushë.

Certifikimi i subjekteve për ushtrimin e veprimtarive si operator i turizmit detar, kërkonte fillimisht pajisjen me licensën e operatorit turistik. Për arsye se operatori i turizmit detar dhe operatori turistik nuk janë i njëjti person, por ushtrojnë  aktivitete të ndryshme dhe licencimi në radhë të parë si operator turistik mbingarkon subjektet me procedura, është vendosur shfuqizimi i procesit të  licensimit pranë QKB-së. Operatorët që  do të ushtrojnë veprimtari të turizmit detar do t’i nënshtrohen vetëm procesit të certifikimit, pa pasur nevojë  të  licensohen më  parë  si operatorë  turistikë.

Aktivitete të turizmit detar që ushtrohen nga operatorët e turizmit detar janë  lundrimi për zbavitje, peshkimi, zhytjet dhe aktivitete të tjera ujore. Ndërsa operatorët turistikë punojnë  për dizenjimin dhe organizimin e një udhëtimi/pakete të paraplanifikuar e të promovuar.

Gjatë viteve të shkuara, sezoni turistik veror në Shqipëri është shoqëruar vazhdimisht me incidente që kanë sjellë si pasojë vdekjen. Këto incidente kanë  nxjerrë  në  pah problematika që  lidhen me mospajisjen e mjeteve të  lundrimit me dokumente të rregullta apo mungesës së certifikimit të operatorëve të turizmit detar që ofrojnë  shërbimet e skafit, motorëve të  ujit apo jetski.