“Lega Nord” nis punën për dëbimin e Shqiptarëve

570
Sigal

Shenjat e para të pranisë së “Ligës” në qeverinë italiane, sa i përket qasjes ndaj emigrantëve, por edhe shqiptarëve, kanë filluar të duken. Të dhënat e bëra publike nga vetë Ministri i Brendshëm, njëkohësisht, zv.Kryeministër, bashkëkryetar koalicioni dhe kryetar i Ligës, tregojnë se që prej datës 1 Qershor të vitit 2018 janë riatdhesuar në Shqipëri 582 emigrantë që jetonin në mënyrë të paligjshme në vend. Këto riatdhesime janë vetëm për një periudhë 5-mujore. “Liga” është një parti e pozicionuar ekstremisht djathtas, si dhe kundër emigrantëve. Partia e drejtuar nga Matteo Salvini ka deklaruar vazhdimisht se, jo vetëm që do të ndalojë ardhjet e reja të emigrantëve në vend, por edhe se do të “pastrojë” Italinë nga emigrantët e paligjshëm. Një pjesë e madhe e tyre janë edhe shqiptarë. Ndër të riatdhesuarit, nga 2774 në total, shqiptarët përbëjnë 1/5, ose 21% të tyre. Kjo do të thotë se janë të dytët në listë pas atyre nga Maroku. Për të dhënë një panoramë më të qartë të gjendjes, pra të asaj që ka ndryshuar këtë vit, me ardhjen në pushtet të një partie të ekstremit të djathtë dhe që është haptazi kundër emigrantëve, mjafton të themi se përgjatë të gjithë vitit të kaluar, shqiptarët e riatdhesuar ishin 731. Në vetëm 5 muaj të 2018-ës ndërkohë shifrat flasin për rreth 600 të tillë. Në rast se tendenca do të jetë e njëjtë, atëherë shifra do të jetë rekord këtë vit. Marrëveshja e koalicionit mes “Ligës” dhe lëvizjes “5 yjet” parashikon gjithashtu përshpejtimin e procesit të riatdhesimit të rreth 500 mijë emigrantëve të paligjshëm që vlerësohet se jetojnë dhe punojnë në Itali, mes të cilëve edhe shumë shqiptarë. Deri tani, kjo marrëveshje ka kontribuar me rritjen me 20% të riatdhesimeve këtë vit. Por, gjithsesi, me këtë hap, do të duheshin 83 vite, për të “pastruar” vendin nga emigrantët e paligjshëm.