Lamtumirë Kastriot Myftaraj! Gazetarë, miq dhe të afërm i japin lamtumirën e fundit publicistit

149
Sigal

Gazetarë, miq dhe të afërm i kanë dhënë lamtumirën e fundit publicistit të njohur Kastriot Myftaraj. Mes lotëve nëna e tij ka pritur ngushëllimet për djalin që u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme.

Një gazetar kritik dhe që ka punuar në mbrojtje të demokracisë dhe vlerave, e kanë cilësuar miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij.

Ilir Kulla: Kastrioti kishte disa karakteristika, por më e rëndësishmja e tij është që ai nuk pranonte në cilësinë e intelektualit, nga të rrallët që ka mbetur 100%, nuk pranonte kompromis.

Me keqardhjen shprehen se po ndahen me mikun me të cilin kanë shkëmbyer mendime të vyera.

Alfred Cako: Ishte një polemist shumë i famshëm, ishte një gazetar që nuk kishte drojë dhe hapte polemika të mëdha me idetë e veta, përpiqej të ishte i lirë në mendime.

Kastriot Frashëri: Për fat të keq nga sot do ti mungojë jo vetëm pjesës opozitare por edhe zbulimit të vërtetës.

Por po ashtu kërkohet që ngjarja të hetohet në mënyrë të plotë.

Alfred Cako: Ka nevojë për hetime për vdekjen e tij sepse ka dyshime. Dera e tij ka qenë e hapur.

Kastriot Frashëri: Ngjarja është vërtet tragjike por ne kemi dyshimet tona. Kastriotit nuk mund ti thuash që ishte në depresion apo ishte njeri i dëshpëruar.

Myftaraj për më shumë se 25 vite është njohur për shkrimet e tij analitike dhe botime në publicistikë.

Po ashtu prej 5 vitesh ka drejtuar emisionin “Ju flet Moska” në RTV Ora.

Vetëm pak ditë më parë ai mësoi se vuante nga një sëmundje e rëndë, për të cilën do ti duhej ti nënshtrohej një operacioni.