Nuk ndalet rritja e çmimeve/ Inflacioni kap nivelin më të lartë në 20 vite, shkon në 7.4 për qind

115
Sigal

Çmimet në vend kanë kapur nivel historik. Sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Statistikave, inflacioni ka kapur nivelin e 7.4 për qind, nga 6.7% që ishte në maj dhe shumë më i lartë se janari i këtij viti, që ishte 3.7%. Kjo shifër është më e larta në 20 vite, pasi vetëm në vitin 2002 niveli i inflacionit ka shkuar 7.4 për qind.

Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Qershor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +4,38 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +1,53 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,54 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,28 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,25 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,05 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor” me +0,02 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,01 pikë përqindje.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Qershor 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 26,9 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 12,6 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,7 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3,8 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,8 %, “Veshje dhe këpucë” me 1,6 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,0 %, “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,6 % secili dhe “Shëndeti” me 0,3 %. Nga ana tjetër, grupi “Argëtim dhe kulturë” u ul me 0,9 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u rritën me 30,3 %, pasuar nga nëngrupet “bukë dhe drithra” me 19,1 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 18,5 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 14,3 %, “zarzavate përfshirë patatet” me 10,3 %, “mish” me 9,0 %, “peshk” 8,6 %, etj.