Gjykata e Posaçme ka lënë në burg hetimeve dy efektivët e Durrësit, Gëzim Lluka dhe Viktor Buca të cilët pas arrestimit i morën 10 mijë euro një personi të shpalluri në kërkim pasi e arrestuan.
GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK duke lënë në burg të paktën deri në përfundim të hetimeve dy efektivët e Durrësit, Gëzim Lluka dhe Viktor Buca.
Referuar hetimeve të SPAK dy efektivët e policisë Durrës, arritën me sukses të gjenin Alfred Mikelin, person i dënuar me 10 vjet e 6 muaj burg. Ata e kapën dhe e morën në makinën e policisë sipas procedurës.
Por gjatë shoqërimit të tij për në komisariat, Mikeli duket se i ka korruptuar policët duke u ofruar ryshfet. Sipas dosjes ai u ka ofruar efektivëve 10 mijë euro që ta linin të lirë. 5 mijë euro secili, ofertë e cila u pranua nga efektivët dhe Mikeli u la i lirë nga to duke mos u dërguar në komisariat.
Episodi në fjalë ndodhi më 10 Gusht të vitit që lamë pas. 6 muaj, pas kapjes së tij dhe hetimeve të Prokurorisë së Posacme Lluka dhe Buca u arrestuan me urdhër të SPAK. Hetimet për rastin, kanë nisur në vitin 2021 nga struktura anti-korrupsion.