Kuvendi i kërkon Avokatit të Popullit, të ketë në fokus mbrojtjen e konsumatorëve

560
Sigal

Mbrojtja e konsumatorëve, buxhetimi gjinor apo mbrojtja e të drejtave të fëmijëve kanë qenë kërkesat e para, në kuadër të objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm që Kuvendi, i ka kërkuar Avokatit të Popullit të ketë në fokus si çështje gjatë vitit 2019. Në rezolutën për këtë institucion pas marrjes në analizë të aktivitetit të vitit të shkuar, Kuvendi nënvizon se janë një sërë aspektesh që duhet të mbahen parasysh, të cilat përmblidhen në pesë pika të tjera përveç asaj për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.

Kështu, ndër të tjera, Avokatit të Popullit i kërkohet të rrisë veprimtarinë e tij informuese dhe sensibilizuese lidhur me fushën e veprimtarisë së tij dhe rolin e institucionit. Po kështu kërkohet që të rritet angazhimi në mbrojtje të interesave të shtetasve shqiptarë, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, duke rritur bashkëpunimin me organizatat homologe.

NOA

Në funksion të transparencës por edhe ndërgjegjësimit të institucioneve të tjera, Kuvendi ka kërkuar që Avokati i Popullit:

  • Të publikojë rekomandimet e tij
  • T’i adresojë ato pranë institucioneve përgjegjëse dhe Kuvendit të Shqipërisë në kohë,
  • Të informojë Kuvendin e Shqipërisë mbi ecurinë e zbatimit të tyre.

Po kështu,

  • të ndjekë shkallën e zbatimit të rekomandimeve, arsyet përse rekomandimet nuk janë përmbushur ose nuk janë pranuar dhe
  • të informojë institucionet përgjegjëse dhe Kuvendin e Shqipërisë për masat që duhet të marrë.

Në fund,

  • kërkohet që të krijohet dhe të bëhet publik jo më vonë se 6 muaj, nga data e miratimit të kësaj rezolute, një regjistër me ankesat/kërkesat e marra nga institucioni,
  • si dhe të deklarojë statusin e tyre, duke respektuar rregullat e transparencës dhe të mbrojtjes së të dhënave personale.

Në krye të zyrës së Avokatit të Popullit sot është Erinda Ballanca, e cila mori këtë post nga 22 maji 2017 kur u votua nga Parlamenti për një mandat 5-vjeçar.