Kushtet e Gjermanisë për punëtorët nga Shqipëria

591
Shqiptarët nuk kanë shanse për azil politik, por Gjermania do të hapë rrugën për ardhjen legale të fuqisë punëtore nga vendet e Ballkanit, thotë Anette Kramme, në bisedë me Deutsche Wellen.
Deutschland Bayern SPD Anette Kramme
Migracioni dhe refugjatët janë aktualisht ndër temat më të rëndësishme në Gjermani. Deri në tetor të vitit 2015, janë paraqitur mbi 130.000 kërkesa për azil nga shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndër ta, rreth 35.000 janë nga Kosova dhe rreth 45.000 nga Shqipëria. “Por shanset e tyre për azil janë të gati të barabarta me zero”, thotë sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, Anette Kramme. Shanset për azil nuk ekzistojnë, por Gjermania do të hapë tregun e punës prej vitit të ardhshëm për shtetasit e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Sipas propozimeve të tanishme, parashikohet që në vit të pranohen rreth 20.000 punëtorë nga këto vende. Parashikohet që ligji i ri të hyjë në fuqi në vitin 2016 dhe do të vlejë deri më 2020, kur do të bëhet evaluimi i tij. “Nga këto rregulla mund të përfitojë Gjermania, por edhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, pohon Kramme.
E pyetur nga Deutsche Welle, se çfarë do të ndryshojë konkretisht me ligjin e ri, i cili duhet të hyjë në fuqi në vitin 2016, sekretarja e shtetit Anette Kramme përgjigjet: “Deri tani situata është kështu: emigrantët mund të vijnë në Gjermani, vetëm nëse kanë ndonjë kualifikim të posaçëm. Ata ose kategorizohen si akademikë dhe mund të vijnë përmes Blu Card, që është mundësia e parë. E mundësia tjetër është nëse dikush ka një profesion të posaçëm, për të cilin ka mangësi në Gjermani. Ndonëse tani ne do ta hapim tërësisht tregun e punës për njerëzit nga vendet e Ballkanit, kushti i parë absolut është që të ketë një vend vakant. Dhe kushti tjetër është që për këtë të japë pëlqimin edhe Agjencia Federale e Punës, e cila të sigurojë, se për këtë vend pune nuk ka ndonjë kandidat nga Gjermania apo nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Ndërkohë që kushtet e punës duhet të jenë të barabarta.” Në Gjermani është folur shpesh për mungesën e fuqisë punëtore në shumë fusha. Njerëzit në Kosovë, Shqipëri dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor shpresojnë, se do të gjejnë ndonjë vend pune në Gjermani, por në cilat fusha ekziston nevoja më e madhe për fuqi punëtore? E pyetur për këtë nga DW, Sekretarja e Shtetit pranë Ministrisë gjermane të Punës dhe Çështjeve Sociale, Anette Kramme, thekson: “Kjo vlen në veçanti për fushat ku nuk kërkohet ndonjë shkollim i posaçëm, si dhe për vendet e punës për të cilat nuk ka kandidatë nga Gjermania apo Bashkimi Evropian. Këto janë mundësitë për migracion pune, por natyrisht që tregu i punës është i hapur edhe për akademikë dhe profesionistë të fushave të ndryshme. Sa i përket problemit që kanë qytetarët e Kosovës me vizat, si e vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk gëzon lirinë e lëvizjes pa viza në BE, Anette Kramme thekson se, “Ne do të lehtësojmë të gjithë procedurën. Procedura e dhënies së vizave do të jetë më e shpejtë dhe më e thjeshtë.”
*****

ITALI/ Debate të ashpra për emigrantët mes Presidentit të IPS-it, Boeri dhe Maurizio Gasparri të (FI)
Maurizio Gasparri,(FI): Italia harxhon 3 miliardë e 300 milionë për ardhjen e emigrantëve klandestin

President i IPS-it, Boeri: Nga emigrantët 15 miliardë të ardhura, rreth 1% të PBB-së
Janë kontributet shoqërore të derdhura që nuk do të kthehen kurrë në pensione. E thotë president i IPS-it, por Gasparri (FI) nuk e beson: “Nuk është e vërtetë, imigracioni bën keq”
– Arkat e INPS-it duhet të falënderojnë imigrantët. Presidenti i Institutit të sigurimeve shoqërore italiane nuk lodhet së përsërituri, duke nxehur keq ata, si senatori i partisë Forza Italia, Maurizio Gasparri, që nuk duan t’u shohin bojën imigrantëve. Ashtu siç kish bërë edhe në fund të shtatorit, kur prezantoi raportin Worldwide Inps, edhe të hënën e shkuar, në Torino për një kuvend mbi bilancin shoqëror të INPS-it, Piemonte Boeri foli për kontributet e punonjësve imigrantë, që këta të fundit nuk do të marrin kurrë mbrapsht në formën e pensionit. “Deri tani – shpjegoi – kemi mbledhur rreth 3 miliardë. Llogarisim që janë edhe 12 miliardë që do të na vijnë. Pra kemi të bëjmë me rreth 1% të PBB-së që është dhuratë e imigrantëve arkave të shtetit e që çdo vit shtohet me rreth 400 milionë”. Këto janë faktet, shifra të thata që nuk mund t’i vësh në dyshim. E megjithatë nënkryetari i Senatit Maurizio Gasparri provoi menjëherë t’i kontestonte: “Boeri t’i bëjë mirë llogaritë e do të shohë që ka pohuar gjëra të rreme dhe larg të vërtetës”, shkroi në një komunikatë, për të përmendur më pas kostot e zbarkimeve të refugjatëve (që me punonjësit e huaj, për të cilët fliste Boeri as që kanë të bëjnë). “Dua t’i tregoj një personazhi që zotëron më shumë mendjemadhësi, se kompetencë – u hodh në sulm Gasparri – që qeveria Renzi, fajtore e një veprimtarie katastrofike skafizmi shtetëror në favor të klandestinëve e ka përllogaritur në 3 miliardë e 300 milionë koston shtesë për Italinë për shkak të ardhjeve të imigrantëve, shumë për të cilën kërkon më kot rimbursim nga BE”.
“Imigracioni – përfundoi eksponenti FI, hap vrima në bilanc, sjell kosto sociale tejet të madhe, shpenzime për sigurinë, dëme për shtimin e krimeve, pasoja negative të çdo lloji me kosto tejet të larta. Italia shkon keq e përjeton rritjen e rreziqeve, krimeve dhe problemeve të rendit për shkak të shtimit të imigracionit. Që nuk na pasuron, por na varfëron”.
***************
ITALI/ Nën 18 vjeç, nuk duhet paguar kontributi i lëshimit apo i përtëritjes. Kërkesa me të njëjtin komplet formularësh të prindërve
Lejeqëndrimi elektronik i ri, për të miturit është falas
– Lejeqëndrimi elektronik ndryshon, por rregulli mbetet i njëjtë: për të miturit nuk paguhet. Siç shkruanim pak ditë më parë, lejeqëndrimi elektronik i ri (PSE) që dalëngadalë do të zëvendësojë atë të sotmin ka edhe një version për të miturit. Në fakt, këtej e tutje edhe ata do të kenë dokument individual që nga lindja dhe nuk do të jenë të regjistruar në atë të prindërve. Madje, nga gjashtë vjeç e sipër edhe të miturit do të jenë të detyruar të japin shenjat e gishtërinjve, që do të ruhen në mikroprocesorin e dokumentit dhe në një bankë të dhënash të ministrisë së Brendshme. Edhe pse këto risi do t’u vështirësojnë jetën fëmijëve e prindërve, të paktën nuk do të rëndojnë në xhepat e familjeve të imigrantëve. Në fakt është akoma në fuqi dekreti që parashikon, se të miturit nën 18 vjeç përjashtohen nga pagesa e “kontributit për lëshimin e përtëritjen e lejes së qëndrimit” që për të rriturit shkon nga 80 në 200 euro, sipas kohëzgjatjes së dokumentit. Për më tepër, nëse për të rinjtë nga 14 deri në 18 vjeç, akoma parashikohet pagesa e 27,50 € për shtypjen e lejeqëndrimit, nën 14 vjeç, edhe pse këtej e tutje lejeqëndrimi do të jetë individual, kjo pagesë nuk do të bëhet. Të paktën deri tani, pasi Ministria e Ekonomisë dhe e Financave nuk ka dhënë asnjë udhëzim në këtë drejtim. Së fundi, duhet thënë që nuk ndryshon as kostoja e paraqitjes së kërkesës përmes zyrave postare. Lejeqëndrimi për fëmijët kërkohet duke përdorur të njëjtët formularë e të njëjtin komplet postar, me të cilët e kërkojnë prindërit. Kjo do të thotë se 30 € për shërbimin postar dhe 16 € të pullë-taksës paguhen vetëm njëherë e jo veç e veç edhe për fëmijët.
Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 01.12.2015
Sigal