Kush është 48-vjeçari nga Berati që duhet të deklarojë pasurinë, vëllai i ish-presidentit të Tomorit që e vranë në 2000

739
Sigal

“Posta” e OFL-së dje ka shkuar në Berat, ku u janë dorëzuar letrat për të deklaruar burimin e pasurisë Edison Çobos dhe Gazmend Mahmutajt.

Sipas Policisë, të dy janë të dënuar në Itali për trafikim të lëndëve narkotike dhe si subjekte të ligjit special, duhet të plotësojnë formularin për deklarimin e pasurisë e ta dorëzojnë në OFL brenda 48 orëve. Edison Çobo, 48 vjeç, është arrestuar në vitin 2018, në zbatim të një vendimi që Gjykata kishte marrë në mungesë për të. Çobo njihet nga Policia si person me rrezikshmëri të lartë kriminale.

Ngjarja më e rëndë kriminale për të cilën ai është akuzuar ka qenë ajo e vitit 2013, ku bashkë me 3 persona të tjerë të maskuar dhe me armë kanë grabitur ish-mikun e tyre Edmond P. dhe kanë terrorizuar familjen e tij dhe e gjitha ka ndodhur për prishje të pazareve të drogës. Por përveç krimeve për të cilat është hetuar e akuzuar ndër vite, ai njihet edhe si vëllai i Ardian Çobos, ish-presidentit të Tomorit, i cili u ekzekutua më 13 maj të vitit 2000, në afërsi të stadiumit “Selman Stërmasi”.

Ardian Çobo, i vrarë në vitin 2000
Ardian Çobo, i vrarë në vitin 2000

Bashkë me Çobon mbeti i vrarë edhe Luan Zylfo, arbitri i ndeshjes Partizani-Tomori, ndërsa u plagosën edhe dy të tjerë. Ngjarja që tronditi futbollin shqiptar 20 vite më parë ndodhi në javën e parafundit të kampionatit kombëtar. Në orën 15:00 do të luhej ndeshja Partizani-Tomori. Partizani në prag të rënies nga kategoria, ndërsa Tomori ishte shumë pranë titullit. Në përfundim të ndeshjes, me fitoren ndaj Partizanit, Tomori u barazua me pikë me Tiranën kryesuese, që në të njëjtën ditë barazoi në Gjirokastër.

VRASJA E ÇOBOS

Në përfundim të ndeshjes, presidenti dhe drejtues të Tomorit, bashkë me arbitrat, u ulën në një lokal pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. Ata kishin vetëm pak minuta që ishin ulur në të njëjtën tavolinë, kur një person ka qëlluar me armë drejt tyre. Plumbat ishin fatalë për presidentin e Tomorit, Ardian Çobo dhe për arbitrin Luan Zylfo.

Për Çobon ndihma ishte thuajse e pamundur, ndërsa Zylfo u transportua drejt Spitalit Ushtarak, ku pas orëve të tëra pritjeje, mjekët njoftuan se e patën të pamundur ta mbanin në jetë, duke qenë se një plumb e kishte goditur në qafë. Të plagosur kishin mbetur edhe Albano Janku në kofshë dhe Shpëtim Lamçe në dorë.

Ardian Çobo nga Berati, president i klubit Tomori, njihej si shumë pasionant dhe dashamirës futbolli. Ai ishte i pari që e afroi Tomorin aq pranë fitimit të titullit kampion. Çobo ishte angazhuar plotësisht për t’i dhënë Beratit trofeun e parë, që fatkeqësisht nuk arriti ta realizonte. Ai ishte vetëm 26 vjeç, kur mbeti i vrarë. E pas vrasjes së tij, edhe Tomori pësoi rënie të vazhdueshme.

GAZMEND MAHMUTAJ

Gazmend Mahmutaj është personi i dytë nga Berati, që brenda 48 orëve do t’i duhet që të justifikojë pasurinë e tij, kjo me kërkesë të OFL-së, që dje i dërguan formularin e vetëdeklarimit. Mahmutaj rezulton të jetë një emër i njohur për Policinë shqiptare dhe i dënuar në Itali për trafik droge. Ai është një personazh i njohur i botës së krimit në Berat, ndërsa më herët është ndaluar në Itali, në dokumente kishte emrin Raqi Gjoni.

Ngjarja më e bujshme rreth emrit të tij është ajo e 18 nëntorit 1998, kur me një emër të rremë (Raqi Gjoni), edhe pse kërkohej nga Italia, mundi të shkojë deri në aeroportin “Malpensa” në Milano në një avion tranzit, ku udhëtonin për Strasburg një grup parlamentarësh shqiptarë, në një konferencë për krimin e organizuar. Mes tyre ishte edhe Fatmir Mediu, mik i Gazmend Mahmutajt, pasi vëllai i tij, Kasem Mahmutaj, ka qenë kryetar i Partisë Republikane në Berat që në mars të 2008-ës.