Kurti thumbon Ramën: Patriot është ai që lufton krimin e korrupsionin!

248
Sigal

Në Elbasan, ku po mbahet mbledhja e qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, Kryeministri kosovar Albin Kurti foli edhe me tone kritike për detyrimet që duhet të përmbushin të dyja palët që sot po angazhohen në marrëveshje të rëndësishme me njera-tjetrën.

Kurti theksoi ndër të tjera se “marrëveshjet duhet të zbatohen me cilësi. Patriotizëm sot është të luftosh korrupsionin dhe kriminin e organizuar, për media të lirë, gjyqësor të pavarur, e për drejtësi sociale, – nënvizoi ai. – Vetëm ky patriotizëm do t’i bëjë qytetarët tanë krenarë të jetojnë në vendin e tyre. Duhet ta gjejmë thirrjen tonë të përbashkët.”

“I dashur Edi, të nderuar ministra, – e nisi fjalën Kurti. – Ne shqiptarët jemi njerëz optimist, edhe kur dita është me shi, themi do jetë me bereqet. Sot janë mbushur 2 vite nga dita e tërmetit, dhe familjarët kanë pikëllim, ne bashkendjejmë me ta duke pohuar që dhimbja e tyre, është dhimbja e tyre. Sa herë që vij në Shqipëri kam një ndjesi që nuk përshkruhet lehtë dhe nuk shpjegohet kollaj. Jemi si një lis me dy degë, jemi një, paçka se me dy dialekte që po njehësohen. Çfarëdo po them po analizohet mirë se ku desha të dal dhe çfarë mesazhi po dërgoj. Ajo që ndjej në Kosovë është se ka një lloj ndrydhje të dëshirave dhe ndjenja kur flitet për Shqipërinë. Të thuash që jemi të lumtur që jemi një komb i ndarë do ishte marrëzi, të thuash të jemi të lumtur se ne dy shtete jemi më të fortë, është sa tepëri dhe shkurtpamësi”, tha Albin Kurti.

“Të thuash se do angazhohesh për bashkim kombëtar do të shquanin për nacionalist, të thuash se do bashkohemi në BE të shquajnë për diplomat. Kam përshtypjen se këta të fundit po tregohen më të suksesshëm. Le të flasim si diplomatë por të punojmë si patriot.

Marrëveshjet duhet të zbatohen me cilësi. Patriotizëm sot është të luftosh korrupsionin dhe kriminin e organizuar, për media të lirë, gjyqësor të pavarur, e për drejtësi sociale. Vetëm ky patriotizëm do t’i bëjë qytetarët tanë krenarë të jetojnë në vendin e tyre. Duhet ta gjejmë thirrjen tonë të përbashkët.

Sa më të integruar aq më të bindur do jenë qytetarët për ta kaluar jetën këtu. Njerëzit tanë duhet të lëvizin e të punojnë, tu lehtësohet qarkullimi, tu lehtësohet mundësia e biznesit dhe tregtisë. Së bashku mund të prodhojmë më mirë dhe të fitojmë më shumë. Nuk ka përhumbje më të madhe se shpërndarja në linja të paqëndrueshme.

Linja hekurudhore Prishtinë-Durrës është rritje e rëndësisë së portit kryesor të shqiptarëve, sa një rëndësi ekonomike po aq edhe gjeopolitike, që forcon shqiptarët dhe ndihmon rajonin. Marrëveshjet që kemi përpara do lehtësojnë më tej procedurat për lejet e qëndrimit. Po mbështesin bashkëpunimin kulturor, në fushën e muzeve dhe krijimtari. Po rrisim bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, doganës duke lehtësuar kalimin, dhe njohjen reciproke të diplomave dhe gradave shkencore”, theksoi kryeministri i Kosovës.