Kur do t’i hapen “letrat” firmës koncesionare me 13 emra, që ka ngulur sondat në detin e Durrësit?

516
Po cila është firma “San Leon Durrësi B.V.”, të cilës i duhen hapur “letrat” m urgjencë nga shteti shqiptar? Firma “San Leon Durrësi B.V.” është pajisur me kontratën koncesionare për shpim, kërkim e nxjerrje të naftës në detin e Durrësit dhe në çdo zonë të Shqipërisë, në tokë e në det, në lumenj e përrenj, licencuar në mënyrë të mistershme për aktivitet kërkimi dhe nxjerrje hidrokarburesh për bllokun “Durrësi” (në det) (kryesisht naftë). Kjo kontratë është nënshkruar në datën 16.07.2013, mbështetur në VKM Nr. 588, datë 30.05.2013. Shteti shqiptar, po lejon vazhdimin e zbatimit të kësaj kontrate të paligjshme me objekt kërkime hidrokarburesh në detin e Durrësit, madje edhe firmosur shtesë kontrate për shpime në Zvërnec të Vlorës, në Sarandë, Ballsh, Fier, Lushnjë, Divjakë, Kuçovë, Berat, Fier etj, duke u bërë pjesë e një kompanie tjetër të huaj që shpon dhe nxjerr naftë në Shqipëri e që së fundi ka pasur probleme me komunitetin dhe me shtetin e drejtësinë shqiptare dhe që i ishte shfuqizuar edhe kontrata koncesionare për borxhe në miliona dollarë ndaj arkës së shtetit shqiptar! Po përse nuk veprohet edhe ndaj firmës “San Leon Durrësi B. V.”? Kush e mbron, apo kush ka pjesë fitimesh e përfitimesh në aktivitetin e saj? Në datën 17 tetor 2013, është deklaruar nga qeveria shqiptare, se “do të zhbëhet kjo kontratë mafioze e anti-kushtetuese, që po zhvat pasuritë kombëtare me koncesion kriminal”. Sipas raportit shtetëror të datës 21 tetor 2013, të depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme, denoncohet fakti, që firma “San Leon Durrësi B. V.” është një emër fals dhe me këtë emër, me firmë e vulë të Ministrisë së Energjisë, që prej 16 korrikut 2013, kjo kompani “sigël” e “logo” fiktive, ushtron aktivitet kërkimi e prodhimi hidrokarburesh me bazë naftën në detin e Durrësit e në vendburime të tjera tokësore, duke shërbyer si një “mbulesë” e veprimtarisë mafioze të kompanisë së përbashkët “Island International Exploration B.V. dhe Beach Energy Limited”. Kjo firmë, pas korrikut të vitit 2013, ka bërë sikur ka hequr dorë nga ky koncesion hidrokarburesh në detin e Durrësit dhe ia ka kaluar licencën kompanisë “San Leon Durrësi B.V.” e cila në fakt, nuk është firmë tjetër por filial “bijë” e kompanisë “Island International Exploration B.V. dhe “Beach Energy Limited”. Ministri Gjiknuri, si pazarxhi i zhytur në këtë gropë “mazuti” korruptiv të këtij koncesioni, paçka se bëri denoncim në prokurori, nuk nisi asnjë proces verifikimi të dosjes së këtij koncesioni, duke lënë atë të veprojë lirshëm, sipas kontratës anti-ligjore, të nënshkruar në vitin 2004 e të rinovuar në vitin 2013. Sipas burimeve tona, Ministri Gjiknuri, jo vetëm nuk e ndal këtë koncesion, por ka urdhëruar që kompanisë “San Leon Durrësi B.V.”, t’i rinovohet kontrata formalisht, duke ia paraqitur Kryeministrit Rama, si “një koncension të suksesshëm e ligjor, korrekt me detyrimet ndaj shtetit në çdo drejtim”. Në fakt, nëse hapet dosja e këtij koncesioni që nga tatimet, doganat e deri n/kontraktorët, rezulton se “San Leon Durrësi B.V.” është një firmë me aktivitet problematik. Troç, ky koncesion është një dosje mafioze koncesionare, që po zhvat naftën në detin e Durrësit e së fundi me lejen e “kumbarit” Gjiknuri i është vërsulur naftës së Zvërnecit. 
Ja 7 ndryshimet që iu bënë kontratës koncesionare “San Leon Durrësi B. V.”
Po citojmë pa asnjë ndryshim, pjesën e marrëveshjes, për ndryshimin paligjshëm të kontratës, bërë në datën 16.07.2013 prej Ministrisë së Energjisë, në favor të firmës “San Leon Durrësi B.V.”, me këtë pazar mes palëve: “Duke marrë parasysh kushtet paraprake dhe marrëveshjet reciproke, palët bien dakord për të ndryshuar disa nga dispozitat e parashikuara në KNP (kontrata) për kërkimin dhe prodhimin e naftës në bllokun e “Durrësit” (në det) në Republikën e Shqipërisë.
1. Në Nenin 1, përkufizimi “Kontraktor” i parashikuar në paragrafin 1.18, zëvendësohet me përkufizimin në vijim: “Kontraktor” do të thotë “San Leon Durrësi B.V.” së bashku me pasardhësit e tij ose përfituesit e interesave përkatëse, të miratuar në përputhje me nenin 21″.
2. Përkufizimi “Periudha e Dytë e Kërkimeve” e parashikuar në paragrafin 1.48, zëvendësohet me përkufizimin në vijim: “Periudha e Dytë e Kërkimeve”, do të thotë një periudhë prej 2 (dy) vitesh kontraktore nga data e hyrjes në fuqi të marrëveshjes së dytë, së bashku me çdo zgjatje afati të kësaj periudhe, sikurse parashikuar në këtë kontratë.”
3. Përkufizimi “Periudha e Tretë e Kërkimeve” e parashikuar në nenin 1.49, shfuqizohet.
4. Në Nenin 2, paragrafi 2.9 zëvendësohet me paragrafin në vijim: “Interesat pjesëmarrëse të shoqërive janë si më poshtë: San Leon Durrësi B.V. 100%.”.
5. Në Nenin 3, shtohet paragrafi 3.9 në vijim: “Palët bien dakord që periudha midis 30 janarit 2012 dhe datës së hyrjes në fuqi të marrëveshjes së dytë, do të konsiderohet si “Periudhë Pezullimi” dhe të gjitha detyrimet e parashikuara nga kontrata e ndryshuar me marrëveshje, për këtë periudhë, konsiderohen të pezulluara.”
6. Në Nenin 5, paragrafi 5.2.2, zëvendësohet me paragrafin në vijim: “San Leon Durrësi B.V.” përcaktohet si operator.”.
7. Në Nenin 7, pika 6.7 (II) e kontratës, zëvendësohet me paragrafin në vijim: “Periudha e Dytë e Kërkimit: shpim i 2 (dy) puseve”. Paragrafi 6.7 (III) i kontratës shfuqizohet. 
Sigal