Kultura për paqen e Albabtain në Universitetin Mesdhetar

248
Sigal

Elona Shehu (Shahini)
Pedagoge në Universitetin “Mesdhetar i Shqipërisë”
Anëtare Bordi në Fondacionin “Abdul Haziz Saud Albabtain”

 

Krijimi i marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore dhe të paqes midis njerëzve dhe shteteve përbën një sfidë në ditët e pasigurta që po jetojmë, ndaj projektet integruese duhet t’i nënshtrohen nevojës për të bashkëvepruar, bazuar në interesa të ndërsjella. Në kurrikulat universitare në vendin tonë ka munguar prej vitesh një modul apo veprimtari e lidhur drejtë për drejtë me paqen dhe kulturën e vendeve të tjera.


Ndërkohë në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë hapet qendra “Abdulaziz Saud Albabtain vetëm për Paqen”. Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua në qershor të vitit 2022 mes Fondacionin Kulturor Abdulaziz Saud Albabtain me seli në Kuvajt dhe këtij Universiteti. Aktiviteti i këtij Fondacioni, i cili drejtohet nga z. Abdulaziz Saud Albabtain, fokusohet në edukimin dhe krijimin e një kulture paqeje, veçanërisht në kontekstin e hapësirës arabe e mesdhetare, në marrëdhëniet mes civilizimit dhe kulturës arabe dhe civilizimit dhe kulturës evropiane, përmes, ndër të tjera, bashkëpunimit dhe njohjes së ndërsjelltë të botës dhe qarqeve universitare e akademike, kulturore, sociale, mediatike, dhe jo vetëm. Për këtë qëllim, pranë Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, u ngrit “Qendra Abdulaziz Saud Albabtain vetëm për Paqen” dhe një Bord Akademik i kryesuar nga Prof. Dr. Akademik Anastas Angjeli, President i  Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. Qendra është e integruar më së miri në mjediset e universitetit. Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë bëhet kështu pjesë e strategjisë globale për paqe të qëndrueshme dhe të avokatisë globale për “Kulturën për Paqen” në këtë kohë sfidash për Evropën, Mesdheun dhe botën mbarë. Vetë Presidenti i Fondacionit, Shkelesia e tij, Abdulaziz Saud AlBabtain vizitoi ambientet e Universitetit Mesdhetar për finalizimin e kësaj marrëveshje nëpërmjet një ceremonie të veçantë. Abdul Haziz Saud Albabtain është një personalitet i shquar në të gjithë hapërsirën e Lindjes së Mesme dhe Botës Arabe, akademik, mendimtar, dhe poet i shquar nga Shteti i Kuvajtit, njëkohësisht dhe një prej personaliteteve të shquara, të cilit UMSH i ka akorduar a Honoris Causa. Vetë Shkëlqesia e tij, Abdulaziz Saud AlBabtain theksoi se fondacioni i tij, ka marrëveshje bashkëpunimi në të gjithë kontinentin dhe shprehu kënaqësinë që për herë të parë kjo zyrë hapet edhe në Shqipëri. “Marrëdhëniet midis shtetit Shqiptar dhe shtetit të Kuvatit gjithmonë kanë qenë të shkëlqyera. Hapja e kësaj zyre do të hedhë gurin e themelit për ura të reja bashkëpunimi, do të ndihmojë sa më shumë studentë, të njohin më mirë gjuhën, kulturën, letërsinë, dhe shoqërinë e Shtetit të Kuvajtit, por edhe të gjithë botës arabe në tërësi ”, u shpreh Shkëlqesia e tij. Me ftesë të Fondacionit Kulturor “Abdulaziz Saud AlBabtain vetëm për paqen” drejtues të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë morën pjesë në zhvillimet e edicionit të dytë të “World Forum for Culture of Peace” që u zhvillua në Maltë në datat 3-4 Mars 2022. Në këtë forum u diskutua mbi rolin e lidershipit global për ndërtimin e paqes në botë ku një theks i veçantë u vendos mbi nevojën për të pasur sa më shumë dialog mbi të gjitha çështjet e problematikat ekzistuese dhe krijimin e kanaleve të komunikimit dhe bashkëpunimit nga të gjithë aktorët e shoqërisë si dhe një rol më të madh dhe të shtuar të botës akademike. Presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë Akad. Prof. Dr. Anastas Angjeli i dorëzoi në këtë aktivitet Z. Abdulaziz Saud Albabtain titullin Honoris Causa, sipas vendimit të Senatit Akademik të UMSH më 03.03.2022, Maltë, “Për kontribut të shquar në promovimin e kulturës së paqes në bashkësinë ndërkombëtare, ndërtimin e instrumenteve të përbashkëta të bashkëpunimit nëpërmjet përhapjes së kulturës, edukimit dhe dialogut për sigurinë e brezave të ardhshëm”.

Ceremonia e dhënies së titullit u bë në prezencë të përfaqësuesve më të lartë të Fondacionit Kulturor “Abdulaziz Saud Albabtain”, drejtues dhe përfaqësues të United Nations, Presidentit të Maltës George Vella, Presidentit të Shqipërisë në atë kohë Ilir Meta, Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, Ish- Presidentit të Kroacisë Stepjan Mesic, Kryetarit të Assamblesë së Kuvajtit Marzouq Ali Mohammed Al-Ghanim, Rektorit të Universitetit të Maltës Alfred Vëlla, Presidenti i UMSH Akademik Anastas Angjeli, anëtarët e senatit akademik të Universitetit Mesdhetar i Shqipërise, akademikë të ftuar, përfaqësues të shoqërisë civile nga vendet të ndryshme dhe mediave maltese dhe të huaja. Bashkëpunimi ndërmjet Qendrës “Abdulaziz Saud Albabtain vetëm për Paqen” në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë dhe Fondacionit Kulturor Albabtain do të shtrihet në fushën e kurrikulave, mësim-dhënies, aktiviteteve arsimore dhe kulturore, me qëllim njohjen e ndërsjelltë të kulturës e historisë arabe dhe kulturës e historisë shqiptare, nëpërmejt aktiviteteve të ndryshme në UMSH dhe në Tiranë. Zbatimi i Memorandumit të Mirëkuptimit nënshkruar nga Akademiku Anastas Angjeli dhe Kryetari i Fondacionit Albabtain z. Abdulaziz Albabtain do të shtrihet në përkthime të librave nga gjuha arabe në shqip, në rritjen e kontakteve mes studentëve e akademikëve, në publikime dhe promovime reciproke të botimeve, nëpërmjet takimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta dhe organizimin e ditës së kulturës arabe brenda vitit akademik 2022-2023. Drejtor i kësaj qendre do të jetë Prof. Ass. Dr. Arben Cici, i UMSh, në koordinim të ngushtë me Profesor Touhami Abdouli, Sekretar i Përgjithshëm i Fondacionit, ish Ministër i Jashtëm i Tunizisë, i cili ka një përvojë akademike dhe njohje të thellë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të kulturës për paqen në hapësirën mesdhetare, në botën arabe, dhe jo vetëm. Për më tepër, ngritja e kësaj qendre synon ndërtimin e urave të komunikimit mes akdemikëve dhe përmes tyre mes shoqërive, në njohjen, edukimin dhe sendërtimin e “një kulture të paqes”. Ajo do të ndihmojë e do të nxisë gjithashtu, jo vetëm shkëmbimet universitare dhe akademike, por edhe do të forcojë marrëdhëniet mes dy popujve dhe dy vendeve, mes Shqipërisë dhe Kuvajtit. Falë këtij bashkëpunimi Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë do të mirëpresë personalitete të shquara të botës arabe, të cilët do të mbajnë leksione mbi Paqen, çështje të rëndësisë globale, bashkëpunimit të vendit tonë me shtetin e Kuvajtit, por edhe të gjithë botës arabe. Po kështu, edhe stafi akademik i UMSH dhe studentët e tij do të kenë mundësinë të vizitojnë dhe prekin nga afër traditat, kulturën dhe kontributin e shtetit të Kuvaitit për paqen në botë. Kurrikula për Paqen do të prezantohet dhe do të jetë pjesë e një Programi Master në Universitetin Mesdhetar i Shqipërisë dhe nën modulin “Të Drejtat e Njeriut dhe Kultura e Paqes”, do të jetë modul i detyrueshëm me 6 kredite. Ligjërata mbi kulturën dhe gjuhën arabe nga profesorë, diplomatë  dhe personalitete të shquara të vendeve arabe të specializuar në studimet arabe do të zhvillohen gjatë këtij viti akademik. Ish profesorë dhe studentë shqiptarë në vendet arabe do të takohen me profesorë dhe studentë të UMSH duke shkëmbyer eksperienca. Gjatë këtij viti do të përkthehet në gjuhën shqipe libri “Biografia dhe Arritjet Kulturore” të Kryetarit të Fondacionit Abdulaziz Saud Albabtain dhe promovimi i këtij libri në kampusin e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.

Gjatë këtij viti akademik do të ketë aktivitete që lidhen me shkëmbimin e botimeve, informacioneve, librave, hulumtimeve me Fondacionin Abdulaziz Saud Albabtain në vende të tjera të botës. Do të krijohen lidhje dhe shkëmbime eksperience, informacionesh, referenca me drejtuesit e tjerë të Fondacionit të Abdulaziz Saud Albabtain. Gjithashtu; do të organizohen dhe do të merret pjesë në aktivitete të përbashkëta në vendet përkatëse.  Ky Fondacion do të ndajë me grupet e interesit aktivitetin e tij një hapësirë të përshtatshme në web-in e Universitetit Mesdhetar të Shqipërise (https://www.umsh.edu.al/c/223/fondacioni-kulturor-abdulaziz-saud-albabtain) dhe do të përdorë rrjetet sociale dhe llogarinë zyrtare të UMSH për të shpërndarë aktivitetet dhe thirrjet e njësisë gjatë gjithë ekzistencës së tij. Njësia e Fondacionit do të organizojë ditën e Kulturës Arabe në UMSH, me të ftuar që kanë kontribuar në përhapjen në kulturës arabe. Ky bashkëpunim i ri e vendos Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë përkrah universiteteve me emër në botë, që janë bërë pjesë e qëllimit të këtij Fondacioni për paqen, si universitetet e Barcelonës, Kordobës, Granadës dhe Malagës në Spanjë, universitetet Roma 3 dhe Palermo të Italisë, Oksfod të Mbretërisë së Bashkuar, Qendrës Evropiane Ndër-Universitare për të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizimin (European Inter-University Centre for Human Rights and Democratisation), etj. Shumë liderë, intelektualë, institucione, organizata dhe shtete janë angazhuar në strategjinë për përhapjen e paqes në botë, duke u përfshirë seriozisht në projektin madhor të Fondacionit “Kultura e Paqes për sigurinë e brezave të ardhshëm”, të cilin z. Abdulaziz Saud Albabtain e prezantoi në dy sesione radhazi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 7 shtator 2017 dhe 5 shtator 2018. Një shoqëri në paqe nuk është një shoqëri pa dhunë dhe konflikte. Është shumë më tepër. Është edukimi dhe formimi i mendësisë së shëndoshë dhe të qendrueshëm të respektimit të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore të të gjithë personave, pavarësisht dallimeve që ata mund të kenë. Kjo është një përpjekje madhore, por e domosdoshme për të ndërtuar një shtrat zhvillimor dhe mjedis të shëndetshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Respektim i parimeve të drejtësisë, demokracisë, tolerancës, solidaritetit, bashkëpunimit, pluralizmit dhe diversitetit kulturor formohen dhe sendertohen veçanërisht nëpërmjet kulturës së paqës.  Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë nëpërmjet këtij bashkëpunimi dhe angazhimi do të kontribuojë në këtë mision të rëndësishëm shoqëror edhe akademik të përhapjes së kulturës, edukimit dhe dialogut për sigurinë e brezave të sotëm dhe të ardhshëm në Shqipëri.