Kuçovë , 77 vjet më parë, kur binin sirenat e grevës së naftëtarëve

833
Sigal

Më 11 shkurt 1936 nisi rebelimi i parë i punëtorëve të naftës kundër shoqërisë italiane AIPA

Shkurti i viti 1936, shënon në historinë e lëvizjes sindikaliste shqiptare revoltën e parë popullore, që mbahet mend si rebelimi i parë kundër shtypjes dhe shfrytëzimit të huaj. Të parët që u ngritën kundër shtypjes dhe shfrytëzimit të huaj ishin punëtorët e naftës në Kuçovë, numri i të cilëve arrinte në 680 vetë. Lëvizja sipas dëshmitarëve të kohës nisi në pjesën e sipërme të Kuçovës që mbante emrin “Borgo Çiano”. Kjo shërbeu edhe si epiqendra e kësaj lëvizje të madhe që në histori njihet si “Greva e Kuçovës”. Të etur nga thirrja e Duçes se :“Pa naftën, nuk ecën lufta”, përfaqësuesit italianë të shoqërisë  AIPA, shkelnin mbi djersën dhe gjakun e punëtorëve shqiptarë që punonin nga mëngjesi në mbrëmje vetëm për një copë bukë.

Përgatitjet

Punëtorët të organizuar në shoqërinë “Puna” me lëvizjet e tyre disa herë e kishin detyruar AIPA- n që të bënte lëshime në favor të tyre, por këto nuk mjaftonin për të plotësuar plotësisht kërkesat e tyre. Në kushte të një terrori psikologjik, nëpërmjet postulatit të Mbretit Zog se: “Mue s’më pëlqen, qoftë edhe dy shqiptarë të bashkuem”, punëtorët gjetën kurajon dhe guximin për t’u bashkuar në lëvizjen e madhe kundër shfrytëzuesve të huaj. Para kësaj greve historike, italianët, për të trembur sindikalistët, pushuan nga puna 50 punëtorët më aktivistë të shoqërisë “Puna”, duke u dhënë ultimatumin për arrestim. Në kushte të tilla komisioni drejtues i shoqërisë “Puna”, mori vendim që më 11 shkurt të zhvillohej greva e përgjithshme. Madje, mbledhja që përgatiti programin dhe platformën u zhvillua më 9 shkurt në fshatin Perondi. Vendimi ishte që greva të bëhej e përgjithshme në të gjithë sektorët e punës pa përjashtim. Sipas dëshmitarëve okularë, greva do të niste me të rënat e sirenës në fshatin Kozare, më 11 shkurt, 1 orë pasi të kishte nisur puna. Dhe kështu ka ndodhur. Me të dëgjuar sirenat, punëtorët ndërprenë punën dhe me flamurin e shoqërisë në dorë u nisën drejt Vidhave, tek sheshi, ku do të zhvillohej mbledhja. Xhandarët italianë nuk mundën të ndalnin ortekun e punëtorëve të revoltuar, ndaj kërkuan ndihmë dhe përforcime nga Prefekti i Beratit Qazim Bodinaku, për ta shtypur këtë lëvizje. Madje erdhën forca të shumta edhe nga Tirana në krye të të cilave ishte Ministri i Brendshëm i asaj kohe. Me gjithë këtë presion policor, punëtorët nuk u tërhoqën dhe mbushën sheshin me thirrjet: Duam të drejtat tona! Mos i prekni shokët tanë! Edhe përpjekjet e autoriteteve të larta të shtetit për të hyrë në bisedime me punëtorët dolën pa sukses.

Revolta

Greva u zhvillua me sukses ndërsa u arrestuan 18 punëtorë në ditën e parë, ndërkohë që në ditën e dytë numri i tyre arriti në 70 vetë. Greva vazhdoi 3 ditë dhe zjarri i saj, ndezi revoltën edhe pse disa nga organizatorët u larguan nëpër familjet e tyre. Pikërisht sot pas 77 vjetësh, në Kuçovë kjo ngjarje është përkujtuar nga ata pak dëshmitarë që kanë mbetur gjallë dhe nga familjarë të ish- punëtorëve të naftës në vitet 1930. Për të mbetur kjo një ngjarje e përjetshme ata kanë kërkuar nga autoritet e pushtetit vendor që në vendin ku u zhvillua kjo grevë të ngrihet një memorial.