Skrapar, Pollo: “Shqipëria e 2013-s është më e mirë se ajo e 2005-s”

631
Sigal

Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, njëkohësisht kryetari i grupit të punës së deputetëve të PD-së për Qarkun e Beratit, zoti Genc Pollo, i shoqëruar edhe nga deputeti i PD-së, z. Lefter Maliqi dhe Prefekti i Qarkut të Beratit, z. Bujar Hoxhaj, ka marrë pjesë në aktivitetin përkujtimor me rastin e 22-vjetorit të themelimit të degës së Partisë Demokratike në Skrapar. Gjatë fjalës së tij zoti Pollo tha: “Ne asnjëherë nuk kemi harruar që të shprehim kujtesën, falënderimin dhe mirënjohjen për ata që 22 vjet më parë guxuan, tentuan, realizuan dhe futën një frymë të re, të kohës, të duhur, në Skrapar. Përballuan presionet edhe kërcënimet, megjithatë i kthyen dinjitetin dhe respektin qytetarëve të Skraparit në mënyrë që gjithkush, i pandikuar dhe i patrysnuar nga regjimi i Partisë së Punës të mund të shprehej lirisht dhe mund të zgjidhte lirisht opsionin politik që preferonte”. “Shqipëria e 2013, – vijoi më tej Ministri Pollo, – jo vetëm që nuk krahasohet me atë të 2005, por është ku e ku më parë, më e zhvilluar dhe në shumë aspekte më mirë se ajo e 2009. Këtë e themi pavarësisht nga vështirësitë që kanë njohur vendet fqinje, që ka njohur Evropa, që ka njohur Bota. Tek ne nuk pati ulje të rrogave dhe pensioneve; përkundrazi, pati rritje të tyre;  tek ne nuk pati dhe aq shkurtime të investimeve publike; përkundrazi, tentuam të rruajmë një nivel në rritje apo qoftë edhe konstant.” “Prandaj ky 22-vjetor është edhe një thirrje, – tha më tej zoti Pollo, – një thirrje për të gjithë ne që të shikojmë përpara dhe të fokusohemi siç duhet në zgjedhjet e qershorit të këtij viti. Janë zgjedhje të rëndësishme për Shqipërinë, janë zgjedhje dhe shumë të rëndësishme dhe për Partinë Demokratike, sepse dikush mund të mendojë se dy mandate janë mjaftueshëm, sepse dy mandate ndoshta e konsumojnë qeverinë. Ne nuk na rezulton kështu. Por këtë nuk e themi sepse jemi anëtarë dhe drejtues të kësaj partie. Kjo rezulton edhe në opinionin e publikut shqiptar, edhe nga sondazhet e besueshme që kemi bërë dhe ku është e pazakonshme, krahasuar me vende të tjera,  që partia në pushtet prej 8 vjetësh të jetë disa pikë më përpara se partia në opozitë.” Në fund të fjalës së tij Ministri Pollo tha: “Por nuk është dobësia e Edi Ramës ajo që përbën kartën tonë fituese. Janë arritja dhe mbajtja e premtimeve që ka premtuar personalisht z. Sali Berisha është puna dhe arritja e të gjithëve ne si dhe programi ynë që do kemi për të ardhmen. Ne do t’i drejtohemi të gjithë banorëve të Skraparit, të gjithë banorëve të Shqipërisë që 23 Qershori, dita e zgjedhjeve, të jetë dita e çlirimit të Shqipërisë nga bllokimi që ka bërë Edi Rama dhe Partia Socialiste me bllokmenët dhe bllokmenet e kujtdoqoftë.”