“Ku shkuan ndihmat për 6 qendrat shëndetësore”

492
Tashmë është kthyer në normalitet jo vetëm vjedhja e fondeve të ardhura nga qeveria, por edhe ato që vijnë madje edhe fizikisht nga donatorë të huaj, nga shoqata dhe fondacione. Një rast flagrant mbetet edhe ai që ka ndodhur me një fondacion gjerman, i cili kishte ardhur në prill të 2015 në qarkun e Elbasanit dhe kishte piketuar për të ndihmuar me pajisje mjekësore 6 qendra shëndetësore në fshatrat Klos, Mollas, Seferan, Gostimë, si dhe në zonën e Belshit. Fondacioni gjerman kishte sjellë afro 4 kamionë 20 tonësh me pajisje mjekësore duke nisur nga krevatet, dyshekët, e duke përfunduar tek laboratorët, medikamentet, stetoskopët e mjekëve, madje edhe gjërat më elementare të mjekimit dhe inxheksioneve. Pavarësisht se kanë gjetur një situatë skandaloze të cilën nuk e prisnin, anëtarët e fondacionit gjerman, për afro 10 ditë janë marrë edhe me pastrimin, duke veshur çizmet e llastikut dhe duke hequr zhulin e 6 qendrave shëndetësore të cilat varen nga Ministria e Shëndetësisë. Banorët e 6 fshatrave ishin gëzuar dhe kishin shpresuar se situata do të ndryshonte me ardhjen e ndihmave nga ky fondacion gjerman. Për afro 10 ditë anëtarët e fondacionit gjerman, ishin miq në banesat e fshatarëve të atyre zonave. Por ishin gabuar.

 Brenda 2-3 muajve, janë marrë krevatet, dollapët, tavolinat, pajisjet dhe gjithçka tjetër, duke i rikthyer ambientet e rehabilituara nga gjermanët, në origjinë. Ditën e parë banorët kishin kujtuar se bëhej fjalë për ndonjë transferim të shërbimit mjekësor, por pastaj situata ishte sqaruar, pajisjet ishin vjedhur. Banorët e atyre zonave e shijuan vetëm pak ditë “luksin” e ndonjë vizite dhe ndonjë mjekimi në ambientet e reja, pasi ata sërish i janë drejtuar Elbasanit për vizitat mjekësore, inxheksionet dhe mjekimet e rënda. Sipas tyre “edhe pse gjermanët na porositën dhe na premtuan se do të vijnë sërish për të sjellë ndihma mjekësore, duket se ajo që ndodhi tek ne, u ka vajtur si lajm i keq, dhe koordinatori ynë ka humbur madje edhe lidhjet me ata, ishin jo pak por afro 75 mijë euro, të përkthyera në pajisje dhe ndihma të shumta mjekësore, por që u vodhën nga duar të padukshme të cilat kanë vjedhur e grabitur edhe para shumë vitesh ambulancat dhe qendrat tona shëndetësore”.

 Banorët e zonave ku gjenden 6 qendrat shëndetësore bëjnë apel tek organet policore dhe hetimore të nisin punën për zbulimin e autorëve me kollare të kësaj vjedhje të turpshme, e cila ka prishur imazhin e vendit. Kjo sipas tyre nuk është hera e parë, pasi edhe në vitin 1996, një fondacion belg, kishte sjellë ndihma të shumta mjekësore, por edhe ato e patën jetën e shkurtër. Ndihmat e pajisjet e fondacioneve dhe donatorëve të huaj, pothuajse në të gjitha rastet kanë mbushur klinikat private të mjekëve të spitaleve , duke lënë për turp pavijonet dhe dhomat e shërbimit mjekësor në ambulanca dhe qendra shëndetësore. Në shkallë qarku Elbasani ka sot mbi 94 qendra shëndetësore totalisht jashtë funksionimit, duke detyruar mijëra banorë të Librazhdit ti drejtohen Maqedonisë, apo mijëra të tjerë në zonat e tjera ti drejtohen Elbasanit apo Tiranës. Rilindja e shëndetësisë në këto zona, mbetet vjedhja edhe e ndihmave të ardhura nga fondacionet e huaja, si shenjë e “normalitetit” të shtetit, dhe mungesës së zbatimit të ligjit.
Sigal