Kreu i ILD,Artur Metani mori pjesë në takimin e katërt të përbashkët të institucioneve të drejtësisë, ku u shpreh se: Kjo mbledhje e përbashkët vjen në një moment të rëndësishëm, i cili kërkon më shumë se reflektim, kërkon qartësi në qëndrime, koordinim real dhe vendimmarrje konkrete. Sfida që kemi sot përpara dhe jo vetëm në lidhje me tematikën e sotme, e cila ka të bëjë me vlerësimin etik dhe profesional të magjistratëve, por edhe shumë çështje të tjera në lidhje me organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, nuk është më vetëm identifikimi i problematikave, pasi ato janë tashmë të njohura, por aftësia jonë për t’i adresuar ato në mënyrë të qëndrueshme, me përgjegjësi institucionale dhe me rezultate sa më të shpejta dhe konkrete. Procesi i vlerësimit etik dhe profesional të magjistratëve është një mekanizëm që funksionon vetëm nëse hallkat e tij janë të sinkronizuara. Çdo paqartësi në role, apo çdo vonesë në bashkëpunim prodhon efekte zinxhir në të gjithë pushtetin gjyqësor. Është koha që bashkëpunimi ndërinstitucional të mos mbështet mbi një qasje formale, por të kthehet në një mekanizëm funksional, të matshëm dhe të orientuar drejt rezultateve.Roli i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është i lidhur ngushtë me garantimin e integritetit dhe forcimin e llogaridhënies në pushtetin gjyqësor. Por duhet të jemi të qartë se kjo nuk është përgjegjësi e një institucioni të vetëm. Ai varet nga aftësia jonë për të vepruar si një sistem i koordinuar, ku çdo institucion kontribuon në mënyrë të matshme dhe në kohë, si dhe ku secili institucion luan rolin e tij kushtetues dhe ligjor. Në këtë kuadër vlen të theksohet se harmonizimi i standardeve ndërmjet KLP dhe KLGJ, ILD apo Prokurorit të Përgjithshëm është një domosdoshmëri. Një sistem me standarde të ndryshme nuk mund të prodhojë një proces të barabartë dhe as besim publik. Kjo qasje nuk kërkon vetëm vullnet të mirë, por kërkon veprim real. Ky takim sotëm duhet të shërbejë pikërisht qëllim, duke kaluar nga analiza në veprim; nga identifikimi i problematikave në zbatimin e zgjidhjeve; si dhe nga pritshmëritë në rezultate konkrete.






















