Kryepiskopi Anastasi rezistencë ndaj pandemisë (COVID-19)

41

Vëllezërit dhe motrat e mi të shtrenjtë,

Në këtë kohë, të gjithë jemi zënë në befasi, njësoj sikur të jetë shpallur një Luftë Botërore e re nga një armik i padukshëm.

Të gjithë, po qëndrojmë të pavendosur para ndryshimeve të paparashikueshme, që kjo pandemi (COVID-19) e paparë ndonjëherë ka sjellë në jetën e të pasurve dhe të varfërve, të njerëzve të shkolluar dhe të thjeshtë, në shëndetin e tyre, në ekonomi, në lëvizjen e njerëzve, në format e argëtimit, në mënyrën se si festojmë.  

Është detyra jonë që të shmangim panikun, depresionin dhe dëshpërimin. Nga ne kërkohet gjakftohtësi, kthjelltësi, vëmendje dhe bindje e shtuar ndaj udhëzimeve të Qeverisë dhe të strukturave të shëndetësisë. Duhet të falënderojmë përzemërsisht të gjithë ata që përkujdesen për pastërtinë, rendin publik, informimin dhe mbi të gjitha mjekët dhe infiermierët, të cilët ndodhen në linjën e parë të luftës për shërimin e të sëmurëve.

Duke qëndruar brenda në shtëpi, le të mos lejojmë të na pushtojë nervozizmi dhe grindjet, por le të kultivojmë kreativitetin, predispozitën paqësore, mirësinë, mirëkuptimin, dhembshurinë dhe dashurinë.

Sa jemi besimtarë, le ta intensifikojmë lutjen tonë, që kjo periudhë sprove të mos zgjatë më tej, që të shërohen të sëmurët rëndë e të ndalet përhapja e mëtejshme e pandemisë (COVID-19). Dhe, për më tepër, që Perëndia të ndriçojë grupet e shkencëtarëve dhe të gjendet sa më shpejt trajtimi parandalues dhe shërues ndaj këtij virusi.

Mbi të gjitha, kemi nevojë urgjente që të forcojmë besimin tonë te Perëndia. Besimi dhe dashuria janë armët më të fuqishme mbrojtëse edhe ndaj sulmit të këtij virusi të padukshëm që po kërcënon njerëzimin. Në fund fare, diçka e mirë ka për të dalë edhe nga kjo krizë dhe shpresojmë që shoqëria njerëzore t’i rishikojë vlerat dhe përparësitë e saj.

Pra, vëllezër e motra, le t’i themi Jo tronditjes dhe shqetësimit! Le të kemi më tepër guxim e fuqi për ta përballuar me dinjitet këtë sprovë, le të tregojmë më shumë bindje ndaj udhëzimeve dhe mbi të gjitha, le të kemi solidaritet të sinqertë. Paqja dhe shpresa e Perëndisë le të fuqizojnë durimin dhe rezistencën tonë dhe le t’i drejtojnë vendimet që duhet të marrim në zgjedhjet dhe ndryshimet që tashmë janë bërë të detyrueshme në jetën tonë.

Kryepiskopi Anastasi Rezistence ndaj Pandemise (COVID-19) 20.03.2020

Kryepiskopi Anastas Rezistencë ndaj Pandemisë (COVID-19) 20.03.2020

Gepostet von Radio "Ngjallja" am Samstag, 21. März 2020