Kristaqi, mësuesi i mësonjëtores së Korçës, pinjoll i fisit lekëljot “Vaja”

1315
Sigal

Miltiadh M. Muçi       

Përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për të futur gjuhën shqipe në shkollat e huaja në Shqipëri, nuk dhanë rezultatin e pritur. Prandaj, vendosën t’i shtonin kërkesat në drejtim të Portës së Lartë për hapjen e shkollave shqipe. Atdhetarët e Korçës dhe të Bukureshtit morën përsipër të sigurojnë pajisjet, librat, lokalin, kurse vëllezërit Frashëri, Samiu dhe Naimi, i paraqitën kërkesa të reja qeverisë osmane, për lejimin dhe hapjen e shkollës në gjuhën shqipe. Pas përpjekjeve këmbëngulëse dy vjeçare arritën të merrnin lejen në emër të Pandeli Sotirit, për hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë. Hapja e shkollës ishte ngjarja më e madhe për lëvizjen kombëtare, qendra me rëndësi për formimin kulturor dhe ngritjen e ndërgjegjes së popullit. Ajo e nxiti edukimin patriotik të brezit të ri, tërhoqi interesimin dhe admirimin e shumtë të shqiptarëve. Mësonjëtorja e Korçës ishte fillore, me karakter laik ku të gjithë mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Në ditën e parë të shkollës u regjistruan 35 nxënës, ndërsa muaj më pas ata u shtuan dhe në vitin e dytë arritën ta ndjekin mbi 200 fëmijë. Shkolla filloi më 7 Mars 1887, me drejtorin e parë Pandeli Sotirin. Si mësues punuan: Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi etj. Midis tyre lekëljoti Kristaq ose Kristo Vaja. Emri i Kristo Vajës i ka fillimet para viteve ’60, të shek. XIX, që lidhet me shkrimet e rilindësit lekëljot Anastas Byku, mësuesi dhe publicistit që botoi gazetën “Pellazgët”. Kristua i parë, kushëri i vëllezërve Vaja, Thanasit e Llukës, pasohet nga Kristo Vaja i Ri. Në vitet 70-’80, të fundshekullit XIX, emri i tij bëhet edhe më i njohur, si një nga figurat më të rëndësishme të arsimit kombëtar. Më 7 mars 1887, Pandeli Sotiri nga Selcka e Gjirokastrës, edhe pse vazhdoi studimet e larta për mjekësi, bëhet drejtuesi i parë i Mësonjëtores së Korçës. Pranë tij ndodheshin atdhetarët e tjerë: Jovan Kosturi, Orhan Pojani e Thimi Marko.

Në vitin e dytë të Mësonjëtores, drejtor erdhi Thanas Sina dhe mësues vëllai i Pandeli Sotirit, Kosta Sotiri e Thoma Avrami. Kurse në vitin e tretë shkollor, në vitet 1889-1890, drejtimin e mori patrioti Petro Nini Luarasi, bashkë me një nga mësuesit që ishte lekëljoti Kristaq Vaja. Në vitin 1890, emri i Kristaq J. Vajës ndodhet në letërkëmbimin e bamirësit Kostandin Zhapa, që ju dërgon lekëljotëve me banim dhe punë në qytetin e Vlorës, të fiseve Llukani, Bezhani, Gjikondi, Kuri e Vangjeli. Për veprimtarinë në fushën e arsimit të Kristaq Vajës, edhe më shumë mësojmë për pas viteve ’20 të shek. XX, në Hoçisht të Korçës. “Një tjetër predikues i ndjenjave kombëtare ishte dhe mjeku i padiplomuar, xha Vaja nga Lekli i Tepelenës. I ndodhur në ambiente provokuese të Athinës, braktisi studimet dhe erdhi të vendosej në Hoçisht, ku krahas veprimtarisë patriotike dha ndihmë të madhe si mjek, ai punoi kolektor pullash. Me shtimin e numrit të nxënësve u shtua trupa mësimore. Në vitin shkollor ’27-’28, erdhi si kryemësues Fondo Burnazi dhe në 1928-n Toli Xhakollari, shoku i ngushtë i Spiro Ballkamenit, i cili shërbeu si kryemësues, deri në fund të jetës së tij. Ky së bashku me Kristo Vajën, Petro Terpinin …, Eftimi Vasil Kallçon etj., dhanë një kontribut të madh për përhapjen e arsimit në fshat”. I vetmuar dhe pa familje, Kristaq Vaja vdes në fshatin Hoçisht, në vitin 1940, në moshën 85 vjeç. Prandaj, nostalgjia për patriotë të tillë lekëljotë më shtohet, sa herë që i kujtoj. Më 7 mars të 2017-ës, për 130-vjetorin e Mësonjëtores, midis 35 patriotëve të tjerë të Arsimit Kombëtar, Këshilli i Qarkut të Korçës e ka vlerësuar Kriston me medaljen “Emblema e Qytetit”. Nga gjymtimet që vazhdoj të bëj për Leklin e lekëljotët, në veçanti për figurat më në zë të tij, por të lëna në haresë, deri më tani më ka rezultuar se ky rilindës është nipi i personalitetit të Pashallëkut të Janinës, Thanas Vajës, pikërisht djali i Janit që Thanasi me interesimin dhe kujdesin e Kryetarit të Parë të Shtetit Grek, Kapodistrës, e dërgoi dhe i përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Piza të Italisë. Por më pas kthehet në Greqi, ku merret me studime të gjuhës dhe boton fjalorin shqip-greqisht-latinisht me 2000 fjalë, që ndodhet në Arkivin e Shtetit. Gjatë revolucionit grek që çoi në pavarësinë e Greqisë, mori pjesë në disa nga konfliktet e mëdha, të tilla edhe në rrethimin e dytë të Missolongjit të vitit 1823, nën drejtimin e Kiço Xhavellës. Gjithashtu luftoi në Betejën e Domvenës dhe Araçovës. Në vitit 1826, në drejtimin e përgjithshëm të Jorgo Karaiskakit, ku Vaja bashkë me liderin revolucionar Gardhikiotis Grivas, komanduan forcën prej 500 luftëtarësh dhe arritën të asgjësonin një njësi pushtuese prej 1500 osmanë. Veprimtaria e tij ishte e fokusuar në Greqinë Qendrore, pra pjesa Perëndimore e Peloponezit dhe Hellas, në vitet 1825-1926. Në vitin 1825 u gradua gjeneral i ushtrisë revolucionare greke. Ja perse mbetem nostalgjik për kontributet e lekëljotëve të mij në përgjithësi dhe të fisit “Vaja” në veçanti.