Krimi në zonat minoritare, konsulli grek takon titullarët e policisë

506
Sigal

SARANDË/Takimi u zhvillua me drejtuesit e Komisariatit të Policisë së Delvinës. Diplomatit iu konfirmua forcimi i rendit e qetësisë

Vdekja e një të keqtrajtuari gjatë grabitjes në banesën e tij në fshatin Velahovë të Komunës Mesopotam, masakrimi i bashkëshortes së tij në të njëjtën ditë dhe dhunimi i një të moshuarve ditën e varrimit të viktimës në fshatin Rumanxa të Komunës Dhivër, ka bërë që ditën e djeshme, konsulli grek në Gjirokastër, z. Kotrokoi, të udhëtojë drejt Delvinës dhe Sarandës. “Ishte kjo situatë e rënduar në këtë zonë, rastet e grabitjeve të dhunshme deri me viktima dhe pakënaqësia e banorëve për sigurinë e jetës duke nxjerrë si alternativë vetëmbrojtjen me armë gjahu, ishte shkak i kësaj vizite të diplomatit grek”,- konfirmojnë burimet për “Telegraf”. Burimet zyrtare shtojnë se, në këtë vizitë, diplomati fqinj nuk ka takuar as vendorët dhe përfaqësuesit e forcave politike, por vetëm drejtuesit e policisë së Delvinës, zonë ku janë evidentuar rastet e fundit.

VIZITA E DIPLOMATIT

Rreth orës 10:00 të ditës së djeshme, konsulli grek z. Kotrokoi është futur në Komisariatin e Policisë së Delvinës, ku ka zhvilluar një takim me titullarët e tij. Ky takim është zhvilluar pa praninë e medias. Sipas burimeve nga të “Telegraf” pranë Konsullatës Greke të Gjirokastrës, mësohet se, “konsulli në takim me krerët kryesorë të këtij institucioni, ka kërkuar edhe në emër të palës greke, intensifikimin e punës për zbulimin e autorëve të krijimit të kësaj situate shqetësuese, dhe ç’do person tjetër të implikuar në të”. Sipas të njëjtit burim, “Kërkesa e konsullit grek në Gjirokastër, për kthimin në normalitet të situatës së krijuar në zonat minoritare, kanë marrë garanci nga titullarët policor të Delvinës, dhe se shumë shpejt kërkimet e tyre policore do të çojnë para ligjit shkaktarët e kësaj gjendjeje dhe autorët e vërtetë të ngjarjeve të grabitjes dhe dhunës”. Në takim u theksua se, kjo do të vijë edhe pas një bashkëpunimi të dy sektorëve kriminalë policorë të komisariateve Delvinë e Sarandë, jo vetëm rikthimi i sigurisë dhe rendit publik në minoritet, por edhe arrestimin e autorëve.

SITUATA

 Pas takimit me krerët e policisë së Delvinës, ka qëndruar në Sarandë ku ka pirë një kafe me bashkëpunëtorët e tij dhe është larguar për në Gjirokastër. Ndërkohë, policia e Sarandës po bën përpjekje për kapjen dhe ndëshkimin e autorëve të dy krimeve të fundit në Delvinë. Po dje, policia e Qarkut të Vlorës ka njoftuar se, ka arrestuar një nga të dyshuarit. “Nga strukturat kundër Krimeve të Rënda në Komisariatin e Policisë të Sarandës është bërë arrestimi për vjedhje me dhunë i shtetasit Faslli Flamur Kaso, 35 vjeç,banues në Navaricë të komunës Dhivër, pasi dyshohet se në orët e para të mëngjesit të së hënës ka shkuar në banesën e 77 vjeçares P.Q., nga fshati Rumanxa i kësaj komune  dhe pasi ka përdorur dhunë ka grabitur një sasi parash dhe një aparat fotografik”,- thuhet në njoftimin e policisë.