Rritet 25% çmimi i druve të zjarrit, banorët ngrohen nën batanije e jorganë

855
Sigal

Librazhd/ Nga 2300-2500 lekë që shitej vitin e kaluar, një metër kub sot shitet 3000 deri 3200 lekë 

Ulja e temperaturave dhe afrimi i stinës së dimrit ka rritur ndjeshëm çmimin e druve në qytetin Librazhdit, ndërkohë që, niveli i ulët i të ardhurave që kanë familjet, i ka privuar ato që të ngrohen me rrymë elektrike. Burime për “Telegraf” pohojnë se, një metër kub dru zjarri, kushton 500 deri në 700 lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Në këto kushte, pjesa më e madhe e banorëve janë të detyruar që në mungesë të ngrohjes, të mbulohen me batanije e jorganë jo vetëm gjatë natës, por dhe shumë orë të ditës kur ata gjenden në banesa.

RRITJA E ÇMIMIT

Rritjen e çmimit të druve të zjarrit këtë fillim dimri e konfirmojnë për gazetën si qytetarët, ashtu dhe tregtarët e këtij malli. Sipas tyre, nga 2300-2500 lekë që ishte një metër kub dru vitin e kaluar, sivjet shitet nga 3000 deri në 3200 lekë. Tregtarët e druve të zjarrit shpjegojnë dhe arsyet e rritjes së çmimit. “Rritja e çmimit të druve të zjarrit nuk varet nga ne. Ne jemi të detyruar që për shkak të largësisë, ku e marrim mallin, kostos reale të prodhimit e transportit, ta rrisim çmimin”,- pohon për “Telegraf” Kujtim Alliu nga Hotolishti i Librazhdit. Por ka dhe shkaqe të tjera që kanë çuar në rritjen e çmimit të druve të zjarrit, që e cila ka çuar në një kosto të papërballueshme nga qytetarët. Ndër ‘to renditen edhe kërkesat e shumta nga rrethet në thellësi të vendit, ulja e ndjeshme e sipërfaqes aktuale për shfrytëzim si pasojë e masakrës shumëvjeçare që është bërë mbi masivet pyjore të këtij rrethi. Ndërsa përfshirja e zonës Shepebik-Jabllanicë në statusin “Zonë e Mbrojtur”, ka minimizuar mundësinë e abuzimit për lëndë drusore në një pjesë të konsiderueshme masivi pyjor në këtë rreth.

BANORËT

Edhe pse çmimi i lëndës së drurit është rritur me 25% e më shumë, klientë të rregullt në pikat e tregtimit janë institucionet shtetërore, veçanërisht shkollat e këtij rrethi. Mësohet se të gjitha shkollat e Librazhdit e kanë siguruar ngrohjen me dru zjarri. E vështirë vazhdon të jetë situata për pjesën më të madhe të familjeve. Burime për “Telegraf” konfirmojnë se, janë 80% e familjeve në shkallë rrethi që ngrohjen e sigurojnë me dru zjarri. Por rritja e çmimit, të ardhurat e pakta që ata sigurojnë, dërgimi përherë e më pak para nga fëmijët e të afërmit në emigrim, i kanë detyruar ata që të përballen me të ftohtin e njohur të kësaj zone. “Unë jam vetë i tetë në familje e nuk mund të blejmë dru zjarri pasi janë shumë shtrenjtë. Edhe korrentin nuk kemi me çfarë ta paguajmë. E mbajmë zjarrin ndezur dy apo tre orë në ditë, aq sa për të gatuar. Kohën tjetër rrimë të mbuluar me batanije e jorgan”,- pohon 68-vjeçari N. Abazaj nga Librazhdi. Mësohet gjithashtu se, e njëjta situatë është dhe në qytetin  Përrenjasit.