Krimi makabër në Fier, i jepet lamtumira e fundit Irvana Hykës dhe bashkëshortit të saj

245
Sigal

Përcillen këtë të premte për në banesën e fundit Irvana Hyka, 28-vjeçarja e ekzekutuar me 31 thika nga bashkëshorti i saj, dhe autori i ngjarjes, Demokrat Medinaj, 30 vjeç, i gjetur pa shenja jete një ditë pas ngjarjes në fushën e mbetjeve.

Ngjarja makabre shokoi mbarë opinionin publik, ndërsa edhe më tmerrshëm këtë krim e bëri fakti që 28-vjeçarja në momentin e vrasjes ishte në javën e gjashtë të shtatzënisë dhe nënë e dy fëmijëve të mitur.

Ngjarja ndodhi në shtëpinë e familjes Medinaj, në lagjen “Sheq i Madh”, në Fier, pasditen e së mërkurës, kur në banesë ndodheshin edhe pjesëtarë të tjerë të familjes dhe dy fëmijët e mitur të çiftit.

Menjëherë pas kryerjes së krimit makabër, 30-vjeçari Medinaj u largua nga banesa dhe u shpall në kërkim nga policia.

Megjithë postblloqet e shumtë ngritur në të gjithë qytetin, ai ishte fshehur fare pranë, në fushën e mbetjeve, aty ku u gjet i vdekur, pa shenja dhune e në mënyrë të mistershme paraditen e së enjtes.

Motivet e krimit të rëndë ende nuk dihen, ndërsa familjarë të 28-vjeçares një ditë më parë u shprehën se çifti nuk kishte probleme dhe se autori i ngjarjes ishte i shëndetshëm mendërisht.