Kreu i Policisë, Gledis Nano: Në fokus lufta kundër krimit të organizuar

185
Sigal

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka takuar Tom Dowdall CBE, zëvendësdrejtor i Departamentit Ndërkombëtar, Komanda e Inteligjencës, Agjencia Kombëtare kundër Krimit – NCA Britanike dhe delegacionin që e shoqëronte.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ambasadori britanik, Alastair King-Smith, drejtues të tjerë rajonalë të NCA-së dhe Oficeri Ndërlidhës i NCA-së në Tiranë.

Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me NCA-në, ndërsa vuri në dukje faktin se tashmë ka ardhur koha që ky bashkëpunim të kalojë në një tjetër nivel, duke u fokusuar jo vetëm në shkëmbimin e informacionit, por edhe në organizimin e operacioneve të përbashkëta policore për goditjen e individëve apo grupeve të krimit të organizuar në fushën e luftës kundër drogës, kontrabandimit të personave apo edhe në drejtim të pastrimit të parave, identifikimit dhe sekuestrimit të aseteve që burojnë nga aktiviteti kriminal.Në përfundim të takimit, palët konfirmuan edhe një herë rëndësinë e forcimit dhe kalimit në një tjetër nivel të bashkëpunimit ndërmjet strukturave policore respektive, në luftën kundër krimit të organizuar, në interes të forcimit të sigurisë së qytetarëve të të dy vendeve.