Korça tronditet, Olta krihet!

723
Sigal

Korça u trondit sot rreth orës 16.20 minuta nga një tërmet afro 5 ballë, duke krijuar panik dhe pasiguri në radhët e qytetarëve të këtij qyteti por edhe të zonave përreth si Pogradeci, Kolonja, Devolli, Maliqi, Përmeti, Skrapari. Librazhdi etj. Ky tërmet dhe të tjera që priten në orët në vazhdim janë pjesë e lëkundjeve që kanë muaj që kanë prekur Greqinë dhe qytetet në kufirin shqiptaro – grek. Edhe pse ministria Olta Xhaçka deklaroi se qytetarët duhet të jenë të qetë, pasi këto janë llafe pazari, e vërteta nuk vonoi dhe vetëm disa orë pas komunikatës së Oltës, mijëra banorë të Korçës dhe zonave përreth dolën të tromaksur në rrugët e qytetit dhe fushat e Maliqit e Boboshticës. Tërmetet e fundit që kanë prekur Greqinë dhe zonën kufitare të shtetit fqinj me Shqipërinë nga Selaniku deri në Konispol, kanë bërë që shteti helen të marrë masa të jashtëzakonshme duke rritur nivelin e gatishmërisë në spitale, në zonat e populluara, në shërbimet e zjarrfikëseve, ato të sistemit të kontrollit të gazit dhe bombulave etj. Madje ishin mediat ndërkombëtare që, duke parë ritmin e këtyre tërmeteve paralajmëronin edhe zonat përreth Shqipërisë që të merrnin masa të menjëhershme gatishmërie nëpërmjet emergjencave dhe shërbimeve të tjera të urgjencave shëndetësore, zjarrfikëseve etj. Ky paralajmërim i mediave prestigjioze evropiane u bë publik dy ditë më parë edhe nga këshilltari për sigurinë i Presidentit të Republikës Ilir Meta, por që çuditërisht nga kampi rilindas nisi një sulm i orientuar qëllimisht kundër Kreut të Shtetit. Kjo marrëzi arriti deri aty sa ministrja e Mbrojtjes, përgjegjëse për emergjencat në vend të raportimeve të përgjegjshme, bënte deklarata “alla Sude”, duke treguar se ky institucion nuk i trembej tërmeteve, se gjithçka është thashethemnajë, se ka folur me specialistët, ku ndonjëri prej tyre fliste sikur të ishte kreditor i “Gjallicës”. Edhe pse ka muaj të tërë që fshatrat e Korçës u harruan dhe shtëpitë e tyre janë pa çati dhe pa mure, duke të kujtuar stanet e bagëtive, kjo nuk e preokuponte ministre Xhaçkën. Në vend të përgjegjshmërisë dhe nisjes së ekipeve të emergjencës në zonat përreth Korçës, ku edhe vetë Olta duhej të ishte në krye, pavarësisht se si vendpushimi mund të kishte edhe shtëpinë e pritjes, ajo zgjodhi mendjelehtësinë duke iu bashkuar grupit të “Ali Babës”. Madje ky grup në vend të detyrimit publik për marrjen e masave, merrej me faktin se përse Presidenca e Republikës shqetësohej për qytetarët dhe pasojat që mund t’u vinin njerëzve të thjeshtë nga këto fatkeqësi. Por Olta me shokë e shoqe harroi të kuptonte, se detyrimi për parandalimin e pasojave njerëzore është shumë më i rëndësishëm se sa qejfet e ndërrimit të datave për “Ditën e Verës”. Ky qëndrim i Oltës tregoi edhe njëherë indiferencën totale të “rilindasve” dhe ish-deputetes së Korçës për banorët që dikur e votuan si përfaqësuese të saj. Por qytetarët edhe kësaj radhe duhet t’i dalin zot vetes pa shpresuar nga “sudet e rilindjes” dhe duke i qëndruar pranë njëri tjetrit, dhe shpresën e madhe tek zoti pa harruar vargjet e famshme të Naim Frashërit:

Abas Aliu zu’ Tomorrë,
Erdhi afër nesh,
Shqipërija s’mbet e gjorë,
Se Zoti e desh.

Nga: Engjëll Musai