Ashtu si me Durrësin dhe Kavajën,Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, nuk ka mundur të zgjidhë problemin e votuesve fiktiv dhe në Bashkinë e Vorës. Komisioni nuk mori vendim mbi kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, për ç’regjistrimin e 600 votuesve fiktiv, duke ja lënë këtë proçes në dorë Prokurorisë.
Tiranë- Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk i ka dhënë zgjidhje dhe listës me 600 votues në Bashkinë e Vorës, të pretenduar nga Lëvizja Socialiste për Integrim si të trafikuar për arsye elektorale.
Komisioni nuk mori vendim mbi kërkesën e LSI-së, për ç’regjistrimin e tyre, por vendosi të presë dhe raportin e auditit të Drejtorisë së Gjendjes Civile, për t’ia referuar çështjen dhe Prokurorisë, ndonëse tashme kjo dosje po hetohet nga organi i akuzës.
Luzi: “Edhe një mbledhje tjetër kur të na vijë informacioni, ta shpërndajmë te Drejtoritë e Gjendjes Civile”.
Demokratët, në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, ndonëse janë pro hetimit, Vorën nuk e kanë parë si rast paralel me Durrësin dhe Kvajën, pasi sipas tyre trendi i zhvendosjes së votuesve është në nivele normale.
Kosovrasti: “Në vlerësimin tim një lëvizje për 56 votuesish është gjë normale, kur një gjë e tillë ndodh në të gjitha Bashkitë, besoj se është nën mesataren e rajonit. Nuk shoh asnjë shqetësim, megjithatë përsëri edhe 56 po të kenë lëvizur në mënyrë të jashtëligjshme ne duhet të ndalemi dhe ta shikojmë problemin”.
Zguri: “Kryetari i Vorës ka katër vjet mandat dhe shifrat mund ti kishin marrë të katër vjetëve dhe sigurisht shifra do të ishte më e madhe dhe sugjestioni në opinion do të ishte dhe më i madh. Kanë marrë dy vjet, e kanë parë kaq të arsyeshme. Por a mund të më thonë, ne këtu diskutojmë për përfitim elektoral, si mundet të më japin shifra të para dy vjetëve se kryetari i Bashkisë po përfitoka në garën e tij elektorale. Dy vjet përpara, kur ai ka 40 ditë që ka dalë për të garuar”.
Madje ata hedhin dyshime mbi pretendimin e listës fiktive, duke theksuar se ketë nuk e fakton asnjë dokument zyrtar.
Osmanaj: “E pyeta zotërinë ku i ke marrë, në çfarë institucioni shtetëror, këto deklarata nuk mund të merren kudo, ku i ka marrë. Këto një subjekt zgjedhor nuk mund ti gjejë në asnjë vend”.
I vetedishëm se nuk mund ti pengojnë personat të votojnë më 21 qershor, anëtari socialist në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, Denar Biba, rezervoi këtë thirrje publike.
Biba: “Unë do t’ju kërkoja personalisht këtyre njerëzve të transferuar kundër vullnetit të tyre të bëjnë një akt patriotik dhe të mos shkojnë të votojnë ditën e zgjedhjeve”.