Konventat ndërkombëtare dhe kuadri ligjor i liqenit të Shkodrës

1295
Konventa e Helsinkit
Objektivat kryesorë të Konventës së Helsinkit për ujërat ndërkufitarë janë masat që shtetet duhet të marrin për të kontrolluar, parandaluar dhe ulur çdo lloj ndikimi ndërkufitar. Duke pasur parasysh karakterin ndërkufitar të ujërave dhe faktin që ndotja e shkaktuar në një anë të Liqenit të Shkodrës mund të ketë një ndikim në të gjithë zonën e liqenit, fokusi i konventës është mbrojtja nga burimet pikësore të ndotjes. Nga shtetet përkatëse kërkohet gjithashtu sigurimi i ruajtjes dhe restaurimit të ekosistemeve. Ujërat ndërkufitarë duhet të përdoren duke pasur si qëllim menaxhimin ekologjik dhe racional të ujit, mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e burimeve ujore. Sipas Konventës së Helsinkit, në të gjitha aktivitetet e ndërmarra në njërën anë të liqenit, duhet konsideruar ndikimi i tyre ndërkufitar. Në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e ujërave dhe mjedisit në Artikullin 3-të të konventës jepen parimet kryesore ku vendet duhet të referohen për çdo çështje
Konventa e Bazelit
Konventa e Bazelit ka si fokus kryesor menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme dhe mbetje të përcaktuara si “mbetje të tjera”. Prandaj objektivi i konventës i referohet frenimit të lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe mbetjeve të tjera si dhe aplikimit të një sistemi rregullator për lëvizjet ndërkufitare të mbetjeve të lejuara. Në datë 29. 06. 1999 Shqipëria ka hyrë në konvetën e Baselit kurse Mali i Zi ka filluar proçesin e hyrjes në datë 23. 10. 2006.
Konventa e Bernës për ruajtjen e Florës dhe Faunës së egër dhe Mjedisit Natyror Europian
Konventa e Bernës është specifikuar si një instrument ligjor bazë për konservimin e natyrës. Aktualisht objektivat kryesorë të Konventës së Bernës janë ruajta e florës dhe faunës së egër dhe habitateve të tyre natyrore. Një rëndësi e veçantë i është dhënë ruajtjes së specieve dhe habitateve të rrezikuara , specieve të cenuara (këtu përfshihen dhe speciet shtegtare të kërcënuara me zhdukje), ruajtja e të cilave kërkon kooperimin e disa shteteve. Mbrojtja e specieve dhe habitateve janë dy nga faktorët kryesorë që theksohen në objektivat e Konventës. Gjithashtu prej vendeve anëtare kërkohet që një vëmendje e veçantë të tregohet për mbrojtjen e zonave të cilat kanë një rëndësi të madhe për speciet e përfshira në shtojcat II dhe III të konventës. Konventa përmend se palët kontraktuese duhet të angazhohen për të bashkërenduar sa të jetë e mundur përpjekjet e tyre për mbrojtjen e habitateve të veçanta natyrore që janë vendosur në zonat kufitare. Si Shqipëria, ashtu dhe Mali i Zi, janë anëtare të Konventës së Bernës.
Konventa ESPOO
Konventa për vlerësimin e ndikimit në mjedis në kontekst ndërkufitar (Konventa ESPOO) deklaron detyrimin e vendeve anëtare të bëjnë Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) të aktiviteteve të caktuara kur janë ende në fazën e projektimit. Shtetet duhet gjithashtu të konsultohen me njëri-tjetrin në rastet e projekteve të mëdha që mund të kenë një efekt mjedisor të pafavorshëm përtej kufijve. Siç kuptohet, objektivi kryesor i Konventës Espoo është detyrimi i shteteve anëtare të parandalojnë, kontrollojnë dhe zvogëlojnë efektin e dëmshëm mjedisor ndërkufitar të aktiviteteve të caktuara. Në Shtojcën I të Konventës gjenden aktivitetet e propozuara që kanë mundësi më të lartë për të shkaktuar një efekt të dëmshëm mjedisor ndërkufitar. Për aktivitetet e caktuara që priten të kenë një ndikim të dëmshëm ndërkufitar, çdo shtet duhet të vendosë procedurat e vlerësimit të ndikimit në mjedis, duke lejuar që pjesëmarrja e publikut të jetë pjesë e tyre dhe të përgatisë dokumentacionin përkatës. Shteti i origjinës së burimit të ndotjes duhet të pajisë shtetin e prekur me dokumentacionin e vlerësimit të ndikimit të mjedisit i cili nga pala e interesuar duhet t’u dorëzohet autoriteteve dhe publikut të zonës së ndikuar nga ky aktivitet, për t’u plotësuar me komentet e nevojshme për autoritetet përgjegjëse të vendit të origjinës. Kjo procedurë duhet të zbatohet para marrjes së çdo vendimi për aktivitetin e propozuar nga vendi i origjinës. Nëpërmjet Konventës ESPOO është zgjeruar bashkëpunimi ndërkombëtar në vlerësimin e ndikimit në mjedis veçanërisht në konteksin ndërkufitar. Shqipëria është anëtare e Konventës që në vitin 1991 dhe Mali i Zi e ka ratifikuar Konventën ESPOO në vitin 2009.
Konventa e Bonit
Qëllimi kryesor i Konventës për “Ruajtjen e Llojeve Shtegtarë të Botës së Egër”, e njohur si Konventa e Bonit, është të ndërgjegjësojë shtetet për rëndësinë e specieve shtegtare. Shtetet duhet të mundësojnë ruajtjen e specieve ujore, tokësore, shpendëve dhe t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë specieve me një status mbrojtës të pafavorshëm. Kjo mund të arrihet nëpërmjet bashkëpunimit dhe promovimit të punës kërkimore për speciet migratore. Për speciet migratore që janë në zhdukje të përfshira në Shtojcën I, shtetet anëtare duhet të përpiqen të sigurojnë mbrojtjen dhe duhet të arrijnë marrëveshje për menaxhimin dhe ruajtjen e specieve të caktuara në Shtojcën II. Në këtë shtojcë gjenden speciet që kanë një status ruajtjeje të pafavorshëm dhe për ruajtjen dhe menaxhimin e tyre ëshë e nevojshme nënshkrimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Të dy shtetet, Shqipëria dhe Mali i Zi janë anëtare të Konventës së Bonit.
Konventa e Aarhusit
Ndryshe nga Konventat e tjera, Konventa e Aarhusit “Për të drejtën e publikut për informacion, për pjesëmarrje në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar Gjykatës për çështje që lidhen me mjedisin” kërkon përfshirjen e publikut në një shkallë të lartë për çështjet mjedisore. Zbatimi i Konventës së Aarhusit në rastin e Liqenit të Shkodrës kërkon një angazhim të madh nga pala shqiptare dhe malazeze. Konventa ka qëllim t’i japë të drejtën çdo përsoni nga gjenerata e sotme ose e ardhshme të japё kontributin e tij “për të jetuar në një mjedis të përshtatshëm për shëndetin dhe mirëqёnien e tij ose tё saj”. Për këtë arsye ka një numër tё madh individёsh që kanë krijuar shoqata në lidhje me mjedisin. 
Statusi i Liqenit të Shkodrës në Shqipëri
Ligji shqiptar Nr. 683, datë 02. 11. 2005 shpall kompleksin e ligatinës së Liqenit të Shkodrës dhe Lumit të Bunës si “Zona të veçanta të mbrojtura”, që do të thotë që në këto zona mund të zhvillohen vetëm aktivitete tradicionale që ruajnë vlerat e mjedisit. Por një vizion më i qartë për aktivitet aktuale që mund të ndërmerren në këto zona në mënyrë që të mbrohen dhe vlerat natyrore jepet në Ligjin Nr. 9868 datë 04. 02. 2008, i cili është ndryshim dhe plotësim i Ligjit Nr. 8906 i vitit 2002 “Për Zonat e Mbrojtura”. 
Statusi i Liqenit të Shkodrës në Malin e Zi
Liqeni i Shkodrës është përfshirë në listën e “Parqeve Kombëtare” të Malit të Zi që në vitin 1983. Sipas legjislacionit shqiptar, një shkallë më e lartë mbrojtjeje kërkohet për parqet kombëtare, që futen në kategorinë e dytë të mbrojtjes. Për më tepër, parqet kombëtare të Malit të Zi janë futur në nivelin BNRNBN II (Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës dhe Burimeve Natyrore) 7 të sistemit të mbrojtjes. Duke konsideruar klasifikimin e zonave të mbrojtura edhe në shkallë ndërkombëtare (BNRNBN), vihet re që një shkallë më e lartë mbrojtjeje zbatohet në Liqenin e Shkodrës nga ana e Malit te Zi. Megjithëse në nivel ndërkombëtar vlerat dhe rëndësia e ekosistemit të liqenit të Shkodrës janë konsideruar të njëjta, për sigurimin e qëndrueshmërisë së tij, nga të dy shtetet aplikohen shkallë të ndryshme të mbrojtjes. Kjo mund të çojë në zgjerimin e boshllëkut që ekziston ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi në lidhje me menaxhimin dhe mbrojtjen e ekosistemit të liqenit të Shkodrës. Përveç statusit që duhet ndryshuar nga ana e palës shqiptare, ndryshimet e tjera të menaxhimit të mjedisit të Liqenit të Shkodrës janë si rezultat i ndryshimeve të legjislacionit kombëtar të dy shteteve dhe mënyrës së tyre të zbatimit nga të dy vendet.
Sigal