Kontrolli i Lartë i Shtetit në nderim të veprës së shkencëtarit polak, Stanislav Zuber

640
Sigal

Njerëzimi, qëkurse u bë viktimë, dëshmitar, por edhe autor i akteve më të shëmtuara të kryera mbi po njerëzimin, shpesh e ka shtyrë historinë drejt harresës, herë si një mënyrë për zbutur dhimbjen e herë të tjera si një mënyrë për të mbuluar krimet. Mes dilemës së madhe shekspiriane të rrosh apo të mos rrosh historia na ka treguar se midis këtij intervali qëndron një dilemë akoma dhe më e madhe:

Të harrosh apo të kujtosh?

Ka virtyt në të dyja, edhe në harresë edhe në kujtesë, vetëm se duhet bërë zgjedhja e duhur të paktën duke mos harruar se njerëzit, historia dhe e ardhmja meriton të vërtetën. Meriton të mos kompromentohet… Përpos misionit dhe vizionit të KLSH, si Institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar dhe kontribues në përmirësimin e qeverisjes, një vëmendje të veçantë ky institucion veçanërisht në këto 6 vitet e fundit i ka kushtuar nderimit të figurave të shquara, të cilët ia kushtuan jetën dhe kontributin e tyre Shqipërisë, aty ku dhe iu mor jeta nga torturat më ç’njerëzore, veçanërisht gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Z.Bujar Leskaj gjatë mandatit të tij si Kryetar i KLSH, me filozofinë se kush harron të kaluarën nuk meriton as të ardhmen, me punën dhe bashkëpunimin e palodhur me studiues dhe profesorë të nderuar, ka “gërmuar” arkivat e pluhurosura në kohë për të evidentuar dhe vlerësuar shkencëtarë e profesorë që kanë kontribuar për Shqipërinë. Pa ngjyrime politike, pa interesa personale. Por me ndërgjegjësimin dhe detyrimin moral që gjithsecili nga ne duhet të ketë për të njohur historinë dhe për të mos përsëritur gabimet e së kaluarës. Me këtë rast më 14 tetor 2018, KLSH në bashkëpunim me profesoratin e Fakultetit Gjeologji-Miniera të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe me Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Poloni organizoi Akademinë Përkujtimore me rastin e 125 vjetorit të lindjes së gjeologut dhe inxhinierit të naftës Prof. Stanislav Zuber, i cili vdiq në moshën 54-vjeçare në burgun e Tiranës nga torturat makabre. Në këtë aktivitet morën pjesë personalitete të fushës së gjeologjisë, përfaqësues të Akademisë së Shkencave, Ambasadori i Polonisë në Shqipëri z.Karol Bachura, Zv-Presidenti i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë (NIK), z.Wojciech Kutyla, përfaqësues të Shoqatës së miqësisë Shqipëri-Poloni, përfaqësues të shoqërisë civile, auditues të KLSH, etj. Prof. Stanislav Zuber-i me kontributin e tij 20-vjeçar i la trashëgim Arkivit qendror të Gjeologjisë dhe Institutit të Naftës 551 punime shkencore, 480 prej të cilave punime të plota. Prof. Zuber ka qenë hartues i hartës tektonike të Shqipërisë, i Hartës Gjeologjike dhe Hartës Minerale, me të cilat gjeologët shqiptarë kanë punuar me vite të tëra. Gazsjellësi TAP, vepra madhore që shtrihet në Shqipëri dhe vjen nga Azerbajxhani për të përfunduar në Itali, përshkruan pikërisht fillimin e kontributit të Prof. Zuber për zbulimin e naftës në Azerbajxhan, pastaj në Shqipëri dhe eksportin e naftës shqiptare në Itali. Në vitin 1928, në Kuçovë, ai shpoi pusin e parë që dha naftë dhe kështu filloi periudha e nxjerrjes industriale të naftës nga nëntoka shqiptare, duke u bërë në këtë mënyrë themeluesi i kërkimit, zbulimit dhe shfrytëzimit të naftës në Shqipëri. Pas Kuçovës u zbulua nafta e Patosit, e cila u zgjerua dhe u shtri nga Lushnja deri në Finiq të Sarandës. Prof. Zuber me kontributin e tij ngriti Muzeun Gjeologjik në Kuçovë, përgatiti gjeologët e rinj dhe krijoi lidhje me shkencëtarët shqiptarë. Studiues dhe gjeologë të njohur, si Prof. Dr. Arqile Teta, Prof. Dr. Skënder Osmani, Prof. Dr. Shyqyri Aliaj, Prof. Dr. Aleksandër Çina, Prof. Dr. Kujtim Onuzi, Prof. Dr. Gafur Muka dhe Prof. Dr. Sazan Guri sollën përmasat dhe vlerat e bibliografisë së prof. Zuber, figurën e inxhinierit dhe gjeologut të madh si dhe kontributet e tij në studimet dhe kërkimet e naftës. Z. Leonard Zisi, në emër të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Poloni dhe z. Astrit Beqiraj, sollën në vëmendje rëndësinë e njohjes dhe veprës së prof. Zuber në median shqiptare dhe polake. Takimi u përmbyll nga Kryetari i KLSH-së me falënderime për pjesëmarrësit dhe me vlerësimin për figurën e Prof. Zuber, busti i të cilit do të vendoset së shpejti në Tiranë. Fatkeqësisht ne nuk mund të kthejmë kohën pas dhe të ndryshojmë të kaluarën. Por mund dhe duhet të përmirësojmë të tashmen, në mënyrë që mos të na gjykojë e ardhmja…

 Eriola Hoxha