Poshtë e më poshtë/ Shqipëria humbet 7 vende në renditjen e Transparency International, më e korruptuara në Europë

468
Sigal

Niveli i korrupsionit në vendin tonë vijon të jetë shumë i lartë, ndërkohë që për vitin 2019 situata është përkeqësuar edhe më shumë.

Në një vit Shqipëria ka humbur 7 vende në raportin që ka publikuar Transparency International duke u rednitur në vendin e 106 nga 180 shtete të përfshira në matjen e shkallës së korrupsionit në botë.  Për vitin 2018 Shqipëria është renditur në vendin e 99-të, ndërkohë që është etiketuar gjerësisht si shteti më i korruptuar i Europës.

Ndërkohë që përkeqësim në këtë raport ka njohur edhe Kosova, e cila edhe pse ka humbur 8 vende në raport me një vit më parë, sërish mbetet më mirë se Shqipëria. Kështu Kosova është renditur në vendin e 101, nga lista me 180 shtete që merren në shyrtim.

Në përgjithësi raporti i 2019 tregon se rreth 2/3 e vendeve kanë njohur përkeqësim në treguesit e korrupsionit, si dhe ka shenja të prapambetjes në përpjekjet e tyre antikorrupsion.

Vendet që kryesojnë renditjen për praninë e pakët të korrupsionit janë Zelanda e Re dhe Danimarka, me rezultate 87 secila, pasuar nga Finlanda (86), Singapori (85), Suedia (85) dhe Zvicra (85). (100 pikë është maksimumi që një shtet mund të arrijë, për të treguar mungesën e korrupsionit)

Vendet më të dobëta për sa i përket korrupsionit janë Somalia, Sudani i Jugut dhe Siria me rezultate përkatësisht 9, 12 dhe 13. Këto vende ndiqen nga afër nga Jemen (15), Venezuela (16), Sudan (16), Guinea Ekuatoriale (16) dhe Afganistan (16).