Kontrolli i Lartë i Shtetit merr pjesë në trajnimet e Gjykatës Evropiane të Audituesve

1034
Sigal

Nga: Rejlond Sinani, KLSH

Në datat 14-16 Maj 2018, në Gjykatën Evropiane të Audituesve (ECA) u zhvillua trajnimi me temë “Teknikat dhe metodat e analizës financiare”. Pjesëmarrës në këtë trajnim ishin punonjës të niveleve të ndryshme të ECA-s, si auditues, specialistë finance, menaxherë projektesh, etj. Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua nga kryeaudituesja Valbona Gaxha dhe audituesi Rejlond Sinani. Trajnimi u zhvillua nën udhëheqjen e z. Guido Peiffer, me një përvojë të pasur profesionale dhe akademike në fushën e shërbimeve financiare.

Objektivat e këtij trajnimi ishin:

  • Analiza e pasqyrave financiare dhe gjenerimi i indikatorëve të kapacitetit financiar dhe të performancës financiare të subjekteve private, si kontraktorë potencialë dhe përfitues të institucioneve evropiane;
  • Analiza e pasqyrave financiare dhe gjenerimi i indikatorëve të performancës financiare të subjekteve publike;
  • Diskutimi i koncepteve financiare dhe jo-financiare të performancës së subjekteve publike si dhe sugjerimi i kornizës konceptuale mbi identifikimin e indikatorëve të performances.

Punimet e këtij trajnimi u hapën me një prezantim të pjesëmarrësve dhe në vijim z. Guido Peiffer shpjegoi rëndësinë dhe përmbajtjen e këtij seminari ku u trajtuan elementët përbërës të pasqyrave financiare, efekti i ndryshimeve të tyre si edhe rëndësia e elementëve në marrjen e vendimeve apo nxjerrjen e konkluzioneve. Gjatë këtij aktiviteti u theksua se raportet financiare mund t’u sigurojnë menaxherëve të subjekteve private dhe administratorëve të subjekteve publike një mjet të vlefshëm me të cilin do të matet përparimi i tyre kundrejt objektivave të brendshëm të paracaktuar. Përveç kësaj, ndjekja e raporteve të ndryshme me kalimin e kohës është një mjet i vlefshëm për identifikimin e tendencave në fazat e tyre të hershme. Raportet përdoren gjithashtu nga bankierë, investitorë dhe analistë të biznesit për të vlerësuar gjendjen financiare të një subjekti. Analiza financiare është e rëndësishme për krijimin e strategjisë pasi jep një pasqyrë të qartë mbi gjendjen aktuale të subjektit si dhe risqet e mundshme në të ardhmen. Organizatat e sotme qeveritare përballen me sfidat e llogaridhënies si kurrë më parë. Përveç kësaj, organizatat qeveritare përballen me këto sfida edhe nga palët e ndryshme të interesit. Balancimi i qëllimeve shpesh konfliktuale të fushave të ndryshme të administrimit është një test i vazhdueshëm për këto subjekte. Për sektorin publik, strategjia e organizatës është një zgjedhje ose rrugë që ata ndërmarrin për të krijuar vlerë publike për qytetarët që ju shërbejnë. Përgatitja dhe ekzekutimi i strategjisë duhet të jetë një ndër kompetencat thelbësore të çdo organizate, si për ato fitimprurëse edhe për subjektet qeveritare. Në një seksion të veçantë gjatë trajnimit u diskutua në lidhje me leximin dhe interpretimin e pasqyrave financiare të konsoliduara dhe raportit të risqeve të disa subjekteve të ndryshme si private edhe publike.