Konispoli feston historinë, vlerat dhe traditat

1843
Sigal

SARANDË/Udhëtim në një ekspozitë të rrallë të Konispolit, hap drejt krijimit të muzeut të qytetit

Që në fillim duhet thënë fjala “u lumtë!” për interesimin, dashurinë dhe investimin që bëjnë për ruajtjen, rizgjimin dhe ekspozimin e vlerave historike, etnografike, kulturore dhe trashëguese të zonës ku jetojnë e janë lindur. Kjo tregon edhe përgjegjësinë ndaj kulturës tënde dhe komunitetit që të ka zgjedhur në krye për drejtimin e jetës së një qyteti. Nën moton, që së bashku të festojmë historinë, vlerat dhe traditat, Bashkia e Konispolit ka organizuar një sërë aktivitetesh disa ditore me rastin e 70-vjetorit të rezistencës 55 ditore të Çamërisë në Gusht të 1943, për mos lejimin e depërtimit të ushtrisë naziste në tokën shqiptare nga pika kufitare e Qafë – Botës dhe gjithë brezit kufitar me Greqinë në jug të Shqipërisë. Përtej atmosferës së gëzueshme, këngëve, valleve e banketeve nga 25 deri më 31 gusht, Bashkia e Konispolit për herë të parë organizon një aktivitet ndryshe duke aktivizuar gjithë potencialin intelektual çam, për ringjalljen e vlerave të kësaj zone. Dhe ja ka arritur qëllimit! Pas ceremonisë dhe homazheve tek memoriali kushtuar rezistencës 55 ditore, aktiviteteve sportive, koncerti ceremonial festiv, është çelur edhe boshti i gjithë aktiviteteve, panairi i vlerave kulturore dhe historike të Konispolit.

Aktivitetet dhe ekspozitat e ndryshme

Themi boshti dhe më e rëndësishmja për vet faktin se në Konispol u bë vite që nuk funksionon, madje nuk ekziston asnjë muze për historinë dhe kulturën çame të zonës. Kjo ekspozitë, ku peshën kryesore e mbajti historinë, arkeologu, shkrimtari dhe poeti i kësaj zone Halil Shabani, ishte konceptuar në pesë drejtime kryesore, ku qëndroi e hapur prej pesë ditësh. Pra 70-vjetori i rezistencës 55- ditore çame, ka sjell edhe historikun e Konispolit dhe të zonës përreth nëpërmjet arteve pamore dhe të shkruara. Ekspozita ka pasur si tematikë historinë që nga fillimet e jetës në Konispol e deri në zhvillimet e ditëve të sotme. Përgatitësit e sajë specialistë të historisë dhe arkeologjisë, kishin menduar që historia të paraqitej e ekspozuar nëpërmjet fotove të gjitha epokat, që në këtë qytet jugor shqiptar, fillojnë këtu e 27 mijë vjet më parë tek shpella e Kreshmoit në Konispol. Dhe kjo ka qenë edhe arsyeja e etiketimit të ekspozitës “Konispoli, vendbanimi 27 mijë vjeçar”. Përmbajtja e ekspozitës ka pasur foto të ekspozuara ku pasqyroheshin epoka e paleolitit, mezolitit dhe neolitit, si vegla pune prej stërralli, enë balte, objekte qeramike, kocke, shtresat kulturore etj.. Qytetërimi Iliro-Epirot u pasqyrua nga objektet e përfituara në shpellë, sidomos Terakota, enë balte me motive të ndryshme, qyteti antik i Çukës së Ajtoit me muret rrethuese, banesat kryesore, objektet e përfituara si dhe Kibela në Terakat, perëndesha e mbrojtjes së mureve të qytetit antik. Këtij qytetërimi i përkasin edhe banesa antike, varre dhe objekte arkeologjike të përfituara në luginën e Vardharit si dhe qypat e nëndheshëm të punuar në gur, të zbuluar në përroin e manit. Duke ecur nëpër stenda të ekspozitës, shohim se antikiteti i vonë përfaqësohet nga vendbanimi i bregut të sherës me 20 banesa të mbrojtura mirë deri më sot. Stendë më stendë dhe vijmë tek mesjeta e cila paraqitet me katër kala, rrugë me kalldrëm, udha e “Kodheleve” dhe udha e “Kripës”, porta me katër qemerë e oborrit të Haki Osmanit, mbetjet e pazarit mesjetar të Konispolit, shtatë banesa të tjera –monument kulture. Por nuk mungojnë edhe figurat më të spikatura historike të Konispolit, ku midis tyre shquhen Osman e Alush Taka, Mahmut Dalani, Muharem Rushiti e shumë të tjerë. Ndërsa drejtimi i dytë i aktivitetit, ishte ekspozimi nëpër shekuj i krijuesve të letërsisë konispolite me vepra të autorëve  si: Muhamet Kuçuku, Ibrahim Hoxha, Veiz Sejko, Pajtim Çaushi e shumë autorë të tjerë nga Konispoli. Në drejtimin e tretë të ekspozitës vijnë paraqitjet etnografike, që nga veshjet e periudhave të ndryshme, pjesëmarrja në festivalet folklorike kombëtare, ku spikatin ajo e 1973 me vallen e famshme të Osman Takës e interpretuar nga valltari –legjendë Taip Madani e deri tek vallet karakteristike të grave konispolate. Në drejtimin e katërt stendat dhe tryezat e ekspozitës i kanë lënë vendin veprave të artit në pikturë e skulpturë realizuar nga artistë konispolatë si Idriz Balani, Urim Arapi, Servet e Pëllub Beqiri etj.. Dhe me drejtimin e pestë mbyllej edhe kjo ekspozitë –histori. Në drejtimin e pestë ishte ideja e krijimit të një ODE konispolate me kulturën materiale të trashëguar në shekuj. Më tej, si një shtesë e gjithë këtyre, qëndronte tryeza e ekspozimit të prodhimeve vendase si vaji i ullirit kalinjot, ullinj për ngrënie, sherebela aromatike, rigoni karakteristik, rakia, vera etj.. Vlerësime dhanë në librin e përshtypjeve pjesëmarrësit që nga deputeti Fatmir Toçi e përfaqësues të qeverisjes vendore. Bashkia e Konispolit, në këtë mënyrë, përveç shërbimit të vyer që u bën qytetarëve të sajë në rigjallërimin e vlerave të kulturës dhe trashëgimisë çame, po tregon se edhe bashkitë e tjera duhen shkundur e zgjuar për të investuar në këtë drejtim të trashëgimisë së vlerave historike dhe kulturore të zonave, ku qeverisin, pasi projekte ka shumë, por nëpër sirtarë flenë gjumë.