26-27 Nëntor, Tirana mirëpret kryetarët e bashkive të Prishtinës, Tetovës, Ulqinit dhe Preshevës

653
Sigal

Të Dielën mbahet Konferenca e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon

 

Pas atmosferës së bukur që solli fundjavën e shkuar në Tiranë organizimi i
Samitit të Diasporës, kryeqyteti është gati të mirëpresë në datat 26-27 Nëntor,
Konferencën e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, një ide e propozuar para
disa javësh nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në takimin e tij
me homologun kosovar, Shpend Ahmeti, në Prishtinë.

 

Kryetarët e Komunave të Prishtinës, Tetovës, Ulqinit dhe Preshevës do të
mbërrijnë sot pasdite në kryeqytetin shqiptar, për të vijuar nga nesër me axhendën
e përgatitur nga Bashkia e Tiranës, e cila kulmon ditën e Dielë me organizimin
e Konferencës së parë të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon.

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj do t’i mirëpresë ditën e Shtunë
në orën 09.30 krerët e Bashkive Shqiptare të Rajonit dhe delegacionet që i
shoqërojnë ata, ku edhe do të mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi. Më
pas, në orën 12:00, delegacionet nga Prishtina, Tetova, Ulqini dhe Presheva do
të marrin pjesë në ceremoninë që do të zhvillohet me familjet firmëtare te
Monumenti i Pavarësisë, në Parkun Rinia, që i paraprin festimeve të 104
vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

 

Gjatë qëndrimit të tyre dy ditor në Tiranë, delegacionet do të vizitojnë në
terren edhe disa nga projektet madhore që Bashkia e Tiranës ka nisur të
zbatojë, si rehabilitimi i Sheshit “Skënderbej”, i cili është konceptuar që të
përfaqësojë të gjitha trevat shqiptare, apo rindërtimi i stadiumit “Qemal
Stafa”.

 

Ndërkaq, ditën e Dielë, duke nisur 
nga ora 10:00, nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës, do të mbahet
Konferenca e Unionit të Bashkive Shqiptare të Rajonit në Hotel Plaza.

 

Me këtë rast, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, do të mbajë
fjalën e mirëseardhjes, e cila do të pasohet më pas edhe nga fjalët
përshëndetëse të kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti,
kryetarit të Komunës së Preshevës, z. Shqiprim Arifi, kryetares së Komunës së
Tetovës, znj. Teuta Arifi, si dhe nga kryetari i Bashkisë së Ulqinit, z. Nazif
Cungu.

 

Mandej, konferenca do të vijojë me prezantimin dhe shkëmbimin e
eksperiencave të bashkive shqiptare në rajon, si dhe në fund të saj do të
nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi mes 5 kryetarëve të bashkive
shqiptare.