Konflikti për buxhetin/ Pedagogët sërish pa paga: Ligji për arsimin e lartë ka dështuar, qeveria të na garantojë pagesat

470
Pedagogët: Ligji për arsimin e lartë ka dështuar
Pas vonesës së pagave për rreth 2 javë, Forumi i Pedagogëve kërkon dorëheqjen e bordit të administrimit dhe që pagat t’i mbulojë 100% qeveria
Pedagogët e universiteteve publike deri dje nuk kishin marrë ende pagat e muajit janar, për shkak të mosrakordimit të ligjit të arsimit të lartë me ligjin e buxhetit. Problemi prek të gjitha universitetet publike të vendit, por zërin e kanë ngritur vetëm pedagogët në Tiranë. Forumi i Pedagogëve kërkoi dje që pagat të mbulohen 100% nga qeveria dhe bordi i administrimit universitetit të shkarkohet. Kurse Universiteti i Arteve njoftoi se do të përdorë fondet e veta për të paguar pedagogët. Pas 12 ditësh që nuk kanë marrë rrogat e muajit janar, Forumi i pedagogëve në Universitetin e Tiranës thotë se problemi nuk qëndron thjesht dhe vetëm tek pagat, por se ky është është një sinjal që nxjerr në pah një problematikë të madhe të mosfunksionimit të Universitetit të Tiranës dhe të gjitha universiteteve publike në vend. “Shqetësimi ynë është bllokimi që i është bërë universitetit nga strukturat menaxhuese, qeveria dhe presioni që bëhet mbi trupën akademike për t’i poshtëruar ata. Këtë radhë na lanë pa rroga, nesër mund të na çojnë në ndonjë magazinë. Ne po futemi në sezon provimesh, s’ka letra, s’ka fshirëse, s’ka ngrohje, s’ka energji, s’ka asgjë”, thotë pedagogu Mark Marku. Për pedagogët problemi qëndron veçanërisht te përmbajtja dhe zbatimi i ligjit të ri të arsimit të lartë. “Gjërat kanë ardhur duke degraduar, është pasojë, shkaku është te ligji i arsimit të lartë”, thotë Kastriot Çaushi. Edhe zv/dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Sabri Laçi, thotë se Universiteti i Tiranës është peng i qeverisë. “Për të gjitha gjërat që kanë ndodhur këto 2 vite nuk funksionon asgjë, as rutina, as idetë tona, japim mësim mekanikisht si punëtorë fabrike, nuk funksionojnë idetë tona. Një kastë mban peng Universitetin e Tiranës, përpara në mënyrë të hapur, tani në mënyrë okulte, përmes bordit, kancelarit, etj, etj”, thotë Sabri Laçi. Në përfundim të mbledhjes pedagogët pjesëmarrës në forum arritën në disa konkluzione. “Të kërkohet dorëheqja e bordit të administrimit, pagat t’i mbulojë 100% qeveria. E treta, është ligji që është i pazbatueshëm, sepse s’kanë dalë aktet nënligjiore, sepse ka nene që e bëjnë të pazbatueshëm edhe kur zbatohet çon në bllokim”, bëri të ditur Mark Marku. Ndërkohë, pedagogët janë të përgatitur edhe, nëse Ministria e Arsimit nuk merr parasysh kërkesat e tyre. “Përmes grupit t’i kërkojmë qeverisë zgjidhje, nëse nuk përgjigjet do shkojmë në grevë”, përgjigjet Marku.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit, përmes një njoftimi zyrtar, bëri të ditur se pagat e pedagogëve do të kalojnë në llogaritë e gjithsecilit brenda ditës së hënë, ndërsa aktet nënligjore të pa miratuara ende do të realizohen deri në fund të shkurtit, çka duket se qeveria është e kthjellët në qëndrimin e saj dhe se nuk do të negociojë për ndryshimin e ligjit të ri, që për pedagogët është një nga shkaktarët kryesorë të kaosit në universitet publike. Të hënën pasdreke Universiteti i Arteve njoftoi se do të përdorë “fondet e veta për të paguar pedagogët e tij”.
Sigal