Konfirmohen dy rastet e para të koronavirusit në Rusi

527
Sigal

Dy shtetas kinezë kanë rezultuar pozitivë në testet për koronavirusin e ri, në Rusi, duke konfirmuar dy rastet e para në vend që prej nisjes së epidemisë vrasëse në Kinë, dhe njoftimit të kufizimit të udhëtimeve.

Në një fjalim të dhënë në televizion, zv.kryeministrja Tatyana Golikova, tha se rastet u regjistruan në rajonet siberiane Zabaikalski e Tiumen

Golikova u përpoq të mos i japë shumë theks përhapjes së epidemisë në vend, duke thënë se dy pacientët ishin vendosur shpejt në izolim.
Ajo shtoi se dhe Rusia do të evakuojë disa nga qytetarët e saj nga Kina.

“Ne po nisim evakuimin e qytetarëve tanë nga Vuhan e Hubei. Kemi rreth 300 njerëz në Vuhan dhe 341 në Hubei,” tha ajo, duke shtuar se të kthyerit do të vendosen në karantinë.

Rreth 2,665 qytetarë rusë që gjenden në rezorton kinez të Hainan do të kthehen në vend më 4 shkurt, tha Golikova, e cila është vendosur në krye të task-forcës ruse për ndalimin e përhapjes së virusit.

Shumica e fluturimeve do të kryhen me linjat kryesore ruse Aeroflot, e cila nuk do të ndërpresë fluturimet me qytetet kineze, së bashku me katër linja kineze që do të vazhdojnë fluturimet me Rusinë, shtoi Golikova.
Gjithashtu shërbimet postare dhe të hekurudhave mes vendeve nuk do të preken nga ndryshime.