Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Të parandalohet shitja e drogës në shkolla

537
Me anë të informacionit të publikuar në median e datës 8 Maj 2016, Komiteti Shqiptar I Helsinkit (KSHH) ka ardhur në dijeni të arrestimit në flagrancë të 18 vjeçarit B.K, gjimnazist në vitin e tretë të shkollës së mesme “Sali Ceka” në Elbasan. Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të kryer banesën e tij, raportohet se j’u gjet një sasi droge e vendosur në qese të vogla, për të cilat dyshohet se synohej t’ju shiteshin bashkëmoshatarëve të tij në shkollën që ky nxënës frekuentonte. 

KSHH, duke u bazuar edhe në informacione të tjera të ngjashme të publikuara në media ose të raportuara nga Policia e Shtetit, e konsideron këtë fenomen si shqetësues. KSHH vëren se raste të tilla të raportuara në të kaluarën kanë ndodhur edhe në shkolla të tjera të vendit. Gjithashtu vërehet se, fillimisht pas këtyre rasteve, bëhen disa mbledhje, merren disa masa, por ato nuk kanë vazhdimësi dhe rrjedhimisht efekti i tyre është minimal. E theksojmë këtë edhe për faktin se disa sondazhe të kryera më parë kanë dhënë sinjale se përdorimi i drogës në një përqindje relativisht jo të vogël është përhapur edhe në shkolla. KSHH është e ndërgjegjshme se parandalimi i shitjes së drogës edhe në shkolla, në forma dhe nga persona të ndryshëm, nuk është vetëm detyrë e organeve të rendit, por e gjithë shoqërisë, në radhë të parë e insitucioneve arsimore dhe e prindërve. Bashkëpunimi dhe koordinimi i organeve të mësipërme dhe i shoqërisë civile duhet të jetë konkret dhe jo formal dhe deklarativ.

 KSHH rekomandon që në këtë drejtim, të ketë një ndërgjegjësim dhe sensibilizim më të madh të vetë nxënësve, të cilëve duhet t’u bëhet i qartë dëmi që shkakton përdorimi i drogës, për shëndetin dhe jetën e tyre. KSHH do të rekomandonte që në këto veprimtari të ndihmonin edhe specialistët që e njohin këtë fushë. KSHH bën thirrje që ky problem shqetësues të vlerësohet duke ndërrmarrë veprime konkrete. Përdorimi i drogës sidomos nga të rinjtë rrezikon shëndetin dhe jetën e tyre, i dëmton rëndë moralisht, i bën ata të padobishëm per veten, familjen dhe shoqërinë.
Sigal