Kastrati, rizgjidhet në krye të gjyqtarëve në mandatin e 4-t

526
Sigal

Për të katërtin vit radhazi, Shoqata e Gjyqtarëve të Futbollit ka vendosur në krye të saj Tahir Kastratin, ish-gjyqtar i cili që prej vitit 2004 është numri një i Sektorit të Gjykimit të futbollit shiptar. Qëndrimi i tij si kandidat i vetëm në të gjitha asambletë zgjedhore e ka shndërruar në një monopol postin e kryetarit të Shoqatës së Gjyqtarëve, ashtu siç ndodh thuajse kudo në postet drejtuese të institucioneve sportive dhe jo vetëm në vendin tonë.

E para dhe e vetmja herë, që Kastrati ka pasur një rival në garën për këtë post, ka qenë në mandatin e tij të parë, kur fitoi përballë ish-gjyqtarit Hiqmet Kuka. “Çdo kolegjium ka të drejtë të propozojë një kandidat për president dhe një kandidat për kryesinë e shoqatës, apo komitetin ekzekutiv. Ju them sinqerisht që unë nuk kam bërë asnjë lloj fushate që të isha apo jo kandidat i vetëm. Edhe unë nuk ndihem mirë, sepse kur nuk ka konkurrencë nuk mund të ketë edhe zhvillim. Është mirë që një gjë e tillë të mos ndodhë, por ndodhi”, tha Tahir Kastrati, kryetar i shoqatës “Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar”. Veç zgjedhjeve për kryetarin, që nuk u kryen për shkak të mungesës së garës, u votua edhe kryesia e shoqatës. Nga 8 kandidatë që ishin për 4 vendet e anëtarësisë, fituan Petrit Braja, Prek Pjetrushi, Plarent Kotherja dhe Bujar Pregja.