Komisioni i Prokurimit Publik, si do të zgjidhen kryetari dhe anëtarët

781
– Kriteret dhe procedura e vlerësimit me pikë sipas diplomës së fituar
Këshilli i Ministrave ka miratuar së fundmi edhe procedurën e përzgjedhjes së kandidateve për kryetar dhe anëtar të Komisionit të Prokurimit Publik. Mbështetur në Kushtetutë por edhe në ligjin nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi:
-Miratimin e procedurës për përzgjedhjen e kandidaturave për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik për garantimin e profesionalizmit e të transparencës gjatë përzgjedhjes, mbështetur në kritere profesionale, për të përmbushur detyrat e përcaktuara në ligjin për prokurimin publik.
-Përzgjedhja e kandidaturave për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik kryhet nëpërmjet zbatimit të procedurave të hapura të konkurrimit, në përputhje me parashikimet e këtij vendimi.
“Procedura përzgjedhëse për kandidaturat për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik zhvillohet nën përgjegjësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, sipas përcaktimeve të këtij vendimi dhe në përputhje me pikën 3, të nenit 19/2, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave ngre një komision ad-hoc, të përbërë nga 3 anëtarë, nga të cilët një përfaqësues i Kryeministrisë, një përfaqësues i Departamentit të Administratës Publike dhe një përfaqësues i Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Në vendimin e këshillit të Ministrave janë bërë publike edhe kriteret për anëtarët e komisionit Ad-Hoc. Konkretisht, anëtari i komisionit ad-hoc zgjidhet midis personave që plotëson këto kritere:
a) Të ketë mbaruar arsimin e lartë;
b) Për anëtarin përfaqësues të Kryeministrisë dhe të Departamentit të Administratës Publike, të ketë punuar për jo më pak se 5 (pesë) vjet në nivel të mesëm drejtues dhe/ose të ketë njohuri në fushën e prokurimeve;
c) Për anëtarin përfaqësues të Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, të ketë jo më pak se 5 (pesë) vjet përvojë pune dhe të ketë titull/gradë shkencore;
ç) Të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
d) Të mos ketë qenë anëtar i partive politike për 3 (tre) vitet pararendëse nga data e emërimit;
dh) Të mos ketë qenë i dënuar penalisht me vendim gjyqësor të formës së prerë;
e) Të mos jetë larguar nga shërbimi civil si rrjedhojë e masave disiplinore.
Thirrja për aplikim publikohet në faqen e internetit të Kryeministrisë, në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe të paktën dy herë në 2 gazeta me tirazhin më të lartë dhe ajo përmban:
a) kriteret e përgjithshme që duhet të përmbushin kandidaturat, sipas parashikimeve të nenit 19/3, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006;
b) listën e dokumenteve që duhen paraqitur;
c) afatin e fundit dhe adresën ku duhet të paraqiten aplikimet;
ç) datën për shpalljen e rezultateve pas vlerësimit të dosjes;
d) datën për shpalljen e rezultateve për vlerësimin përfundimtar;
dh) mënyrën e njoftimit/komunikimit me aplikantët.
“Komisioni ad-hoc i përzgjedhjes bën vlerësimin e kandidaturave të paraqitura brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e mbylljes së aplikimeve, bazuar në jetëshkrimin e kandidatëve dhe intervistën e tyre me gojë. Nëse numri i kandidaturave të paraqitura është i lartë, atëherë vlerësimi i tyre nga komisioni mund të zgjatet, por jo më shumë se 20 (njëzet) ditë kalendarike. Fillimisht, komisioni ad-hoc i përzgjedhjes bën vlerësimin e dosjeve të aplikantëve, për të parë nëse ato plotësojnë kriteret e përcaktuara nga neni 19/3, i ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, të ndryshuar. Në përfundim të procesit të vlerësimit, komisioni ad-hoc përgatit listën me emrat e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret për t’u emëruar dhe i njofton ata brenda 2 (dy) ditëve”,thuhet në vendim.
Vlerësimi i kandidatëve
Komisioni ad-hoc i përzgjedhjes vazhdon me vlerësimin e kandidatëve që plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 19/3, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006. Vlerësimi maksimal është 100 pikë.
Vlerësimi i kandidatëve bëhet sipas një procedure që përfshin pikët maksimale për secilën nga fazat e mëposhtme:
a) Vlerësimin e jetëshkrimit të kandidatëve, që përfshin vlerësimin e arsimimit, të përvojës dhe trajnimeve të lidhura me fushën si dhe vlerësimet e arritjeve vjetore, deri në 70 pikë, sipas pikës 11, të këtij vendimi;
b) Intervistën e strukturuar me gojë, deri në 30 pikë.
Çdo anëtar i komisionit ad-hoc të përzgjedhjes jep vlerësimin e tij individual për secilin kandidat. Vlerësimi përfundimtar për kandidatin llogaritet si mesatare e pikëve të vendosura nga secili prej anëtarëve.
Metoda e vlerësimit
Metoda e vlerësimit të jetëshkrimit të kandidatëve do të jetë, si më poshtë vijon:
Vlerësimi i jetëshkrimit të kandidatëve për anëtar të Komisionit të Prokurimit Publik, i cili do të kryhet në bazë të:
a) diplomës së shkollës së lartë:
jurist: 10 pikë;
inxhinieri, ekonomik: 8 pikë;
III. diplomë e nivelit master, doktoraturë etj: nga 2 deri në 5 pikë shtesë;
certifikata apo kualifikime të tjera: 3 deri në 10 pikë.
b) përvojës në punë, që duhet të jetë 8 (tetë) vjet: 10 pikë, si dhe:
përvojës mbi 8 (tetë) vjet: nga 2-5 pikë shtesë;
përvojës në pozicione drejtuese: nga 2-5 pikë shtesë;
III. përvojës si gjyqtar, ndërmjetësues apo arbitër: 2-5 pikë shtesë.
c) përvojës në prokurime, që duhet të jetë 3 (tre) vjet: 10 pikë, si dhe:
mbi 3 vjet: 2 pikë shtesë;
5-10 vjet: 5 pikë shtesë;
III. mbi 10 vjet: 10 pikë shtesë.
Vlerësimi i jetëshkrimit të kandidatëve për kryetar të Komisionit të Prokurimit Publik, që do të kryhet në bazë të:
a) diplomës së shkollës së lartë, jurist: 10 pikë, si dhe:
për diplomën e nivelit master, doktoraturë etj: deri në 3 pikë shtesë;
për certifikatën apo kualifikimet e tjera: deri në 3 pikë shtesë.
b) përvojës në punë, që duhet të jetë 8 (tetë) vjet: 10 pikë, si dhe:
mbi 8 (tetë) vjet përvojë pune: 2 pikë shtesë;
përvojë si gjyqtar, ndërmjetësues apo arbitër: 2-5 pikë shtesë.
c) përvojës 2 (dy) vjet në pozicione drejtuese: 10 pikë, si dhe:
përvojës në nivelin e lartë drejtues (TND): 2 pikë shtesë;
përvojës mbi 2 vjet: nga 2 deri në 5 pikë shtesë.
ç) përvojës në prokurime, 3 (tre) vjet: 10 pikë, si dhe:
mbi 3 vjet: 2 pikë shtesë;
5-10 vjet: 5 pikë shtesë;
mbi 10 vjet: 10 pikë shtesë.
“Në përfundim të vlerësimit, komisioni ad-hoc i përzgjedhjes rendit kandidatët në bazë të pikëve të marra dhe ia dërgon listën Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave për vendimmarrje të mëtejshme nga Këshilli i Ministrave. Me qëllim vijimin e procedurave për zgjedhjen e anëtarëve dhe kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik, Këshilli i Ministrave dërgon në Kuvend listën e kandidatëve të kualifikuar sipas renditjes dhe listën e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret për t’u emëruar”, thuhet në këtë vendim i cili pritet të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Sigal