Kolonel Myslim Pasha: Përsëri kufijtë detarë, “medet, o Shqipëri, medet!”

269
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

“Ne të shkretët shqiptarë, në mbarim të vitit që shkoi, sapo morëm vesh nga Kryeministri i Shqipërisë, në një deklaratë të tij, se Greqisë, në bazë të Ligjit të Detit, i është lejuar zgjerimi në 12 MD në Detin Territorial, por s’kemi marrë vesh asgjë se ku është kjo marrëveshje”

Në këtë kohë të rëndë pandemie dhe vaksinimi, kur sapo përfunduan votimet, por s’kanë mbaruar ankimimet për shitblerje votash, në këtë kohë kur kërkohet shkarkimi i Presidentit të Republikës, papritmas ia behu problemi i kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Askush nuk e di se gjatë kësaj kohe, kur sapo ishte gjysëmmbyllur problemi i diskutueshëm i zgjerimit të Greqisë me 12 milje detare në Detin Territorial, në emisionin “Open” të Eni Vasilit, prej një muzgu informativ të opinionit shqiptar dhe e mungesës së tejdukshmërisë, u dallgëzua prapë deti, e kësaj radhe nuk flitej për “12 milje detare”, por për një “marrëveshje të re që qenka realizuar!”.

Unë jam një ekspert i gjeoshkencave, që kam denoncuar Marrëveshjen e Vitit 2009 dhe që sipas kronikës historike kam marrë pjesë në atë ditë gjykimi si ekspert i PS-së në ekipin zyrtar. Domosdo se s’mund të shkëputem dot nga angazhimi ynë i përbashkët në kontributet tona gjeoshkencore për të Drejtën Detare Ndërkombëtare të Shqipërisë.

Në respekt të analistëve që i dëgjuam, habitshëm u soll në studio një vizion tjetër, u trajtuan tema madhore gjeopolitike e gjeostrategjike në Ballkanin Perëndimor, për ndarje kufijsh dhe kërcënim se mund të ndodhë diçka e madhe kontinentale  për gjithë rajonin dhe kjo e zhvendosi  alarmin në shkallë më të gjerë, në ndeshje qytetërimesh dhe kulturash.

“Unë jam një ekspert i gjeoshkencave, që kam denoncuar Marrëveshjen e Vitit 2009 dhe që sipas kronikës historike kam marrë pjesë në atë ditë gjykimi si ekspert i PS-së në ekipin zyrtar. Domosdo se s’mund të shkëputem dot nga angazhimi ynë i përbashkët në kontributet tona gjeoshkencore për të Drejtën Detare Ndërkombëtare të Shqipërisë.”

Doemos, e tëra kjo të pataks, se këto që trajtohen në ndarje të ujërave detare në Detin Jon të Veriut s’është asgjë në përqasje të tilla fantazmagorish.

Çështja detare aq komplekse u reduktua në një vështrim tjetër, ku nuk bëhet fjalë “për ndarje ujërash” po bëhet fjalë për “zona detare të shfrytëzimit të hidrokarbureve” “se marrëveshja e vitit 2009 ndante ujëra” e nuk ndante “naftën”

Në vështrimin gjeografik të shtrirjes së bashkësisë së ishujve të Jonit të Veriut, u soll në qendër Othonoi, që u shpjegua edhe nga mitologjia, sikur prej aty ku ka rezerva të mëdha nafte kish kaluar Odiseja, heroi Ake, për t’u kthyer në Itakë. Unë po kthehem në shqetësimin tonë të përbashkët për të kujtuar se në fundin e vitit 2020, Kryeministri Rama brenda dy javësh lëvizjesh Turqi-Greqi-Shqipëri, e ndryshoi kryefjalën detare midis Shqipërisë dhe Greqisë. “Harrojeni një marrëveshje të re”, deklaroi në udhëtim e sipër Kryeministri Rama, sepse të dyja vendet kishin rënë në ujdi, që çështjen e ndarjes së detit midis të dyja vendeve tona, do t’ia linin në dorë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagës. “Unë kam një ide shumë të thjeshtë dhe shpresoj që sa më shpejt të arrijmë dakordësi për të. Të mund të zgjidhim çështjen me ndihmën e të tjerëve, një palë e tretë që na ndihmon, ose më mirë përmes Gjykatës Ndërkombëtare”, deklaroi Rama.

Kjo deklaratë bëri të mundur që të merrej frymë më lirisht, por, ama, edhe për të menduar se sa vigjililentë duhet qëndruar për ndjekjen tekniko- ligjore të këtij procesi me të panjohurat e tij. Por kemi të drejtë të flasim me dhimbje “Medet, o Shqipëri, medet!”.  Sepse do të duhej që t’u referoheshim disa vendimeve zyrtare të Republikës sonë, nëse qëndrojnë këto deklarata apo jo! Sepse askush nuk di asgjë dhe asgjëkund që gjatë kësaj kohe paskan vijuar bisedime dhe negociata me Greqinë.

“Kjo deklaratë bëri të mundur që të merrej frymë më lirisht, por, ama, edhe për të menduar se sa vigjililentë duhet qëndruar për ndjekjen tekniko- ligjore të këtij procesi me të panjohurat e tij. Por kemi të drejtë të flasim me dhimbje “Medet, o Shqipëri, medet!”

Në këtë kornizë ku u mbërthye biseda në “Opinion” u fol për informacione të freskëta, se këto bisedime dhe negociata, po çojnë shumë shpejt në firmosjen e një marrëveshjeje të re. Ne të shkretët  shqiptarë nuk paskemi të drejtë të pyesim për tejdukshmërinë e kësaj marrëveshje, ndër më të nxehtat dhe më të përgojuarat në aspektin kombëtar.

Ne të shkretët shqiptarë nuk paskemi të drejtë të njihemi me atë bashkësi negociatash me atë vendim apo projektvendim, se cila është kjo vijë e re nderjes detare dhe kush kanë qenë negociatorët.

Ne të shkretët shqiptarë duam të pyesim se si është kapërcyer vendimi historik i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, aq i plotë dhe aq i qartë, çka e jep të dukshëm vizionin e ardhshëm të një marrëveshjes së re? Ne të shkretët shqiptarë duam të dimë se cilat janë institucionet shqiptare që e bartin mbi kurriz kompleksitetin e ndarjes detare midis të dyja vendeve dhe cilat konsulta kombëtare e kanë dhënë ekuilibrin shkencor dhe të së Drejtës Ndërkombëtare Detare, para se ajo të firmoset nga Kryeministrat e mandej të kalojë në Parlamentin e Shqipërisë?

Ne të shkretët shqiptarë, në mbarim të vitit që shkoi, sapo morëm vesh nga Kryeministri i Shqipërisë, në një deklaratë të tij, se Greqisë në bazë të Ligjit të Detit i është lejuar zgjerimi në 12 md të Detin Territorial, por s’kemi marrë vesh asgjë se ku është kjo marrëveshje, ku janë hartat e koordinatat e besueshme se nuk është cenuar e Drejta Ndërkombëtare Detare e Shqipërisë në Integritetin e saj Territorial për të kuptuar se a humb Shqipëria apo jo, në hapësirën e saj detare? Është dëgjuar në Shqipëri vendimi i fundit i Parlamentit grek më 20 janar 2021 për miratimin e projektligjit për zgjerimin e ujërave territoriale të vendit nga 6 në 12 milje në Detin Jon, por që nga ana e Qeverisë sonë duhej bashkëshoqëruar edhe me sqarime teknike-shkencore.

“Ne të shkretët shqiptarë duam të dimë se cilat janë institucionet shqiptare që e bartin mbi kurriz kompleksitetin e ndarjes detare midis të dyja vendeve dhe cilat konsulta kombëtare e kanë dhënë ekuilibrin shkencor dhe të së Drejtës Ndërkombëtare Detare, para se ajo të firmoset nga Kryeministrat e mandej të kalojë në Parlamentin e Shqipërisë?”

U bënë 12 vjet që Marrëveshja pushtuese (tani e rrëzuar) e Detit Jon të Veriut midis të dyja vendeve me aktin e saj të shitjes së detit, jo vetëm në hapësira të Detit Territorial, por dhe atë të hapësirave ekonomike ekskluzive, me një humbje të madhe të hapësirë detare, në të gjithë vijën e saj të ndarjes.

I drejtohemi kronikës historike dhe Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë se ajo që ka ndodhur tanimë, është dokument historik dhe çdo shkelje e saj, është tradhti kombëtare. Në epilog të këtij shkrimi, me dhimbje e themi se Republika jonë, nuk është e zonja të njohë, të ruajë dhe ta përparojë tërësinë e saj kombëtare shqiptare.

Marrëveshja e 2009

Myslim Pashaj, koloneli që kundershtoi i pari marrëveshjen Shqipëri-Greqi për ndarjen e detit në vitin 2009, ka bërë një tjetër reagim në lidhje me debatin në 2020. Pashaj risjell në vëmendje gabimet e marrëveshjes  së 2009-ës, që u kundërshtua nga Gjykata Kushtetuese, duke theksuar se ajo nuk duhet të përsëritet edhe pas 10 vitesh. Koloneli Pashaj shpreh habinë se, përse shteti shqiptar nuk e ka shpallur Gjirin e Sarandës, nga kepi i Qefalit deri në kepin e Mërteses, si gji historik, kur në anën tjetër, Athina zyrtare e ka shprehur ambicien për t’u zgjeruar me 12 milje në detin Jon.

Koloneli Pashaj tregon se marrëveshja e 2009-ës e humbiste tërësisht gjirin e madh të Sarandës dhe me këtë emër identifikonte gjirin ku mbështillet qyteti.

“Është dëgjuar në Shqipëri vendimi i fundit i Parlamentit grek më 20 janar 2021 për miratimin e projektligjit për zgjerimin e ujërave territoriale të vendit nga 6 në 12 milje në Detin Jon, por që nga ana e Qeverisë sonë duhej bashkëshoqëruar edhe me sqarime teknike-shkencore.”

Koloneli i detit thotë se çështja e gjirit të Sarandës është diskutuar 11 vjet më parë, në kohën kur presidenti Moisiu pati thënë se, nuk na pengon askush për ta deklaruar Sarandën gji historik, por teksa grupi negociator ruan konfidencialitet të plotë për pikat e marrëveshjes, ende nuk kemi dëgjuar asgjë për gjirin e Sarandës.

Reagimi në 2020, kur Greqia kërkon të zyrtarizojë zgjerimin e saj me 12 milje

Ish-drejtori i Institutit të Topografisë Ushtarake të Shqipërisë, kërkon reagimin e menjëhershëm të Shqipërisë për të mos lejuar Greqinë që të zyrtarizojë zgjerimin e saj me 12 milje në detin Jon.

Sipas tij, pranimi i Shqipërisë për të çuar çështjen e detit me Greqinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ka krijuar turbullirë dhe tymnajë që mesa duket nga kjo po përfiton Greqia.

“Të gjithë e dimë vendimin e qeverisë Shqiptare dhe asaj të Greqisë, të cilat “E dorëzuan detin në dorën e Gjykatës së Hagës. Kjo e ka bërë çështjen akoma dhe më komplekse. Veç kësaj, në këtë turbullirë dhe tymnajë detare, vendimi i qeverisë së Greqisë ka rastin që të përfitojë, në shtrirje dhe zgjerim të 12 miljeve detare. Një hap i tillë nuk duhet të lejohet, se më vonë, nuk zgjidhet aq kollaj e nuk dihet se sa kohë do të dojë. Urgjentisht duhet të thirret një Forum Gjeoshkencor dhe Juridik i së Drejtës Detare Ndërkombëtare, nga institucione shqiptare, që tërë këtyre problemeve t’u japë qartësinë e duhur”, shkruan Pashaj.