‘Partizani’-‘Tirana’ ndahen në “paqe”, ‘Teuta’ drejt titullit kampion pas 27 vjetësh

282
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Lojë e shpejtë, raste të shpërdoruara, traversa, gol të anulluar dhe pretendime për penallti. Kjo është pasqyra e derbit numër 161, të luajtur ditën e djeshme, mes ‘Partizanit’ dhe ‘Tiranës’, e vlefshme për javën e 33-të të Kategorisë Superiore, ndeshje e cila përfundoi në rezultatin 0-0. Nga, ana tjetër ‘Teuta’ kryesuese, bëri detyrën në transfertën me ‘Kastriotin’ duke i mundur, krutanët me rezultatin 1-2. Këto rezultate i japin mundësinë skuadrës së ‘Teutës’, të krijojë një shkëputje prej 3 pikësh në krye të tabelës së klasifikimit, me ‘Partizanin’ e vendit të dytë. Por, këto dy skuadra do të përballen më njëra-tjetrën, më 17 maj, ku ‘Partizani’ do të udhëtojë drejt stadiumit “Niko Dovana”, në Durrës, për të vulosur përfundimisht fatet e kampionatit. Po e nxehtë duket dhe situata në zonën e rënies nga Superiorja, ku ‘Kastrioti’, ‘Skënderbeu’ dhe ‘Bylisi’ po luftojnë me njëra-tjetrën për dy vende në renditje, të cilat mund t’i shpëtojnë këto ekipe nga rënia në Kategorinë e Parë. Për më tepër, le të shikojmë rezultatet e javës së 33-të, të Kategorisë Superiore dhe se si kanë ndikuar ato në renditje:

KATEGORIA SUPERIORE,  Java e 33-të
‘Apolonia’    – ‘Kukësi’ 0-3
( Ibraimi 25’, Dragoshi 55’, Taipi 79’ )
‘Bylis’           – ‘Vllaznia’ 0-1
( Avdijaj 38’)
‘Kastrioti’   – ‘Teuta’ 1-2
( Rezi 71’/  Vila 42’, Bregu 54’ )
‘Laçi’           – ‘Skënderbeu’ 0-0
‘Partizani’   – ‘Tirana’ 0-0

KLASIFIKIMI KATEGORIA SUPERIORE
1. ‘Teuta’                 33          62 pikë
2. ‘Partizani’            33          59 pikë
3. ‘Laçi’                   33          57 pikë
4. ‘Vllaznia’             33          57 pikë
5. ‘Tirana’                33          54 pikë
6. ‘Kukësi’               33          42 pikë
7. ‘Kastrioti’             33          31 pikë
8. ‘Skënderbeu’        33          31 pikë
9. ‘Bylis’                   33          30 pikë
10. ‘Apolonia’             33          20 pikë

‘Apolonia’ 0-3 ‘Kukësi’. Verilindorët të udhëhequr nga tekniku Mirel Josa kanë arritur të fitojnë me rezultatin e pastër 0-3, kundër ‘Apolonisë’ së Fierit, një ndeshje, e cila luhej thjesht për “formalitet”, pasi ekipi i ‘Kukësit’ nuk mundi të sigurojë asnjë nga objektivat e vendosur këtë sezon të Kategorisë Superiore, ndërsa ekipi i ‘Apolonisë’ në bazë të pikëve të grumbulluara në këtë pikë të sezonit, nuk mund të sigurojë dot mbijetesën në Superiore duke rënë zyrtarisht në Kategorinë e Parë. “Kuksianët” e panë këtë përballje si ndeshje nderi, duke bërë kështu një lojë shumë të bukur, të shpejtë dhe me raste të shumta për të shënuar. I pari që e hapi siparin e golave ishte Ibraimi në minutën e 25’ përfitoi nga një top i mbetur në zonë duke e dërguar topin në rrjetë. Në pjesën e dytë erdhën dhe dy golat e tjerë ku Dragoshi në minutën e 55’ dhe Taipi në minutën e 79’, vendosën përfundimisht rezultatin 0-3.
‘Bylis’ 0-1 ‘Vllaznia’. Përballje tejet e vështirë kjo për të dyja skuadrat, ku të dy ekipet kërkonin rezultatin pozitiv, ballshiotët e Dovedan, për të qëndruar në Superiore, ndërsa shkodranët e Brdariç, për të vazhduar luftën për titullin kampion. Këta të fundit arritën ta përmbushnin misionin falë Albion Avdijajt, i cili në minutën e 38’ të ndeshjes, pas koditjes së këndit të ekzekutuar nga Marku kërceu më shumë se lojtarët e tjerë duke e dërguar topin në rrjetë. Pavarësisht rasteve të shumta të krijuara nga lojtarët e Bylisit, ballshiotët nuk ia arritën të ndrronin rezultatin duke mbetur kështu në kuotën e 30 pikëve, 1 më pak se ‘Skënderbeu’ dhe ‘Kastrioti’.

‘Kastrioti’ 1-2 ‘Teuta’. Një transfertë  jo e lehtë në letër për skuadrën e Edi Martinit, me ‘Kastriotin’, që pritej të luftonte më fort pas pozitës, të cilës ndodhet në renditjen e Superiores. Gjithësesi, ekipi i ‘Teutës’ luajti një ndeshje mjaft të bukur, gjë e cila i solli dhe 3 pikë shumë të vlefshme në këtë fazë të kampionatit. Siparin e golave e nisi Lorenco Vila, i cili në minutën e 42’, pas krosimit të ardhur nga Emiliano Vila, “mashtron” bukur mbrojtësit krutanë dhe me një goditje të bukur mposhti portierin Hidi. Pjesa e dytë do të niste e vrullshme për durrsakët, të cilët kërkonin golin e sigurisë. Nuk do të vononte shumë dhe në minutën e 54’, me një goditje fluturimthi Dejvi Bregu, do ta çonte rezultatin në 0-2.  Në minutën e 71’ do të vinte dhe kundërpërgjigjja e krutanëve ku, pas kombineve mes Okebugut dhe Rezit brenda zonës, ky i fundit gjuan fluturimthi duke i shënuar një supergol portieri Frashëri.
‘Laçi’ 0-0 ‘Skënderbeu’. E njëjtë për nga rëndësia me sfidën ‘Bylis’-‘Vllaznia’ ishte dhe përballja mes ‘Laçit’ dhe ‘Skënderbeut’, e cila përfundoi pa gola. Pas kësaj ndeshje kurbinasit e drejtuar nga Shpëtim Duro, qëndrojnë në kuotën e 57 pikë, po aq sa ‘Vllaznia’ e vendit të 4-t, ndërsa korçarët, mbetën të kënaqur me një pikë të marrë nga kjo transfertë shumë e vështirë për ta. Heroi i korçarëve ishte padyshim portieri Bekim Rexhepi, i cili bëri shumë ndërhyrje vendimtare, duke i mohuar kështu disa herë, golin të besuarve të Duros. Nga ana tjetër bardhekuqtë, patën rastet e tyre, por iu mungoi finalizimi duke mos arritur dot të dërgonin topin në rrjetë dhe pse jo të merrnin 3 pikë shumë të vlefshmë për ta në luftën për qëndrimin në Kategorinë Supëriore.
‘Partizani’ 0-0 ‘Tirana’. Siç e thamë në fillim të artikullit kjo ndeshje i kishte të gjitha, lojë të shpejtë, raste të shpërdoruara, traversa, gol të anulluar dhe pretendime për penallti. Rastet e para për shënim i patën të kuqtë e Ilir Dajës, të cilët me Zhunjor u hodhën në sulm që në fillim të sfidës. Pak minuta pas këtij rasti vjen dhe një gol i Çinarit, i cili u anullua nga anësori Myftari. Nuk mbaron me kaq, pasi në fund të pjesës së parë, më saktë në minutën e 40’ ishte Jasir Asani, i cili tronditi traversën e portierit Bekaj, nga goditja e dënimit. Përveç, dy pretendimeve për penallti, bardheblutë e Shehit qëndruan të heshtur në pjesën e parë. Me fillimin e pjesës së dytë nisi dhe reagimi i ‘Tiranës’, të cilët patën një rast të artë me Seferin, i cili nuk arriti të përfitonte pas gabimit të Bardhit. ‘Demat e kuq’, nuk ishin të kënaqur me barazimin, kështu që tentuan deri në minutën e fundit shtesë për të ndryshuar rezultatin, duke dominuar ‘Tiranën’ në minutat e mbetura të sfidës.

Siç e theksuam dhe më lart, barazimi i ‘Partizanit’, mbrëmjen e djeshme i krijon një epërsi prej 3 pikësh ‘Teutës’, me këta të fundit, që përballjen e rradhës e kanë pikërisht me ‘Partizanin’. Përballje kjo, e cila do të vulosë fatet e kampionatit. Për më tepër le të shikojmë përballjet e javës së 34-ët, të Kategorisë Superiore.
Kategoria Superiore – Java 34
E hënë, më 17 maj 2021
Ora 17:00 | ‘Kukësi’            –  ‘Bylis’
Ora 17:00 | ‘Teuta’               – ‘Partizani’
Ora 17:00 | ‘Vllaznia’          –  ‘Kastrioti’
Ora 17:00 | ‘Tirana’             –  ‘Laçi’
Ora 17:00 | ‘Skënderbeu’    –  ‘Apolonia’