Kollozi, mbledhje urgjente Këshillit Bashkiak: Llogari bashkisë për përgatitjet e Pavarësisë

491
Sigal

Kreu i PD-së së Vlorës iu rikthehet punëve të partisë. Synimi i takimit me këshilltarët e djathtë, situata aktuale në qytet

Ardian Kollozi ju rikthehet punëve të partisë në qytetin e Vlorës. Kryetari i PD ka mbledhur në një takim të posaçëm këshilltarët e djathtë në këshillin bashkiak të qytetit. Situata aktuale në qytet, investimet e lëna pezull, zvarritja e punimeve dhe për më tepër mos bërja publike e programit të festës, kanë shërbyer si pretekst, sipas Kollozit për të ndërmarrë një hap, që ia jep të drejtën rregullorja e Këshillit Bashkiak. Gjatë bashkëbisedimit me këshilltarët Kollozi ka kërkuar dhe njëherësh ka dhënë mendime lidhur me disa nisma që do të marrë ky subjekt politik në kuadër të festës së 28 Nëntorit, ditës së 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. “Më përpara,- është shprehur Kollozi të hënën, -do të depozitohet një kërkesë zyrtare tek sekretari i Këshillit Bashkiak, për të bërë një mbledhje jashtë radhe, sa më shpejt të jetë e mundur, për t’i kërkuar llogari Kryetarit të Bashkisë, Gjika dhe administratës që drejton, për të parë situatën se ku ndodhet Vlora në prag të 100- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, me investimet si dhe përgatitja e atmosferës festive.

Shkaku

Sipas Kollozit ky hap duhet ndërmarrë, pasi për festën jubilare duhet të kontribuojnë të gjithë, sepse Vlora është e të gjithë vlonjatëve, por më tepër është shqetësimi se punët po ecin avash, me investimet jemi shumë prapa dhe nuk dihet nëse punët e nisur do të përfundojnë deri në ditën e festës. Për këto arsye- ka vijuar ai, duhet të japë llogari bashkia, që është përgjegjëse për mos realizimin e programeve dhe investimeve që janë planifikuar për 28 Nëntorin.

Nismat

Njëherësh Kollozi dhe këshilltarët e spektrit të djathtë janë angazhuar për të marrë disa nisma dhe veprimtari duke angazhuar edhe shoqërinë civile si dhe njësi të pushtetit vendor. Kësisoj në bashkëpunim me Komunën Qendër, Sevaster, Kaninë apo Bashkinë e Himarës do të planifikohen aktivitete kulturore, artistike e shkencore në nderim të kësaj date historike, duke lënë pas politikën dhe shërbyer komunitetit dhe bërë të njohura vlerat e kësaj ditë të shënuar për të gjithë shqiptarë.