Kokaina në Durrës, 3 të arrestuar, ngarkesa u nis nga Ekuadori

280
Sigal

Rreth 15 kile kokainë është sekuestruar këtë të hënë në Portin e Durrësit në një kontenier me banane të porositur nga kompania “Alba Exotic Fruit”.

Droga ishte e ndarë në 14 pako të fshehura në hapësirën e kondicionerit të mjetit, ndërsa të shoqëruar përfunduan 3 persona, ndër ta edhe dy administrator të kompanisë.

Kokainë ishte e ndarë në 14 pako kishte mbërritur disa ditë më parë nga Ekuadori.

Nga mediat u bë me dije se nga verifikimet paraprake rezultoi se kontenieri, i cili kishte destinacion përfundimtar Shqipërinë dhe sasia e bananes ishte porositur nga “Alba Exotic Fruit”, ka kaluar tranzit nga Maroku, Greqia dhe më pas është futur në Durrës.

Policia e Shtetit ka shoqëruar tre persona, një prej tyre shoferi i cili është paraqitur për ta tërhequr në Port, ndërsa dy të tjerët janë menaxherë të kompanisë private, Eduart Dauti dhe Barjon Gumeni.

Por kompania nuk është hera e parë që përfshihet në raste të trafikut të lëndëve narkotike.

‘Alba Exotic Fruit’ ishte kompania që në vitin 2019 u gjetën 137 kilogram kokainë me të njëjtin itinerar që ishte zëvendësuar me oriz në Greqi pas konstatimit nga DEA.

Në atë kohë për rastin u vunë në pranga Ardian Bega dhe Altin Mislihaka, ndërsa si person kryesor në rolin e pritësit u shpall në kërkim Gentian Malindi.

Sepse u futën në Portin e Durrësit për të marr lëndën narkotike.

Në atë kohë administrator i kompanisë Eduart Dauti edhe gjatë komunikimeve që kishte për mediat ka mohuar të kishte dijeni për drogën.

As Prokuroria për Krime të Rënda nuk arriti të gjente në atë kohë një lidhje mes tij dhe sasisë së kokainës, ndërsa në media Dauti do të tregonte se kontenierët në të cilin u gjet dhe droga ishin vonuar më shumë së porositë e tjera.

Policia e mbajti në vëzhgim kontenierin për disa ditë, ndërsa këtë të hënë është bërë ndërhyrja.

Ndërkohë, gjatë momentit të kontrollit efektivët e Policisë në Durrës teksa ishin në operacion kanë shkaktuar një situatë ironike.

Agjentët e antidrogës kanë harruar për një moment ngarkesën e kokainës dhe u janë vënë nga pas gazetarëve duke i fshirë pamjet që kishin xhiruar.

Këtë veprim agjentët e kanë justifikuar me nxjerrjen e sekretit hetimor, por ky pretendim nuk qënsdron në momentin që gazetarët dhe operatorët kanë qenë jashtë murit rrethues të Portit të Durrësit dhe po filmonin aksionin e Policisë në një vend publik.

Kjo situatë vjen në një kohë, kur si në këtë rast dhe në raste të tjera agjentët nuk provojnë dot destinacionin final të kokainës, e problemin e gjejnë te misioni i gazetarëve për të informuar.