Çamëria si vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor

982
Sigal

Shqiptarët
e Çamërisë në rrjedhat e shpërnguljeve të dhunshme, aspekte të zhvillimit
gjeopopullativ                                                                                             

 

Enver Kushi

 

 Historia e shqiptarëve të Çamërisë në rrjedhat
e shpërnguljeve të dhunshme, aspekte të zhvillimit gjeopopullativ

 

1.  
Selman Sheme,
pedagogu dhe studiuesi i njohur.

 

Prof. Dr
Selman Sheme është emër i njohur dhe me kontribute të spikatura në fushën e
pedagogjisë dhe studimeve gjeografike, veçmas atë regjionale. Si asistent,
ligjërues, doktor shkencash dhe profesor i ‘Gjeografisë regjionale të botës” në
vitet 1969-1997, në Universitetin e Shkodrës dhe më pas profesor në
Departamentin e Gjeografisë të Universitetit të Tiranës. Selman Sheme, me punën,
pasionin, korrektësinë që e karakterizon ka dhënë dhe vazhdon të japë ndihmesë
të veçantë për përgatitjen e brezave të tërë në fushën e arsimit dhe më gjerë. Prof.
Dr Selman Sheme është autor i shumë teksteve mësimore universitare, për
shkollat 9-vjeçare dhe të mesme. Kontribut të madh ka dhënë ai për studimin dhe
ndriçimin e jo vetëm të historisë së Çamërisë, por në mënyrë të veçantë të
gjeografisë, popullsisë dhe monumenteve natyrore dhe kulturore të kësaj
krahine. Vlen të përmendim monografi të tilla si; “Çamëria-vendi, popullsia dhe
jeta ekonomike”, “Monumente natyrore dhe kulturore të Çamërisë”, “Gjeohapësira
e Konispolit”, “Epiri i jugut, Çamëria”. Botimi i fundit “Çamëria, vështrim
gjeopopullativ dhe etnokulturor”, mendoj se është kontribut tjetër i prof. Dr
Selman Shemes, që i shtohet bibliotekës tashmë të pasur për krahinën mitike të Çamërisë.
Ai,siç shkruan, në “Shqyrtime hyrëse”, të librit, “…jemi përpjekur të
sqarojmë dhe analizojmë disa nga etapat më të rëndësishme të lëvizjes migruese
dhe aspekte të zhvillimit gjeopopullativ dhe etnokulturor të popullsisë së Çamërisë,
trajtuar në rrafshin sinkronik dhe diakronik, duke i parë këto dukuri, në
sfondin e zhvillimit historik, ekonomiko-shoqëror e kulturor të Regjionit te Çamërisë.
Libri i Prof. Dr Selman Shemes ka një strukturë policentriste, ose me shumë
qendra, ku secila prej tyre ka peshën e vet, por që në fund të fundit ato, ose
12 kapitujt, ashtu si planetet rrotullohen rreth një boshti qendror : Çamërisë.
Çamëria për lexuesin e vëmendshëm, pasi mbyll faqen e fundit të këtij libri,
del më e ndriçuar, që nga lashtësia dhe deri në ditët tona. Autori ndalet në
kulturën materiale iliro-arbërore në trevën e Çamërisë, lëvizjet migruese të
popullsisë shqiptare të Çamërisë në shek XIV-XV-të, popullsia dhe vendbanimet në
Çamëri gjatë Sundimit Osman, trojet shqiptare ne shek e XIX-të, Kriza Lindore
dhe aneksimi i Çamërisë, kontributi i rilindësit Hoxha Hasan Tahsini në
mbrojtje të trojeve jug-shqiptare të Çamërisë, shqiptarët e Çamërisë në
rrjedhat e shpërnguljeve të dhunshme, aspekte të zhvillimit gjeopopullativ, në
Epir-Çamëri, ekonomia në rrjedhat e historisë, trashëgimia etnokulturore e
regjionit të Çamërisë, komuniteti çam dhe ndërgjegjja regjionale, shqiptarë etnik
të regjionit të Kosturit.

 

2.  
Trashëgimia
etnokulturore e Regjionit të Çamërisë

 

Ky është
kapitulli X i librit “Çamëria, vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor”, i
Prof. Dr Selman Shemes dhe ndoshta nga më të rëndësishmit e tij, ku tutori
sjell risi dhe kontribute në këtë lëmë, duke pasuruar dhe çuar më tej studimet
e pakta në këtë fushë. Për fat të keq për etnokulturën e Çamërisë akoma nuk
kemi studime të plota, monografi, si për etnokulturën në tërësi, por edhe për
anë të veçanta apo personalitete te shquara të saj dhe një kolanë për mitet,ritet
përrallat, baladat, të drejtën zakonore, banesën karakteristike, epikën dhe
lirikën, vallen Çame etj. Sot, jo vetëm në Ballkan, që megjithëse po hedh hapa
drejt evropianizimit të tij, por edhe në hapësirën evropiane e më gjerë,
kultura, në kuptimin metaforik është bërë shesh beteje, jo vetëm me
globalizmin, por edhe në deformimin dhe tjetërsimin e vlerave të saj. Në këtë
shesh-betejë nuk ka armë, tanke, avionë luftarakë, por luftohet “qetësisht”, me
ca “armë” të tjera, pa zhurmë ku bëhen përpjekje, qoftë nihiliste, qoftë edhe në
emër të globalizmit, për t’i shuar vlerat e etnokulturës dhe veçmas për t’i bërë
ato vlera të tyre, duke mos i parë kulturat si ura miqësie dhe komunikimi mes
popujve, që kanë dhënë e kanë marrë mes tyre. Në hapësirat gjeo-etnokulturore të
Shqipërisë së Sipërme, Eposi i Veriut, prej gati 150 vitesh, është vënë në “shënjestër”
të shumë studiuesve serbë për ta pronësuar atë. Në hapësirat gjeo-etnokulturore
të Shqipërisë së Poshtme, më saktë në ato të Epirit tonë, fqinjët tanë grekë, që
nga themelimi i shtetit të tyre, krahas ekspansionit për marrjen e trojeve
shqiptare, akoma edhe në ditët tona kanë pronësuar dhe po pronësojnë pasurinë e
jashtëzakonshme të etnikulturës së Çamërisë. Aspekt tjetër i kësaj “lufte”, në
fushën e etnokulturës ka të bëjë me harresën, fshirjen, shkatërrimin, apo edhe
tjetërsimin e kujtesës Çame në Çamëri. Ky është një krim tjetër, pa gjak, pa të
vrarë apo të masakruar, por po aq tragjik sa masakrat dhe dëbimi i mijëra çamëve
në vitet 1944-1945. Libri i Prof. Dr Selman Shemes është risjellje, ringjallje,
risendërtim jo vetëm në rrafshin historik, gjeografik, por edhe në rrafshin shpirtëror
dhe etnokulturor të Çamërisë. Në gati 60 faqe të kapitullit “Trashëgimia
etnokulturore e Regjionit të Çamërisë”, kam ndjerë të lëvizin dhe ringrihen ca
hapësira të tjera, po aq të rënda e të fuqishme sa edhe ato të historisë dhe
gjeografisë së kësaj treve nga më të begatat edhe befasuese në fushën e
etnokulturës, që përbëjnë shpirtin e patjetërsueshëm çam. Të parët tanë, mes
tmerrit dhe llahtartës që panë në vitet 1944-1945, morën me vete, si ca gurë të
mëdhenj, edhe mitet, baladat, ritet, këngët dhe vallet, kostumet, gjuhën e
lashtë sa hëna, si dhe pamjet e shtëpive, furrave, bahçeve të mbjella, aromën e
veçantë të gatimeve karakteristike etj. Mendoj se ky kapitull i librit te Prof.
Dr. Shemes është edhe një homazh për bartësit dhe ruajtësit çamë të këtyre
vlerave në Shqipëri. Autori i kësaj monografie Prof. Dr Selman Sheme, me
seriozitetin e studiuesit, na sjell këtë pasuri të rrallë, si dhe vlerësimet e
të huajve për etnokulturën çame, që nuk ishin emra dosido, por personalitete të
njohura në Europë dhe më gjerë. Kjo trashëgimi kulturore vjen e plotë në këtë
libër, ku autori shpalos tiparet dhe veçoritë e mjediseve të banimit, veshjet
dhe shtrojat, kulinarin çame dhe identitetin regjional, e drejtat zakonore të
shqiptarëve të Çamërisë (Adetet), Çamërishten –dialektin arkaik të shqipes, këngët
dhe vallet çame, Çamërinë, hapësirën kulturore në rrezik. Veçanërisht,
monografia e Prof. Dr Shemes, sjell risi në studimin e veçorive dhe mjediseve të
banimit dhe te drejtën
zakonore
të shqiptarëve të Çamërisë (ADETET), fusha këto pak të njohura dhe akoma më pak
të studiuara. Do t’i sugjeroja autorit që në të ardhmen, krahas thellimit të punës
së tij kërkuese e shkencore në këto fusha, të mund të publikojë një monografi më
të plotë për etnokulturën e Çamërisë. Kjo, jo vetëm do të plotësonte një
boshllëk në këtë fushë, por do të ndihmonte për njohjen më të mirë të kësaj
pasurie të jashtëzakonshme.

 

3.     
Apeli
dhe zëri i Prof. Dr. Selman Sheme

 

Vlerësoj
në këtë kapitull edhe apelin dhe zërin që Prof Dr Selman Sheme bën për Çamërinë,
si hapësirë kulturore në rrezik. Zëri i autorit është legjitim dhe i drejtohet
opinionit të shëndoshë shkencor në Greqi dhe autoriteteve greke, organizmave ndërkombëtarë,
si UNESCO, Monumentet në Rrezik, organizatës Britanike “Shpëtoni trashëgiminë në
Europë”, shtetit shqiptar, për ta detyruar Greqinë të njohë problemin dhe të
marrë hapat e duhura për ta zgjidhur atë. Gjendja e turpshme e ruajtjes së
shumicës së kësaj trashëgimie shqiptare duhet të bëhet një çështje e
shqetësimit ndërkombëtar, ngre zërin në fund autori dhe duket sikur me këtë zë,
janë edhe mijëra të tjerë që vijnë nga gërmadhat dhe rrënojat e një qytetërimi
të lashtë, që i bën nder jo vetëm Shqipërisë, Ballkanit, Europës, por edhe
Greqisë së vlerave dhe pasurisë së madhe në fushën e trashëgimisë kulturore.
Kultura çame ka qenë dhe mbetet një nga urat e mëdha të miqësisë dhe
komunikimit mes Shqipërisë dhe Greqisë, mes popujve tanë, që i duan dhe i
respektojnë këto vlera dhe që kanë marrë dhe dhënë mes tyre. Duket sikur Prof. Dr
Selman Sheme në këtë kapitull dhe në tërësi në librin e sapo botuar “Çamëria-vështrim
gjeo-popullativ dhe etnokulturor”, me të vërtetat shkencore që shpalos, ka
ringritur këmbën e njërës prej këtyre urave.

     Tiranë
– Spatar, vjeshtë e dytë 2016