Kryebashkiaku Veliaj i jep “Çelësin e Qytetit” Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti

363
Sigal

Në 100-vjetorin e dytë të shpalljes Kryeqytet i Shqipërisë, Tirana i dha Kryeministrit të Kosovës “Çelësin e qytetit”, si simbol i një dere të hapur për të gjithë vëllezërit tanë kosovarë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim Kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, i cili zgjodhi kryeqytetin shqiptar për vizitën e tij të parë zyrtare. “Dua t’i uroj mirëseardhjen kryeministrit Hoti dhe delegacionit nga Kosova. Është një kënaqësi e veçantë kur shoh se Kosova ecën përpara, që zhvillohet. Në këto kohë sfiduese për Kosovën, e di që ka një barrë të vështirë për të mbajtur dhe barra më e vështirë është për ta mbajtur popullin të bashkuar, për të mbajtur frymën pozitive, kokën lart dhe sytë përpara. Ndaj, dua që ky çelës të jetë simboli i një dere të hapur i Tiranës”, tha Veliaj. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për këtë nderim dhe shprehu vlerësimet për punën e tij në mirëmenaxhimin e qytetit. “Jam vërtet i nderuar në 100 vjetorin e Tiranës edhe si dikush që ka punuar në pushtetin lokal ju kam zili për pasionin që keni për punën. Ju uroj çdo të mirë edhe sukses”, tha Hoti. Veliaj dhe Hoti biseduan edhe për krijimin e lehtësirave për studentët në të dyja anët e kufirit. “Teksa futemi në 100-vjetorin e dytë të Tiranës kryeqytet, besoj se ajo do të jetë edhe më e hapur për biznes, për të rinjtë dhe ata që e shohin si shtëpinë e tyre të dytë. Jam i lumtur që folëm me kryeministrin për mundësitë e të rinjve dhe do të doja shumë që Karta e Studentëve të Shqipërisë të vlejë në Kosovë. Ne jemi shumë të gatshëm që kartat e studentëve kosovarë të vlejnë në Tiranë dhe të përfitojnë nga këto lehtësira”, nënvizoi Veliaj. Ai vlerësoi edhe dakordësinë e arritur mes dy kryeministrave për të rritur bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, e veçanërisht atë për Portin e Durrësit.