KLSH kallëzon në Prokurori Damian Gjiknurin

596
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar drejtues të lartë të dikasterit të Energjetikës, ish-administratorin e “CEZ-Shpërndarje” dhe dy ish-drejtues të kësaj kompanie, pasi dyshohet se kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej 32 039 438 euro. Sipas njoftimit të KLSH-së mësohet se është shkaktuar një dëm prej 9,727,223 euro nga blerja e energjisë elektrike gjatë periudhës janar – korrik 2014. Gjithashtu është shkaktuar një dëm prej 11,082,68 euro nga mbifaturimi i konsumatorëve me pasojë uljen artificiale të humbjeve teknike dhe 4,359,882 euro nga procedurat e blerjes së materialeve dhe pajisjeve elektrike. Nga auditimi i blerjes së energjisë elektrike, për periudhën janar – korrik 2014, nga “CEZ-Shpërndarje” rezultoi se është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 2, 96 miliard lekë, ose 21,238,860 euro, si rrjedhojë e blerjes së energjisë elektrike me çmime më të larta se ato të tregut. Nga moszbatimi i rregullt i procedurave të blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në sistem, për periudhën janar-korrik 2014, nga shoqëria “CEZ -Shpërndarje” është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 9,727,223.4 euro. Blerja e energjisë elektrike është kryer me çmime shumë më të larta se çmimet e tregut (përfshirë dhe kostot të transportit të energjisë), nga 7.94 euro deri në 13.12 euro për Mwh. Shkelje janë vënë re dhe lidhur me mbifaturimin e konsumatorëve me pasojë uljen artificiale të humbjeve teknike. Nëpërmjet uljes artificiale të humbjeve teknike është shkaktuar një dëmtim i interesave të ligjshme të shoqërisë “KESH” sha dhe buxhetit të shtetit për 2014, në vlerën 11,082,687 euro. Konkretisht për vitin 2014 u konstatua se në mënyrë artificiale janë ulur humbjet teknike, veprim i cili është kryer me fatura të dyshimta (mbifaturim, keqfaturim, faturim të abonentëve pa adresë si dhe abonentë që nuk kanë arkëtuar asnjëherë etj), si pasojë e të cilës i është krijuar një dëm ekonomik shoqërisë “KESH” dhe buxhetit të shtetit në vlerën 11,082,687 euro. Ky faturim është bërë në mënyrë abuzive dhe të pasaktë, pasi reflekton një sasi të pa konsumuar të energjisë elektrike, por edhe një faturim fiktiv me abonentë që nuk kanë arkëtuar asnjëherë. Po ashtu, nëpërmjet blerjes së energjisë elektrike nga tre kompani të lidhura ndërmjet tyre (një kompani mëmë dhe dy bija), për mbulimin e humbjeve të energjisë në sistemin e shpërndarjes për periudhën korrik 2014-mars 2015, është shmangur konkurrenca, duke sjellë dëm ekonomik për llogari të shoqërisë “CEZ-Shpërndarje” dhe më pas për OSHEE në vlerën 428,950 euro.
Raporti i plotë i KLSH
KLSH ushtroi auditim në shoqërinë “Operatori i Shpërndarjes së Energjisë elektrike (OSHEE), në përfundim të të cilit është konstatuar një dëm tërësor ekonomik në vlerën 32,039,440 euro, si dhe të ardhura të munguara për shoqërinë OSHEE dhe për Buxhetin e Shtetit në vlerën 5,630,713 euro, duke depozituar njëkohësisht pranë organit të Prokurorisë edhe kallëzimin penal nr. 495/21, datë 25.09.2015 për ministrin Gjiknuri, ish-Administratorin e “CEZ-Shpërndarje”, si dhe dy ish drejtues të lartë të saj shoqërie, për periudhën kur kjo shoqëri ka qenë nën administrim të përkohshëm të shtetit shqiptar. Në periudhën 21.01.2013 deri me datë 30.06.2015, nga auditimi është evidentuar keqmenaxhimi i kësaj shoqërie për sa i përket: blerjes së energjisë elektrike, zbatimit të procedurave të blerjes së materialeve dhe pajisjeve elektrike, zbatimit të procedurave të prokurimit publik, sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit, dhënies së pagave dhe shpërblimeve dhe hartimin e mbajtjen e pasqyrave financiare.
Blerja e energjisë
1). Nga auditimi i blerjes së energjisë elektrike, për periudhën Janar – Korrik 2014, nga “CEZ-Shpërndarje” rezultoi se është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 2,96 miliard lekë, ose 21,238,860 euro, si rrjedhojë e:
a). Blerjes së energjisë elektrike me çmime më të larta se ato të tregut
Nga moszbatimi i rregullt i procedurave të blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në sistem, për periudhën Janar-Korrik 2014, nga shoqëria “CEZ-Shpërndarje” është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 1,357,823 mijë lekë ose 9,727,223.4 euro. Konkretisht blerja e energjisë elektrike është kryer me çmime shumë më të larta se çmimet e tregut (përfshirë dhe kostot të transportit të energjisë), nga 7.94 euro deri në 13.12 euro për Mwh. 
b). Mbifaturimit të konsumatorëve me pasojë uljen artificiale të humbjeve teknike.
Nëpërmjet uljes artificiale të humbjeve teknike, është shkaktuar një dëmtim i interesave të ligjshme të shoqërisë “KESH” sha dhe buxhetit të shtetit, për 2014, në vlerën 1,547,032 mijë lekë, ose 11,082,687 euro. Konkretisht në 2014 u konstatua se në mënyrë artificiale janë ulur humbjet teknike, veprim i cili është kryer me fatura të dyshimta (mbi faturim, keq faturim, faturim të abonentëve pa adresë si dhe abonentë që nuk kanë arkëtuar asnjëherë etj), si pasojë e të cilës i është krijuar një dëm ekonomik shoqërisë “Kesh” sh.a dhe buxhetit të shtetit në vlerën 1,547,032 mijë lekë, ose 11,082,687 euro. Ky faturim është bërë në mënyrë abuzive dhe të pasaktë, pasi reflekton një sasi të pa konsumuar të energjisë elektrike, por edhe një faturim fiktiv me abonent që nuk kanë arkëtuar asnjëherë (të cilët rezultojnë aktiv nё sistemin e faturimit, ndoshta nuk ekzistojnë etj).
c). Blerjes së energjisë elektrike nga kompani të lidhura ndërmjet tyre.
Nëpërmjet blerjes së energjisë elektrike nga tre kompani të lidhura ndërmjet tyre (një kompani mëmë dhe dy bija), për mbulimin e humbjeve te energjisë në sistemin e shpërndarjes për periudhën Korrik 2014 – Mars 2015, është shmangur konkurrenca, duke sjellë si pasojë një dëm ekonomik për llogari shoqërisë “CEZ-Shpërndarje” dhe më pas për OSHEE, në vlerën 59,877 mijë lekë ose 428,950 euro.
Blerja e materialeve dhe pajisjeve elektrike
2). Nga auditimi i blerjes së materialeve dhe pajisjeve elektrike nga shoqëria “CEZ- Shpërndarje”, përgjatë vitit 2014, rezultoi që është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 4,359,882 euro, si rrjedhojë e shkeljeve të procedurave të tenderimit të vendosura nga ERE në “Rregullore e Prokurimeve të CEZ-Shpërndarje”, lidhur me trajtimin e procedurave si raste emergjente, realizimit të tyre me një fazë negocimi, kryerjes së shtesave të kontratave në vlera të konsiderueshme që arrinin deri në 50% apo 70 % të vlerës së kontratës bazë, si dhe blerjes në disa raste të materialeve dhe pajisjeve elektrike pa zhvilluar procedura tenderimi.
(Vijon numrin e ardhshëm)
Sigal