Pro dhe kundër draftit të PS për ndryshime në Kushtetutë, për Presidentin, KLD dhe Kryeprokurorinë

Alfred Moisiu: Presidenti të zgjidhet nga populli dhe jo të jetë palë me politikën

Pavarësisht nga ndryshimet e kompetencave të Presidentit, në strategji nuk përmendet mënyra e zgjedhjes së Presidentit, të cilën e kosideroj shumë të rëndësishme. Nuk mund të zgjidhen kontradiktat që vinë si rrjedhojë e veprimeve personale, jo të peshuara mirë, vetëm duke formuluar rregulla dhe ligje që t’i pengojnë, por duke zgjedhur në vendet kyçe njerëz që venë interesat e kombit mbi ato partiake dhe personale. Sado që të bëhen ndryshime kompetencash, kam bindjen se politika në të gjitha rastet do të vazhdojë të përpiqet për ta bërë Presidentin palë të saj. E pra, kjo mund të evitohet vetëm duke zgjedhur njerëzit e duhur për atë detyrë dhe duke e zgjedhur Kryetarin e Shtetit direkt nga populli. Nuk e kuptoj pse deri tani, tek ne hezitohet për të dalë në një zgjidhje të tillë, kur pothuajse e gjithë ish-lindja e zgjedhin presidentin direkt nga populli. 
Ambasadori Lu: Gjykatësit, prokurorët e politikanët e korruptuar duhet të luftohen
Ne shqetësohemi për gjykatësit e korruptuar, për politikanët kriminelë dhe një sistem në të cilët e blejnë drejtësinë e tyre. Lufta për reformën në drejtësi sapo ka nisur. Njerëz me integritet, në të Majtë dhe në të Djathtë, besohen në këtë luftë. Gjykatës, prokurorë dhe politikanë të korruptuar dhe të paaftë do t’i përgjigjen kësaj reforme. Ne nuk duhet t’i lejojmë ata të fitojnë. Kjo reformë është reforma e vetme, më e rëndësishme që prej rënies së komunizmit. Kjo tejet e rëndësishme për këtë brez, por gjithashtu, edhe për fëmijët e nipërit e mbesat tuaj. 
Marjana Semini: Edukimi rrënjët i ka të hidhura, por frutat i ka të ëmbla
Kur flasim për reformën në drejtësi mendja dhe sytë na shkojnë tek Kushtetuta dhe institucionet kushtetuese, tek Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, apo Prokuroria e Përgjithshme dhe na ngelet paksa më në hije pjesa e edukimit ligjor. Por çfarë lidhjeje ka edukimi ligjor me reformën në drejtësi? Unë do të thosha që ishte një largpamësi e atyre që bënë strukturën e reformës, që e parashikuan si një nga komponentët e saj. Edukimi ligjor lidhet me shkollimin, trajnimin, specializimin, programet, tekstet, pedagogët dhe duket që në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk është pjesë e asaj reformës që ne mendojmë në momentin e parë, por po të shikojmë pak më tutje, do të shohim që jemi para njërit nga komponentët që është i domosdoshëm sepse në emër të popullit, miratojmë ligje, jepet drejtësia, të merret prona, dënohesh me heqje lirie. Por kush janë ata që vendosin? Mua më pëlqeu binomi “Drejtësia dhe dhënia e drejtësisë”. Ne po kalojmë një nga ato kohë, ku ky binom nuk ka marrë shenjën e barazimit midis këtyre dy elementëve kryesorë të tij, por është bërë drejtësia kundër dhënies së drejtësisë. Pra ka ardhur momenti që të mendojmë për edukimin e të gjithëve. Kur flasim për drejtësi flasim për institucione dhe ato i përbëjnë njerëzit. Kur flasim për drejtësi flasim edhe për popullin i cili duhet të vëzhgojë, të vlerësojë, të kritikojë dhe lavdërojë, por që ta bëjë këtë duhet të ketë kulturën e duhur juridike. Nuk mund të ketë reformë te suksesshme në formatimin e kushtetutës apo të ligjeve, në përzgjedhjen e modelit të shtetit dhe të institucioneve të tij. Nëse nuk ka një reformë në mendjet dhe në ndërgjegjen e njerëzve, në dijet dhe edukimin e tyre, këtu fillon pikënisja e një reforme. Do të thosha që edukimi ligjor i publikut mbetet një nga komponentët kryesorë të pjesës së edukimit ligjor. Edukimi ligjor i publikut fillon me njohjen e ligjit, me zbatimin e tij, me edukimin e ndjenjës së drejtësisë, parësisë dhe respektit për njëri-tjetrin, me njohjen dhe respektin e prioritetit të interesit publik me atë privat, me respektimin e barazisë dhe të drejtave të njëri-tjetrit, me edukimin e ndjenjës së mos-heshtjes. Të mos heshtim në rastet kur ka shkelje të ligjit dhe padrejtësi sepse në këtë mënyrë ky edukim do të ndihmojë edhe institucionet ta bëjnë punën e tyre më mirë. Ka ardhur koha të mendojmë të gjithë se si do ta kryejmë edukimin e të gjithëve. Njerëzit e ligjit duhet të bëjnë punën e tyre, ndërsa politika duhet të bëjë të vetën. Pedagogët po ashtu. Media dhe familja duhet të ushtrojë ndikimin e tyre. Edukimi i fëmijëve është një nga komponentët më të rëndësishëm të edukimit ligjor pavarësisht nga mosha. Si të jenë fëmijët e një kombi sot ashtu do të jetë vetë kombi nesër. Në qoftë se do të vërejmë arsimin para universitar, shohim që ka njohuri juridike dhe kjo është gjë pozitive. Por ato përsëriten me të njëjtat tema dhe nuk ndjekin një rritje spirale, pra në vend numëro, që do të thosha janë të paplota. Tek ne mungon edhe edukimi ligjor i edukatorëve të tyre dhe mësuesve. Për sa i përket edukimit ligjor universitar mbetet një nga sfidat e së ardhmes dhe një nga komponentët kryesor, sepse ai nxjerr profesionistët. Janë shtuar diplomat dhe programet bashkëkohore, burimet e informacionit dhe literaturat që duhen parë pozitivisht. Por a jemi të kënaqur nga ky fluks universitetesh? A i përgjigjet numri i të diplomuarve në drejtësi nevojave të tregut? A kemi së fundmi brezat më të mirë të juristëve në Shqipëri? Përgjigja ka të bëjë me shtimin e juristëve në sasi, por që nuk e kanë ndjekur dhe shoqëruar këtë proces në cilësi. Sot kemi një program 3+2, Bachelor dhe Master dhe mbasi mbaron bachelorin nuk punon dot si jurist, nuk bëhesh dot avokat, noter, gjyqtar apo prokuror. Bachelor të jep njohuri bazike dhe shumë sipërfaqësore. Nga ana tjetër kemi një master që të specializon në mënyrë të ngushtë, të specializon në penale, në publike ose në civile. Ku do të mësohen lëndët e thelluara bazë? Në qoftë se ti ndjek drejtimin penal, ti nuk bën civilen dhe administrativen. E njëjta gjë ndodh edhe për dy drejtimet e tjera. Ti nuk shkon askund. Unë them se ti sot je një jurist më i dobët se ai i viteve më parë. Kështu që një nga sugjerimet e reformës që diploma e fakulteteve të drejtësisë të jetë e integruar në 5-vjeçare. Më vjen mirë ta them që është marrë në konsideratë nga projektligji i arsimit të lartë. Pra nuk do të ketë më për këtë lloj profile një ndarje 3+2. A janë të gjitha shkollat e larta të akredituara dhe të gjitha diplomat ekuivalente? Për të mos pasur diskriminime nga tregu dhe për të mos thënë që ky fakultet i shet diplomat dhe ky tjetri jo. Është vlerësuar dhe është marrë në konsideratë nga projektligji që të ketë një provim shteti sipas modelit gjerman ku të gjithë juristët e diplomuar që duhet të ndjekin disa profile për arsimin e tyre pasuniversitar, siç është për tu bërë gjyqtar, prokuror, avokat duhet të ndjekim dhe duhet të japim provimin e shtetit. Besoj se, ndonëse projektligji është në ato procedurat e miratimit të tij, them që këto dy komponentë do të mbeten. Edukimi pasuniversitar ka marrë një histori pozitive. Me shkollën e Magjistraturës dhe me atë të Avokatisë, por nuk është e njëjta gjë për përparuesit, noterët dhe ndërmjetësit, sepse edukimi i administratës dhe i policisë së fundmi është përmirësuar. 
Akademiku, Luan Omari: Të rishikohet procedura e Presidentit të Shqipërisë
Konstitucionalisti,Luan Omari kërkon që reforma në drejtësi të rishohë,mënyrën sesi zgjidhet presidenti i vendit. Ndryshimet kushtetuese të 2008 që mundësuan zgjedhjen e presidentit me shumicë të thjeshtë, deklaroi ai, vërtetuan se ai humbi misionin e përfaqësimit të unitetit kombëtar, sikundër ka shkaktuar debatin e shpeshtë për kompetencat e kreut të shtetit në raport me institucionet e tjera. “Për t’i hapur rrugë rrugëzgjidhjes së Presidentit të ri, që të gëzonte besimin e të gjithë forcave politike në Parlament, do të ishte e udhës të rivendoseshin zgjedhje të lira me shumicë të cilësuar, duke kushtëzuar mosrealizimin e saj me shpërndarjen e Kuvendit. Mund të shqyrtohej dhe mundësia e zgjedhjes nga një asamble e posaçme, e përbërë jo nga deputetë po nga të deleguar të këshillave të qarqeve”, tha konstitucionalisti, Luan Omari. 
Njazi Jaho: Mandati i prokurorit të jetë 9 vjeçar dhe të zgjidhet me 84 vota
Do të sugjeroja të rishikoheshin ato pjesë të neneve 148 dhe 149, ku bëhet fjalë për ushtrimin e funksionit të centralizuar, procedura për emërimin dhe shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe ajo e emërimit të prokurorëve të tjerë. Të rishikohej gjithashtu edhe mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, si edhe kuorumi për emërimin dhe shkarkimin e tij. Lidhur me procedimin e emërimit dhe të shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të prokurorëve të tjerë, kam mendimin se ky mund të ishte ndryshimi më kryesor dhe ndoshta edhe më i diskutueshëm. Kam mendimin se do të ishte në interes të një prokurorie vërtet të pavarur, me drejtues dhe punonjës të aftë profesionalisht dhe me integritet më të besueshëm dhe me objektiv me zgjidhjen e çështjeve, nëse me kompetenca të tilla do të ngarkohej Këshilli i Prokurorisë. Po si do ta konceptoja unë realizimin e këtyre kompetencave? Së pari, do të sugjeroja që shumica e anëtarëve të Këshillit të ishin nga prokurorë të zgjedhur në bazë të kritereve ligjore. Së dyti, Në përbërjen e këtij këshilli të përfshiheshin edhe ekspertë të tjerë, me përvojë të ndershëm dhe me integritet, por jo nga ekzekutivi, legjislativi dhe Presidenti. Së treti. Propozimin për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Këshilli me të gjitha të dhënat përkatëse të parashikuara në ligj, t’ia dërgonte Presidentit të Republikës, i cili në raste të veçanta, por të motivuara, mund të mos e miratonte këtë propozim. Për efekte të garancisë (ose sigurisë) me detyrë të Prokurorit të Përgjithshëm, gjë që do të ndikonte edhe në një pavarësi më të madhe të tij, do të sugjeroja zgjatjen e mandatit të tij nga 5 vjet, që është sot, në 7 ose në 9 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje. Ndërsa parlamenti ta miratonte dhe ta shkarkonte Prokurorin e Përgjithshëm me votim të cilësuar, me 3/5 e votave të të gjithë deputetëve.
Drafti i PS: Presidenti i Republikës nuk do të jetë pjesë e KLD
Pranë Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi PS ka depozituar amendimet kushtetuese në sistem. Duke iu bazuar propozimeve të PS, Prokurori i Përgjithshëm qëndron në detyrë deri në emërimin e Prokurori të ri. Sipas ligjit të ri, Prokurori i Përgjithshëm në detyrë emërohet gjyqtar në gjykatën e Apelit të Tiranës brenda 3 muajve nga data e mbarimit të mandatit. Po ashtu në amendimet kushtetuese të maxhorancës propozohet që anëtarët e KLD të përfundojnë veprimtarinë e tyre, si anëtarë të KLD 3 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Zgjedhja e anëtarëve të rinj të KLD bëhet brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Tre anëtarë gjyqtarë dhe 2 jo gjyqtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) do të emërohen fillimisht për një mandat 3 vjeçar, me qëllim përtëritjen e pjesshme të këtij organi. Në listën e gjatë të amendimeve në kushtetutë shumica e majtë fokusohet në mënyrë të veçantë në institucionet e pavarura, që nga Presidenti Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, KLD, Prokuroria. Në propozimin e së majtës për zgjedhjen presidenti thuhet se nuk ndryshon formula e zgjedhjet së tij por në bazë të dokumenti analitik të shumicës është arritur në përfundimin se me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, edhe me shumicë në thjeshtë në raundet e fundit, Presidenti, duke qenë se mund të jetë politikisht i njëanshëm, nuk mund ta kryejë më këtë funksion të rëndësishëm. Që ka të bëjë me zbatimin e formulës aktuale të emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm dhe garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Në bazë të propozimit të shumicës së majtë zbatimi në praktikë i kësaj formule është vështirësuar ndjeshëm duke sjellë vonesa në emërimet, tejkalim të afateve të qëndrimit në detyrë nga gjyqtarët të cilëve iu ka mbaruar mandati ose kanë dhënë dorëheqjen. E kjo situata është ndjekur me konflikte në lidhje me procedurat dhe kriteret e përdorura nga Presidenti në përzgjedhjen e kandidaturave, dhe politizimin e procesit të emërimeve në tërësi. Drafti i shumicës që u depozitua të premten në kuvend pritet të kalojë në mbledhjen e së hënës të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, e që për të cilën do të kërkohet marrja e opinionit të komisionit të Venecias. Ndërkaq, para disa ditësh opozita depozitoi propozimet e saj me 300 rekomandime për këtë sistem nga të cilat 60 janë rekomandime kushtetuese.
Sigal