Kisha Ortodokse: Shkelje flagrante e ligjit, cënon imazhin e Shqipërisë

718
Pas shumë debatesh dhe përplasjes mes shtetit dhe komunitetit ortodoks në Dhërmi, kisha e Shën Thanasit është rrafshuar mbrëmë rreth orës 2 të natës. Forcat e INUV kanë punuar gjatë natës për të prishur kishën, ndërsa gjatë ditës së djeshme banorët u mblodhën para saj për të mos i lejuar inspektorët ndërtimorë të ndërhynin.
Por pavarësisht kësaj, vendimi ishte marrë dhe mëngjesin e sotëm figuronin vetëm mbetjet e betonit.
Çështja e kishës së Dhërmiut, ishte në qendër edhe të një takimi që Kryepeshkopi Anastas Janullatos zhvilloi dje me ish-kryeministrin e Greqisë, Aleksis Tsipras.
Sipas zëdhënësit të Kishës Ortodokse, Thoma Dhima prishja është bërë gjatë natës për të shmangur përplasjet. Ai e quan akt vandal të shtetit.
“Akti vandal i shtetit kundër Komunitetit Ortodoks. Duket qartë gënjeshtra se kishte mure të vjetra të kishës së parë. Shembën gjithçka! Tani e kanë radhën eshtrat e familjeve ortodokse të fshatit që të përdhosen, se gjoja do gjejnë eshtrat e një katoliku italian që kishte ardhur t’u kthente besën. TURP!”, shkruan Dhima.
KISHA ORTODOKSE: U SHKEL LIGJI, NDËRHYRJA PA NJOFTIM ZYRTAR
Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare ka reaguar në lidhje me prishjen e Kishës së Dhërmiut nga ana e strukturave shtetërore të IKMT-së. Në një deklaratë për mediat KOASH shprehet e indinjuar për këtë ngjarje, duke theksuar se është në shkelje flagrante të ligjit. Sipas KOASH, janë shkatërrimi varrosi nën gërmadha Ungjillin e shenjtë, ikonat dhe objektet e shenjta, duke e krahasuar ndërhyrjen e sotme me atë në Kishën e Shën Mërisë në Përmet.
Kisha Ortodokse thotë më tej se ndërhyrja është bërë pa paralajmërim dhe se veprime të tilla cenojnë imazhin e Shqipërise. “Veprime të tilla bien ndesh me frymën që promovon Shqipëria dhe zbeh imazhin e vendit dhe popullit tonë”, thekson KOASH.
“Sot, 26 gusht 2015, në orën 4 të mëngjesit, pa zbardhur dita, në mënyrë të fshehtë e tinëzare, për t’iu shmangur ballafaqimit me banorët e Dhërmiut, në Himarë, u shkatërrua nga forca të inspektoratit ndërtimor të ardhura nga zona të tjera të vendit, kisha ortodokse e Shën Athanasit.
Ishin dëshpëruese dhe fyese që në ditët tona të shihje se shkatërrimi varrosi nën gërmadha Ungjillin e shenjtë, ikonat dhe objekte të shenjta, pamje që të kujtonin përdhosjen në Kishën e Shën Mërisë në Përmet, ku ato u hodhën në kamionin e plehrave.
Ky veprim është në shkelje flagrante të Ligjit nr. 10057, 22.01.2009, “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”, Neni 21/1, 2:
“Ndërtesat dhe objektet që shërbejnë për kryerjen e ceremonive fetare konsiderohen të shenjta nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Ndërhyrja e autoriteteve shtetërore në to është e ndaluar, me përjashtim të rasteve të flagrancës, kur një gjë e tillë kërkohet në zbatim të një urdhri të prokurorisë, të një vendimi gjyqësor ose titulli ekzekutiv, ose në rast të kanosjes së një rreziku të afërm. 2. Paprekshmëria e hapësirës publike garantohet nga Shteti. Shteti mbron objektet dhe vendet e caktuara fetare, në përputhje me Ligjin.” Ndërhyrja u bë pa as një njoftim zyrtar ose informal, si dhe u shpërfillën klerikët tanë, përfaqësuesit arkieratik Protopresviter Atë Pandeli Mitru, Atë Efthim Bixhili, Atë Athanas Qerimi, të cilët kërkuan shpjegime për një ndërhyrje të tillë nga organet vendore.
Që në fillim, ata që kishin planifikuar shkatërrimin e këtij vendi të shenjtë ishin kontradiktorë, megalomanë dhe konfuzë në deklarimet, pretendimet dhe veprimet e tyre: Deklaruan se ishte një ndërtim pa leje i bërë së fundmi dhe doli se ishte ngritur nga vetë besimtarët në fillimet e Demokracisë, në të njëjtin vend ku ngrihej kisha e rrafshuar nga komunizmi. Deklaruan që kisha ishte monument kulture dhe doli që nuk ishte e vërtetë. Deklaruan se Kisha nuk ishte pronare dhe u dëshmua me dokumente e kundërta. U deklarua se soleta ishte hedhur mbi muret e vjetra historike dhe pastaj i rrafshuan ato etj.
Kjo ngjarje është një shkelje e së drejtës universale të besimit dhe laicitetit të shpallur në Kushtetutë të shtetit, i cili merr përsipër në mënyrë të njëanshme prishjen e një objekti kulti ortodoks dhe në vend të tij të ngrejë një tjetër, duke marrë iniciativa dhe angazhime që nuk i takojnë dhe përbëjnë ndërhyrje në çështjet e brendshme fetare. Veprime të tilla të papërgjegjshme dhe aventureske vënë në rrezik harmoninë fetare në vend, duke krijuar konflikte midis besimeve dhe komuniteteve fetare.
Gjithashtu, në një kohë kur Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, së bashku me Komunitetin e Sant Egidios dhe Kishën Katolike në Shqipëri, në fillim të muajit shtator, përgatiten për të pritur veprimtarinë e madhe ndërfetare “Paqja është gjithmonë e mundshme”, ku do të marrin pjesë 500 delegatë, nga 30 besime të ndryshme nga e gjithë bota, një ngjarje historike për Shqipërinë, veprime të tilla bien ndesh me frymën që ajo promovon dhe zbeh imazhin e vendit dhe popullit tonë”, thuhet në deklaratën e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Sigal