Largohet nga detyra kreu i Tatim-Taksave të Vlorës

1114
Sigal

Deputeti Dashamir Tahiri: “Nuk më kanë pyetur, ishte drejtori më i mirë në Republikë”

Largimi nga detyra e kreut të Tatim-Taksave në Vlorë z. Namik Veipi, ka shkaktuar habi jo vetëm në institucionin që ai drejtoi për dy vjet, por edhe tek komuniteti vlonjat. E papritur ka qenë kjo lëvizje edhe për deputetin Dashamir Tahiri, që e kish vendosur atë nga PDIU. Ndryshe nga çdo rast tjetër, prezantimi i drejtorit të ri të Tatim-Taksave në Vlorë paraditen e të mërkurës, është bërë me dyer të mbyllura. Ka qenë nëndrejtori i Drejtorisë së Përgjithshme, Albert Avdul, që ka prezantuar kreun e ri të Tatimeve z. Ilir Mandri, që vjen nga Tirana, duke larguar nga detyra Namik Veipi. Veipi drejtoi këtë institucion për gjatë dy vjetëve, duke paraqitur një performancë, që nuk ishte parë ndonjëherë, shoqëruar kjo me rezultate të larta. Avduli në fjalën e tij ka prezantuar punën e shkëlqyer që ka bërë Veipi si specialist e drejtues i zoti dhe lëvizjen e ka etiketuar si pjesë të reformave që po bëhet në institucione. Drejtori i ri Mandri, ka qenë në krye të Tatim-Taksave në kryeqytet, që nga viti 2008. Pas kësaj lëvizjeje “Telegraf” mori prononcimin e deputetit të Vlorës, Dashamir Tahiri.

Z.Tahiri jeni në dijeni për largimin nga detyra të drejtorit të Tatim-Taksave, që është vendosur nga PDIU?

Nuk jam në dijeni për ndonjë ceremoni të organizuar në ditën e sotme, që ka të bëjë me lëvizjen e drejtorit të Tatim-Taksave z.Veipi. Ajo që di të them është se kreu i Tatimeve të Vlorës, që është vendosur nga partia çame, ka qenë një nga drejtorët më të suksesshëm për gjatë 20 vjetëve në këtë institucion, drejtori më i mirë në shkallë vendi. Ai tejkaloi detyrat, krijoi marrëdhëniet e duhura me biznesin duke kërkuar vetëm zbatimin e ligjit. Solli një performancë të re dhe disiplinë të çeliktë në institucion, çka çuan në dhënien e miliardave më shumë se detyra në arkën e shtetit. Përveçse një drejtues perfekt, z.Namik Veipi është edhe një specialist i regjur i ekonomisë, që i njohur për njohuritë e tij në të gjithë Vlorën.

Nuk duket i çuditshëm largimi i këtij drejtori. Cilat janë arsyet sipas jush?

Sidoqë duket, kjo nuk varet prej meje. Për mua si deputet i PDIU-së, ka rëndësi që edhe drejtori i ri që është emëruar sot, është po nga kjo parti. Arsyet e largimit të Veipit i di Drejtori i Përgjithshëm i Tatim-Taksave, njeriu që ka në kompetencë emërimin dhe largimin e drejtuesve. Shpjegova, përderisa nuk janë prishur raportet e kontratës me maxhorancën dhe drejtori i ri është po nga partia jonë, nuk ka arsye të reagoj. Z.Veipi ikën i nderuar nga kolektivi që drejtori dhe mbahet mënd si një drejtues shembull, të ndershëm, që ka tejkaluar planet duke dhënë jo miliona, por miliarda më shumë në arkën e shtetit. Shpresojmë që në rrugën e tij, të ecë edhe drejtori i ri i sapoemëruar, të cilit nuk i mungon eksperienca në këtë fushë.

Zenepe LUKA