Kirurgu Edvin Prifti, “armiku publik” që shpëton jetë, në darën një drejtësie që do të plotësojë normën

103
Sigal

Ka disa muaj që kardiokirurgu i njohur, Edvin Prifti është hedhur nga drejtësia në “gojën e ujqërve” të opinionit publik. I akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion me profesionin e tij, Prifti po merr një trajtim të paprecedentë nga “drejtësia e re”.

Ky trajtim përfshin ndalimin e ushtrimit të profesionit, një masë e rreptë gati absurde, po të mendosh standardin me të cilin operon drejtësia shqiptare, ku kriminelë të njohur shëtisin të lirë dhe “e ushtrojnë profesionin” në mënyrë të përsëritur, duke kryer vrasje të njëpasnjëshme megjithëse formalisht janë në kërkim.

Me sa duket “drejtësisë së re” i duhet pikërisht kjo. Formaliteti. Ose thënë ndryshe, të plotësojë normën.

Edvin Prifti është një nga kardiokirurgët më të mirë në Shqipëri, drejtues i pavionit të Kardiokirurgjisë në QSUT. Ai ka kryer mijëra operacione duke shpëtuar jetë njerëzish.

Por, menjëherë pas akuzave, ende të pakonfirmuara nga gjykatat, ai nuk mund të prekë bisturi me dorë.

Pyetjet që të vijnë menjëherë ndërmend janë disa.

Përsë kjo masë sigurie ndaj Edvin Priftit? Kë rrezikon ai nëse vazhdon të ushtrojë profesionin ndërsa prokuroria kryen detyrën e saj? Nëse Edvin Prifti nuk e ushtron profesionin për një periudhë të caktuar, a i bën mirë apo keq kjo shoqërisë shqiptare?

Sa pacientë do të ishin operuar dhe trajtuar nga kardiokirurgu i njohur nëse ai do të lejohej të bëjë, atë që di të bëjë më mirë?

Dukshëm, një dorë e padukshme do ta shohë të shkatërruar karrierën e mjekut të njohur.

Deri tani është e paqartë kush janë demonët që po luftojnë Priftin dhe po e pengojnë atë të zbatojë e respektojë betimin “e shenjtë” të Hipokratit.

Të kuptohemi, nëse Edvin Prifti ka shkelur ligjin ai duhet të vuajë pasojat. Por kjo mbetet ende për t’u provuar dhe ai sot gëzon të drejtën e prezumimit të pafajësisë.

Nuk është normale që gjyqtarja e Krujës e arrestuar për korrupsion, Enkelejda Hoxha e cila akuzohet se ka liruar nga burgu njerëz si Indrit Dokle dhe Genc Tafili, ka pothuajse të njëjtën masë sigurie me një nga “Profesorët” e mjekësisë në vend.

Nuk është hera e parë, që mjekë të famshëm e më pak të njohur akuzohen në Shqipëri. Madje disa prej tyre janë akuzuar për mjekim të pakujdesshëm, gjë që ka sjellë pasoja tek jetët e njerëzve.

Megjithatë, shumë prej tyre derisa janë provuar fajtor, janë trajtuar me dinjitetin që u takon dhe që meriton bluza e bardhë e mjekut.

Shqipëria nuk e ka luksin t’i denigrojë “a priori” profesionistët e asnjë fushe, e aq më parë kur bëhet fjalë për mjekë të njohur. Jemi në kushtet kur vendi ynë po bëhet një nga eksportuesit kryesorë të profesionistëve të shëndetësisë, mjekë dhe infermierë, drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të Perëndimit.

Për të ndaluar sadopak këtë “hemoragji truri”, qeveria ka vendosur pa shumë sukses të përpiqet të stimulojë mjekët që punojnë në rrethe duke u dhënë paga ekstra, më të lartë se të një ministri.

Shëndetësia shqiptare ka mjaft probleme, të cilat shtrihen që nga kapacitetet spitalore e deri tek mungesa e garzave dhe e betadinës. Por një gjë nuk është vënë kurrë në diskutim. Sakrifica e bluzave të bardha, të cilët në kushte larg ideales dhe me paga shumë herë më të të ulëta se kolegët e huaj, vazhdojnë shërbejnë me devotshmëri. Ndaj, ndalimi i ushtrimit të profesionit për kirurgë të njohur si Edvin Prifti ngjan me një sabotim. Vetëm se i dëmtuari nuk është një palë e tretë dhe as vetë Edvin Prifti. I dëmtuari i parë dhe i fundit, është secili prej nesh.