Këshilli i Europës thirrje qeverisë për të ndalur dhunën policore ndaj protestuesve

259
Sigal

Këshilli i Europës i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të parandalojë vijimin e dhunës policore, si dhe të respektojë të drejtën për protestë paqësore.

Në një deklaratë publike komisionerja për të drejtat e njeriut, Dunja Mijatovic kërkoi vetëpërmbajtje në reagimin ndaj protestuesve si dhe sigurimin e një hetimi të plotë, transparent dhe të pavarur të akuzave për përdorim të tepërt të forcës nga ana e policisë.

Ajo theksoi se përdorimi dispropocional i forcës është raportuar edhe në rastin e protestave të tjera në Shqipëri përgjatë këtij viti, duke i’u referuar protestave kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.

“Masat e marra në parandalimin e përhapjes së Covid-19 nuk i japin autoriteteve “dorë të lirë” në përdorimin e forcës kur mbikqyrin protesta”, tha komisionerja.

Autoritetet duhet të respektojnë rregullat e propocionalitetit dhe domosdoshmërisë në çdo rrethanë, ndaj ndalimi në parim i çdo demonstrate publike dhe shpërndarja e qytetarëve me arsyen e vetme se kanë shkelur rregullat e ndalim-qarkullimit, pa konsideruar masa më të lehta, nuk duhet të ndodhë.

Komisionerja Mijatovic gjithashtu i kërkoi policisë të bëj dallim mes individëve të përfshirë në dhunë gjatë protestës, dhe protestuesve paqsorë. Arrestimi i të miturve duhet të konsiderohet si masa më e fundit për t’u ndërmarrë nga policia.

Kjo e fundit duhet të trajnohet në mënyrë të veçantë për trajtimin e protestuesve, deklaroi komisionerja e këshillit të Europës.

Në përfundim komisionerja i bën thirrje autoriteteve të përshpejtojnë lirimin e protestuesve të tjerë paqësorë të cilët janë ende të ndaluar.