KESH-i kapet “mat”, shet energji me 45 €/Mwh teksa e blejmë 15 herë më shtrenjtë!

111

Në javën e parë të shkurtit, KESH çuditërisht ka shitur energji me një çmim qesharak prej 41 deri në 45 euro €/Mëh. Kurse bën “pazar” në tregun ndërkombëtar, duke blerë energji elektrike kur i nevojitet me çmim 15 herë më të shtrenjtë. KESH ka bërë transaksione në mënyrë sekrete kjo do ishte shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit që në finale përkthehet në humbje për qytetarët shqiptarë.

Sigal

 Koorporata Elektronergjitike Shqiptare vijon të prodhojë skandale me vendimet e saj për mënyrën sesi menaxhon prodhimin dhe shitjen e energjisë kryesisht në tre HEC-et e Kaskadës së Drinit. KESH shpesh është kapur mat, duke shitur energji në tregun ndërkombëtar me një çmim 5 deri në 6 herë më të ulët sesa vlera në bursë, ndërsa në periudhën e krizës e blen atë me çmime që kanë arritur deri edhe në mbi 400 €/Mwh.Së fundmi, gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri zbuloi, se në javën e parë të shkurtit, KESH çuditërisht ka shitur energji me një çmim qesharak prej 41 deri në 45 euro €/Mwh.

Tomorri thekson se transparenca nga KESH ka qenë e pakët për procedurat tenderuese pas këtyre datave, duke shprehur shqetësimin për mënyrën sesi shteti bën “pazar” në tregun ndërkombëtar, duke blerë energji elektrike kur i nevojitet me çmim 15 herë më të shtrenjtë dhe e shet shumë herë më lirë.

“Tenderat e fundit për shitjen e energjisë të publikuara nga KESH i përkasin 4-5 shkurt, 2 javë më pare. Në ato tendera është shitur deri në 45, deri në 41 euro për megavat/orë. Që prej datës 5 nuk ka asnjë procedurë të shpallur KESH, asnjë njoftim për shitje energjie. Korporata ka detyrim ligjor të shpallë çdo procedurë për shitje dhe blerje energjie elektrike. Në rast se KESH ka bërë transaksione në mënyrë sekrete kjo do ishte shkelje e drejtpërdrejt e ligjit”, u shpreh Tomorri.

Më tej gazetari nënvizoi se strategjia e KESH tregon një model tregu të dështuar dhe një menaxhim të kalbur të korporatës, që në finale përkthehet në humbje për qytetarët shqiptarë.

KESH ka shpallur një tender 1,4 milionë euro për të bërë studimin badimetrik të hidrocentraleve, dhe pastaj do bëhet një tender katër herë më i madh për pastrimin e hidrocentraleve. Kemi parë edhe tendera për satelit, që shkojnë në 6 milionë euro. Jo vetëm s’e shfrytëzojmë maksimalisht kaskadën dhe ujin, por shkaktojmë edhe dëme në popullata.

“Ka pasur shqetësim lidhur me tenderat e shitjes dhe blerjes së energjisë. Deri dy vjet më parë e bënte OSHEE-ja, më vona i kaluan KESH, por kur shiste OSHEE kishte informacion të detajuar me çfarë çmimi, kush ishte blerësi, me kalimin e funksionit të shitjes dhe blerjes te KESH, transparenca ka qenë më e pakët. KESH edhe kur i publikon tenderat, nuk publikon kompanitë që kanë blerë apo shitur energji. KESH ashtu si çdo kompani publike apo sh.a. ka qenë problematike në aspektin financiar. Tashmë janë faktet publike se si është abuzuar, se si energjia e shitur me çmime 40-45, ndërkohë që kemi blerë energji me çmime deri në 600 euro për megavat, 15 herë më shtrenjtë, dhe justifikimi ka qenë gjithmonë se shesim atëherë kur kanë të gjithë dhe bleJmë atëherë kur nuk kanë, prandaj shesim më lirë dhe blejmë më shtrenjtë. Por e gjitha kjo tregon një model tregu të dështuar”,- nënvizon gazetari.

Tomorri gjithashtu hedh dyshime të forta për dy tendera që Koorporata Elektroenergjitike ka shpallur, duke ngritur pikëpyetje nëse janë apo jo të nevojshëm vërtetë për të ruajtur funksionimin normal të HEC-eve.

“KESH ka shpallur një tender 1,4 milionë euro për të bërë studimin badimetrik të hidrocentraleve, dhe pastaj do bëhet një tender katër herë më i madh për pastrimin e hidrocentraleve. Janë tendera pa asnjë sens. Ato para mund të shpenzohen me më shumë efektivitet. Kemi parë edhe tendera për satelit që shkojnë në 6 milionë euro. Jo vetëm s’e shfrytëzojmë maksimalisht kaskadën dhe ujin, por shkaktojmë edhe dëme në popullata”, deklaroi Tomorri.