Kërcënoi sanitaren se mori pjesën në mitingun e opozitës, kallëzim në SPAK për Bufin

97
Sigal

Partia Demokratike, e përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, ka depozituar një kallëzim penal në SPAK ndaj kryetares së bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufit.

Opozita e akuzon Bufin për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Në kallëzim shpjegohen shkeljet, që sipas PD, kryebashkiakja e Roskovecit ka kryer me dashje dhe personalisht gjatë fushatës zgjedhore kundër punonjësve të administratës publike për t’i penguar ata të votojnë lirisht – shkelje si kërcënime, presione dhe shantazhe.

Më tej në kallëzim, që bazohet në emisionin investigativ Piranjat, thuhet se kryebashkiakja që kandidon për një mandat të dytë në drejtimin e Roskovecit, diskriminon arsimtaren Dhurata Malka për shkak të bindjeve politike dhe intimidon sanitaren në shkollën e fshatit Suk.

“Përfundimisht nga SPAK kërkojmë”, thuhet në përfundim të shkresës së PD, “regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj shtetases së kallëzuar, kryetares në detyrë të bashkisë Roskovec, znj. Majlinda Bufi si dhe kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme për marrjen në pyetje të të gjithë personave të përmendur në kallëzim për sqarimin sa më të saktë e më të plotë të rrethanave të parashtruara më sipër.”