Sigal

Fundjava e parë e gushtit ka sjellë dhe shtim të fluksit në Pikën Kufitare të Kakavijës. Prej mëngjesit të së shtunës vetëm përmes kësaj pike kufitare kanë hyrë në Shqipëri rreth 7000 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Gushti shënon dhe periudhën e pushimeve vjetore të emigrantëve që sjell shifra në rritje të hyrjeve në pikat kufitare, ndërsa me shifra të përgjysmuara paraqitet situate e daljeve nga Shqipëria në pikën e Kakavijës.

Uniformat blu në Gjirokastër kanë shtuar masat edhe në akset nacionale në Jug në të cilat këtë fillim Gushti është regjistruar trafik i ngarkuar. Policia Rrugore e Gjirokastrës pohon se Qafa e Muzinës, zona e Ujit të Ftohtë afër Tepelenës dhe në hyrje të Gjirokastrës ku aktualisht ka ndërhyrje rehabilituese janë akset më problematike, të cilat po mbikqyren nga patrullat e policisë rrugore. Policia i bëri thirrje komunitetit të bashkëpunojë për të denoncuar rastet e shkeljeve që mund të çojnë drejt aksidenteve.

Fluksi në rritje i emigrantëve që kalojnë kufirin pritet të kulmojë fundjavën e ardhshme. Autoritetet rekomandojnë përdorimin edhe të pikëkalimeve të tjera kufitare në Jug të vendit për të evituar dyndjen e njëkohshme në Kakavije.