Ju duhet një president, që ta tërhiqni për hunde

136
Sigal

Analizë nga Marash Gilaj / Vërtetë jetojmë në një vend të bekuar, por të mallkuar nga sundimtarët në dekada, që s’kanë ideale, që shohin vetëm përfitimet e tyre personale. Po luftojnë që të kenë “presidentin që duan.” Kështu i kanë dashur dhe i duan: deputetët, ministrat, kryebashkiakët, drejtësinë, akademinë e shkencave, drejtuesit e futbollit dhe krejt Shqipërinë. Të gjitha t’i kenë nën hyqymetin e tyre mjafton të jetë edhe i pëlqyeri i Beogradit

Vërtetë jetojmë në një vend të bekuar, por të mallkuar nga sundimtarët në dekada, që s’kanë ideale, që shohin vetëm përfitimet e tyre personale.

Pas shumë përpjekjesh për të shkarkuar Presidentin e Republikës, erdhi dita të zgjedhni një të ri. Ky që kemi, u bë havale e madhe. Për partinë në pushtet ishte si “delja e zezë.” Tamam si një kryeplak në vend të huaj. Duhet dikush që mund të tërhiqet për hunde. U harxhua mund e kohë me komisione parlamentare, me padira në gjykatë e deri në Venecia për ta shkulur e shkarkuar nga presidenca, por doli huq. Po luftojnë që të kenë “presidentin që duan.” Kështu i kanë dashur dhe i duan: deputetët, ministrat, kryebashkiakët, drejtësinë, akademinë e shkencave, drejtuesit e futbollit dhe krejt Shqipërinë. Të gjitha t’i kenë nën hyqymetin e tyre dhe bash ashtu siç ua do menderja. Që Shqipëria të jetë e tyre e me të të bëjnë çfarë të duan, po përdorin gënjeshtrat më të trasha e më banale që kanë mundur të sajojnë. Pra, shkurt e saktë, u duhet një president që t’u krehin bishtin, t’u mbajnë ison, t’u vijë pas qerres së tyre të dalë boje e mode, që ai të mbajë çelësat e kashtës dhe të di t’i thotë derrit dajë, dreqi ta hajë. Dhe më e rëndësishmja: t’i bëjë qejfin të Gjatit pa e mërzitur asnjëherë.

Shokët e Rilindjes hiqen sikur do të bëjnë mrekullira, simulojnë, propagandojnë, gjoja po shpikin diçka që s’është parë as dëgjuar më parë. Nuk duan ta zgjedhin me këshillim, siç bënë me legalizimin e kanabisit, as me votë nga populli. Thonë se preferojnë një grua më shumë se një burrë ose diçka në mes: burrë as grua, femër as mashkull. Po cilat janë kriteret që do të ndjekin? Në qoftë se nisemi nga urtësia latine që thotë: “Çdokush kënaqet me të ngjashmin e vet”, i bie që ky lloj presidenti, edhe në mos qoftë i ngjashmi i duhur, duhet të sforcohet pak dhe të bëjë si duan ata. Ai, patjetër, duhet të bëjë servilin, hipokritin, gënjeshtarin, hileqarin, adhuruesin e njëshit dhe të nënshtruarin. Shigjetat e tinzarit dhe të hileqarit do të jenë drejtuar në drejtim të tij e kujtdo tjetër që shkel mbi kallo të “Zeusit.” Të ngjashmit, gjithmonë, kujdesen për njëri – tjetrin. Këtu qëndron avantazhi. Për këta nuk ka rëndësi se shijet e mbrapshta të çojnë në krim. Dëshira e madhe për të shkelur mbi çdo ligj ka shkaktuar rrënim, shpopullim, kriminalizim dhe s’ka mbetur asgjë tjetër për të bërë përveç copëtimit të Shqipërisë. Por ky nuk është problemi. Mjafton të mbetesh i pëlqyeri i Beogradit dhe ke arritur majat.

Kriteri që ka pasur më shumë sukses në këto 8-9 vitet e fundit, ka qënë modeli i ministrit “më të suksesshëm,” i ministrit dhe policisë që deshëm dhe që për të gjitha këto merita, pat përfunduar në burg. Pastaj vinë me radhë: deputeti që duam, kryebashkiaku me 4-5 emra dhe i kriminalizuar, por të gjithë të pasuruar në rrugë mafioze. Le të jenë përdorues drogash të forta, të pëlqejnë Ballkanin e dyerve të shpartalluara, emigrimin, varfërinë e shumë probleme të tjera sfilitëse, duke mos harruar asnjëherë, se në një ditë, jo edhe aq të largët, të gëzojmë edhe shtëpitë publike si dhuratë për aprovimet e çdo nisme  e çmendurie qeveritare sipas sloganit: “ Çfarë do populli, bën Partia dhe anasjelltas.”

Kur i mendon mirë punët se si kanë rrjedhur, njeriu normal del me konkluzionin se ne s’kemi nevojë për president dhe as për shumëçka tjetër. Ne jemi një vend i ndërtuar nga korrupsioni, ku demokracia nuk ekziston, sepse është kthyer në neodiktaturë, ku sundimtari bën atë që do, por jo atë që duhet, duke sunduar e përçarë, si e vetmja mënyrë për të qëndruar sa më gjatë në pushtet. Ne s’kemi nevojë as për zgjedhje as për opozitë dhe zgjidhja është: “ Kush të mundet, le të ik.” Ka ardhur koha për të hequr leshin nga sytë, o milet! Të hapim sytë e mendjes për të parë pisllëkun ku jetojmë. Nuk besoj se dikush mund të ndihet mirë, kur shefi të injoron, i pasuri të përbuz dhe pushtetari të përdor dhe pastaj të hedh si limonin e shtrydhur. Ne kemi një qeverisje që di vetëm të kakaris e çdo punë ta bitis. I pari i katundit, me arrogancë e gojën e shthurur flet si llafollog pa mbajtur asnjë përgjegjësi. Korrupsioni i shtrirë në çdo nivel të pushtetit i duket si arritje. Ne nuk e meritojmë “gjenialitetin” e tij. Do të ishte mirë ta mësonte se “kush mendon që ka gjithmonë të drejtë, gati asnjëherë nuk ka.” Kështu na mëson urtësia. Një pushtet kaq i madh, kaq i paligjshëm e i pamerituar ka fuqi të shtrembërojë të vërtetën. Njeriu që nuk pyet askënd, nuk jep llogari, nuk mban përgjegjësi, i ngjan një të dehuri që betohet se nuk është i pirë.

Vërtetë jetojmë në një vend të bekuar, por të mallkuar nga sundimtarët në dekada, që s’kanë ideale, që shohin vetëm përfitimet e tyre personale. Këtu nuk dëgjohet i urti as i ndershmi, sepse u është mbushur mendja top se vetëm marrëzia u ka dhënë sukses. Ju keni arritur në atë derexhe sa i urreni me gjithë forcën e shpirtit të gjithë ata që flasin për të vërtetën, sepse jeni larguar prej saj, e keni braktisur atë. Në një mjedis si ky yni, i ndershmi e i urti është çorientuar fare. Me këto lloj orientimesh dhe vendimesh, ky vend do t’i ngjajë një spitali të stërmadh psikiatrie. Sidoqoftë, le të shpresojmë se pas gjithë kësaj rrëmuje, kaosi, padrejtësie e varfërie, diçka e mirë mund të lind, jo shumë vonë. Në një të ardhme të afërt mund të zgjedhim presidentin që duhet dhe jo atë që duan ata që s’mendojnë për popullin, por si të pasurohen sa më shpejt. Ndaj, ia vlen të turbullosh nganjëherë, që të shpresosh se do të kthjellohet pastaj. Jeta ka provuar se kjo ndodh, kur ka vullnet e guxim.